A është Shqipëria gati për makinat hibride?

488 0

Terma të tilla si energji e pastër, makina elektrike dhe emetim zero i gazeve, tingëllojnë pak utopike për shqiptarët që i japin makinave në rrugë me gropa, ku s’ka korsi shpejtësie e ku cilësia e karburantit shpesh lë për të dëshëruar. Në kontekstin shqiptar, makinat hibride duket sikur i përkasin një tjetër planeti. Por kjo duket se do të ndryshojë. Një grant i ri prej 4 milionë dollarësh i nënshkruar së fundmi mes qeverisë shqiptare dhe asaj japoneze do t’i hapë dritën jeshile futjes së makinave hibride në vend, një nga më miqësoret për mjedisin, duke qenë se ulin ndotjen dhe zvogëlojnë emetimin e gazit serrë. 

Sipas marrëveshjes së grantit, e cila pritet të kalojë së shpejti për miratim në Parlament, makinat hibride do të jenë për përdorim të institucioneve publike, por nuk bëhet ende i ditur numri ekzakt i tyre. Por, ajo çfarë dihet tashmë është se ato do të përcaktohen me palën japoneze, si dhe në varësi të procedurave të tenderimit, që do të zhvillohen në Japoni, në përputhje me ligjet dhe rregullat e palës japoneze.

Marrëveshja, e cila pritet të hyjë në fuqi më 27 Tetor, menjëherë pas miratimit në Parlament, përcakton si përfitues të këtij projekti Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), Agjencinë Rajonale Mjedisore dhe Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Mjetet pritet të vijnë në  Shqipëri në fillim të vitit 2016, ndërkohë që shpenzimet për transportin e tyre brenda vendit do të mbulohen nga qeveria shqiptare, thuhet në relacionin e Kuvendit të Shqipërisë.

Në vendin tonë, ndotja e ajrit është në nivele shumë të larta, madje duke i tejkaluar dhe standartet e Bashkimit Evropian për nivelin e ndotjes, për shkak dhe të shtimit të automjeteve dhe përdorimit masiv të tyre, duke u kthyer në burimin kryesor të ndotjes. Përdorimi i makinave hibride pritet të ketë një impakt në uljen e nivelit të ndotjes, duke qenë se janë miqësore ndaj mjedisit. Por përpara se këto makina të hyjnë në vend, duhet t’iu “shtrohet rruga”, çka do të thotë standarte më të larta të karburantit, në mënyrë që këto hibride të funksionojnë, duke qenë se karburanti i pastër është habitati i tyre natyral, përndryshe do të mbetet në afolio pa mundur kurrë të marrin startin.

Përcaktimi i makinave hibride

Një makinë quhet hibride nëse përdor më shumë se një formë energjie për të arritur shtytjen. Në parktikë kjo do të thotë se një makinë hibride do të ketë një motorr tradicional me djegie të brendshme dhe një serbator karburanti si dhe një ose më shumë motorrë elektrikë dhe një paketë baterie. Makinat hibride shpesh ngatërrohen me makinat elektrike. Hibridet janë shpesh makina benzine që e përdorin sistemin e tyre elektrik për të mbledhur dhe ripërdorur energjinë, e cila në makinat standarte shkon firo. Teorikisht makinat hibride me benzinë mendohet të jenë edhe më efikase se ato me naftë, por instalimi i të dy këtyre sistemeve është me kosto shumë të lartë.

Miqësore me mjedisin dhe me xhepin

1. Makinat hibride nuk kanë nevojë për shumë karburant. Ato furnizohen nga dy lloje të ndryshme energjish. Njëra është duke përdorur benzinë dhe tjetra duke përdorur elektricitet, kështu që në pjesë të kohës ato përdorin më pak karburant, duke emetuar më pak gaz serrë në mjedis.

2. Ngrohja globale është kthyer në një shqetësim shumë të madh për shkak të sasisë së gazeve si dioksid karboni, monoksid karboni dhe shumë gazra të tjerë që lëshohen çdo ditë në atmosferë. Hidrokarburet janë gazra që vijnë nga motorrët me djegie të brendshme që djegin karburant dhe përdoren kryesisht për autoveturat. Hibridet djegin dhe përdorin më pak karburant kështu që kjo zvogëlon sasinë e emetimeve, çka ndihmon për të mbrojtur atmosferën tonë dhe ozonin që është në rrezik.

3. Hibridet përdorin elektricitet. Jo vetëm kjo, por shumë makina hibride kanë aftësinë për të krijuar energjinë e tyre në momentin kur frenohet. Elektriciteti nuk e dëmton mjedisin dhe duke qenë se ato e prodhojnë vetë energjinë, nuk është e nevojshme që të ketë pika ku të furnizohen me energji.

4. Përveçse ndihmojnë në uljen e ndotjes duke emetuar pothuajse fare gaze serrë dhe duke mos kontribuar në ngrohjen globale, ato ndihmojnë edhe për të mbajtur ajrin e pastër nga smogu.