Agronomi që po Kultivon Arrën Amerikane për Herë të Parë në Shqipëri

1.3k 0

Fidanishtja “MIÇI” në Livadhja, sot ka një shtrirje të aktivitetit për prodhimin e fidanëve pothuaj në të gjithë Shqipërinë.

Prej vitit 1991 deri në 1998 agronomi Dhimitër Miçi nga Llazati, e nisi aktivitetin e tij të biznesit në fushën e fidanishtes në Larisa të Greqisë.

Atje kishte 15 punëtorë. Më pas, mendoi të vinte në vendin e tij ku punon edhe sot e gjithë ditën. Klientët e Fidanishtes “Miçi” janë fermerë që kultivojnë fidana ulliri, arra, etj. Ata janë të shumtë dhe i gjen nga  jugu deri në veri të vendit.

Para pandemisë dhe sot

“Para kohës së pandemisë ne në fidanishte kishim 10-fishin e prodhimit të sotëm të fidanave. Në prodhimin e fidanave të ullirit kemi arritur deri në 30.000 fidana. Por sot, nuk  arrijmë më shumë se 5-6000 fidana ulliri”, -thotë për ATSH-në Miçi.

Sipas tij, me nisjen e pandemisë njerëzit, klientët ishin më të rezervuar, por dora-dorës, shpresojmë se situata do të ndryshojë.

“E kështu, që sot e kemi ulur shumë prodhimin e fidanëve të ullirit sidomos. Jemi përqëndruar se fundi në prodhimin e  fidanëve të ullirit duke kultivuar fidanë spanjollë për vaj, fidanë me lloje të vendit si dhe fidanë greke për vaj dhe kripje për përdorim të dyfishtë”, – shprehet ai.

Miçi tregon se veç fidanëve të ullirit është përqendruar  në prodhimin e fidanëve të arrës hibride amerikane  që sipas tij “është një prodhim që i përket të ardhmes”.

“Këto fidanë hibride të arrës kaliforniane kanë disa veçori: kanë prodhimshmëri të lartë, mbillen nga zero metra mbi nivel të detit deri në 800 metra mbi nivel të detit. Dhe Shqipëria me tokat e saj në këto kuota e do arrën”, – rrëfen Dhimitri.

Ai shprehet se “ka prodhimtari të lartë, deri në 50-60 kg/për bimë me shërbime. Kanë cilësi të lartë buke të frutit. Sot njerëzit ende nuk ia kanë idenë. Por nesër do jetë ndryshe se do të shohin leverdinë.

Ai tregtari do të vijë dhe do shikojë një kokërr arre. Do ta thyej  një kokërr arre dhe do të shohë tulin me ngjyrë kafe dhe do të thotë: “këtë nuk e marr”. Nëse do të shohë një tul bukë arre me ngjyrë të bardhë siç është arra kaliforniane që ne kultivojmë , varieteti “candler”, e merr se i pëlqen dhe i leverdis”.

Nga hapat e parë të hapjes së biznesit

Hapat parë të aktivitetit në Shqipëri ishin në vitin 1999. Por në të vërtetë këto hapa u hodhën në shtetin grek më herët.  “Këtu në Shqipëri nisa punën në vjeshtë të vitit 1999.  Më parë kisha fidanishte në Larisa të Greqisë.

Aty punova në biznesin tim nga viti 1994 deri në vitin 1998. Atje isha shumë i kënaqur. Kisha 15 ha fidanishte. Me personel të përhershëm që punonte normalisht, 15 punëtorë e specialistë”, – tregon Dhimitër Miçi në fidanishten e tij në Livadhja.

“Ne shqiptarëve na pëlqen vendi i origjinës” , shton ai. Kështu Miçi e transferoi biznesin e kultivimit të fidanëve nga Larisa në Livadhja”.

“Gjeografia” e fidanëve

“Po më pyete për gjeografinë e fidanëve që shpërndahen si destinacione prej këtej të tregoj unë”, – shprehet ai.

Kryesisht 80% e aktivitetit, pra të produkteve tona shtrihen që nga Mallakastra, Përmeti, Tepelena, Fieri, etj. Po ai shton se “ne punojmë edhe me Fierin, Shkodrën, me tërë Shqipërinë, me tërë Republikën.

“Kjo shikohet si leverdi edhe nga biznese te tjera, si të thuash “jashtë profilit” vijnë këtu”, shprehet Miçi.

“Erdhi një biznesmen nga Fieri që merret me hidrosanitare dhe kërkoi të dinte më shumë dhe bëri porosi fidana fistiqe. Dha porosinë dhe ne ia morëm përsipër për qindra rrënjë fidanë fistiqe, por edhe arra. Fistiqet nuk janë të kultivuara deri më sot në Shqipëri”, -thotë Miçi.

Ka njerëz që kanë bërë prokopi të madhe me ullinjtë. Kanë mbjellë vitin e parë 150 fidana. Pastaj kanë kërkuar sërish 200 edhe më pas 300 dhe kanë bërë sot dhjetra ullishte në shumë vende të Shqipërisë. Sipas Miçit, ”ka njerëz që kanë bërë prokopi të madhe me ullirin kokërrmadh të Halqidhiqisë.

Ulliri për kripje të bush xhepin me lekë.

Kështu shprehet agronomi Dhimitër Miçi në Livadhja. “Ta mbush xhepin me lekë, por do edhe shërbimet e nevojshme”, – shton ai.

Në këtë periudhë të pandemisë ai ka një mesazh: “Toka është po ajo. Ne do rrojmë këtu, fëmijët tanë do rrojnë këtu. Do këshilloja që kushdo që ka mundësi të kultivojë tokën është mirë të zgjedhë ullinj edhe fruta të thata si arra, lajthi, fistiqe, bajame. Sepse janë kultura me kërkesa në rritje për to.

Prodhimi vendas dhe ai botëror është defiçit për këto fruta të thata. Dhe ato  kanë vetinë që të futen shpejt në prodhim, kanë aftësinë të magazinohen për një kohë të gjatë. Kështu që njerëzit asnjëherë nuk do dalin me humbje nga këto kultura”, – shprehet Miçi.

Vasili është djali 32 vjeçar i Dhimitrit. Punonte familjarisht në Greqi, por tani është kthyer dhe punon në fidanishten “Miço”.

“Herën tjetër Vasilin do ta gjeni këtu si “komandant”ose administrator”, shprehet për ATSH-në Dhimitër Miçi.

-Unë do të jem thjesht një këshilltar i tij”. /Burimi:Atsh