Agroturizmi – Një minierë e fshehur ari

521 0

Bujqësia është burimi kryesor i të ardhurave për pothuajse 530 mijë shqiptarë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), të ardhurat e gjeneruara nga fusha e bujqësisë në vend janë të pakonsiderueshme, në krahasim me kapacitetet. Vlera e përgjithshme tregtare e prodhimit bujqësor në Shqipëri është shumë e ulët. Në vendin tonë, të cilit natyra i ka falur kushtet e përshtatshme klimaterike dhe toka mjaft pjellore, fermat duhet të jenë një burim i pashtershëm të ardhurash. Fermerët e kuptojnë më mirë se të gjithë shprehjen “ç’të mbjellësh, do të korrësh”, prandaj investimi i vazhdueshëm është thelbësor për zhvillimin e fermës, dhe jo vetëm financiarisht.

Fermerët duhet të fokusohen në gjetjen e mënyrave novatore për t’i dhënë shtysën e duhur biznesit. Në anën tjetër, shteti dhe organizatat e ndryshme duhet të nxisin ato projekte, apo të fokusohen në ato drejtime, që do t’i orientojnë fermerët drejt rritjes së kapaciteteve të fermave të tyre dhe do t’i rrisin fitimet. Një fushë e re me potencial të madh zhvillimi është dhe agroturizmi. Zbulimi dhe zbatimi i praktikave të duhura të lidhura me këtë fushë, mund të jetë njësoj si zbulimi i një miniere ari.

Mendoni se po e hiperbolizojmë rastin? Në fund të këtij artikulli do të na jepni të drejtë. Agroturizmi mund të jetë vërtetë miniera juaj e arit.

Përshpejtimi pothuajse i çmendur i ritmeve të jetës në qytet, rritja e ndotjes së ambientit, ajrit dhe akustikës, po i shtyjnë banorët e qyteteve gjithmonë e më shumë drejt zonave rurale. Banorët e qyteteve të mëdha janë në kërkim të një ambienti ku mund të kalojnë kohë të vyer, në praninë e familjarëve dhe miqve.

Krijimi i ambienteve në të cilat mund të shpenzohet koha e lirë duke kryer veprimtari të reja, që ata nuk i kanë kryer më parë, mund të rezultojë në një atraksion tepër fitimprurës për fermerët. Në fakt zhvillimi i agroturizmit në fermat tuaja nuk do të kërkojë domosdoshmërisht investime dhe krijime qendrash luksoze. Vizitorët nga qytetet do të vijnë në fermën tuaj për të kërkuar thjeshtësi, origjinalitet dhe veprimtari që i afrojnë me rrënjët.

Cilat janë këto veprimtari?

Hidhni sytë rreth e rrotull dhe do të filloni të mendoni më shumë se një.E keni menduar më parë që edhe pemët e ullinjve që keni në fermë, hardhitë e mbjella me rrush, tokat me domate apo edhe stallët e lopëve mund të cilësohen interesante nga njerëz të tjerë, që nuk jetojnë në fshat?

Jona Dundo, punonjëse në një kompani biznesi në Tiranë, shprehet se turizmi në zona rurale është kthyer në një veprimtari tejet të pëlqyeshme për të, familjen dhe miqtë e saj. Në këtë mënyrë ata mund të shijojnë aktivitete që i afrojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe forcojnë edhe më shumë lidhjen ndërmjet tyre.

Ajo kujton një eksperiencë të fundit, në një fabrikë vere në qytetin e Beratit. “Ishte e mrekullueshme,” thotë Jona. Ajo tregon se merrte pjesë në një event promocional, të organizuar nga një fabrikë vere vendase dhe se me blerjen e një shishe vere, bëhej pjesëmarrëse në një konkurs mjaft interesant. Fituesi i përzgjedhur në mënyrë rastësore, në formën e një llotarie, do të duhej të shtypte rrushin me këmbë në një enë të madhe, të vendosur në ambientet ku zhvillohej festa. “Nuk e kisha menduar asnjëherë se do të bëja diçka të tillë,” thotë Jona. “Ishte eksperiencë që do të mbaj mend gjithmonë,” shton ajo.Jona thotë se eksperienca i ka krijuar një lidhje të veçantë me markën e verës.

Hapja e ambienteve të fermave tuaja ndaj turistëve, të cilët do të dëshironin të njiheshin nga afër me të gjitha proceset e prodhimit, do t’i afronte ata më shumë me produktin. Familiarizimi me veprimtaritë do të rriste ndjenjën e përkatësisë dhe besnikërisë ndaj produktit dhe firmës suaj.

Mund ta nisni me ato pak mundësi që keni, jo gjithmonë nevojitet shumë. Ju duhet vetëm pak kreativitet dhe një k&eumeuml;shillim i mire, mbi mundësitë reale të marketimit të fermës dhe prodhimtarisë suaj. Plani i duhur i biznesit do t’ju lejonte të nxirrnit në pah të gjitha mundësitë e fermës suaj, pikat e forta e të dobëta, potencialet apo edhe rreziqet që mund t’ju shfaqen në të ardhmen.

Vetëm duke arritur të krijoni një tablo të qartë të situatës në të cilën ndodheni dhe gjithashtu duke qartësuar idenë se ku do të dëshironi ta shihni fermën apo biznesin tuaj në të ardhmen, ju do të mund të hartoni planin e duhur te suksesit.

Shqipëria, vend i potencialeve të mëdha

Krijimi i fermave biologjike në vendin tonë është një hap përpara drejt zhvillimit të agroturizmit. Në to vizitorët mund të ndjekin nga afër të gjitha ambientet e prodhimit në fermë dhe të konsumojnë më tej mes qetësisë dhe gjelbërimit, produktet e fermës.

Mundësitë e shfrytëzimit të fermës suaj janë të pafundme dhe nuk lidhen vetëm me prodhimin. Filloni të kërkoni për arin tuaj, mund të ndodhet poshtë domateve të kopshtit, poshtë kashtës në stallë apo nën hijen e ullirit. Ndodhet gjithmonë aty ku nuk ju ka shkuar mendja më parë.