Agrumet dhe Perimet Shqiptare Joshin Evropën

688 0

Agrumet dhe perimet shqiptare duket se kanë ‘rrëmbyer’ kurorën e mbretërimit të eksporteve në tregjet rajonale dhe evropiane.

Prodhimi dhe eksporti i agrumeve nga zona e Konispolit ka ardhur në rritje gjatë tre viteve të fundit, duke filluar me 1.100 ton eksporte nga 10.000 ton prodhim në vitin 2014 dhe duke arritur në 5.560 ton eksporte nga 16.000 ton prodhim në sezonin e fundit.

Sipas informacionit mbledhur nga specialistët e agrumeve të AAC-Lushnja, shitja e agrumeve të këtij sezoni direkt nga Konispoli me destinacion tregjet e eksportit ka mbetur në pozita të forta me më shumë se një të tretën e prodhimit të përgjithshëm prej 16 000 ton. Sipas këtyre të dhënave janë eksportuar në Kosovë 5 400 ton, Maqedoni 100 ton, Poloni 40 ton, dhe Republikë Çeke 20 ton. Megjithatë, eksportet e agrumeve janë më të larta, pasi ka pasur raste, kur shitjet kanë ndodhur nëpërmjet ndërmjetësve.

Sipas të dhënave të fundit, Shqipëria po eksporton çdo ditë minimalisht 75 – 80 ton mandarina drejt Kosovës dhe të paktën 100 ton drejt tregut të brendshëm.

Duke funksionuar si qendër grumbullimi e shpërndarjeje, Xarra ka vënë në funksion të mandarinës “së saj”, rreth 800 hektarë tokë, ku janë mbjellë 450 mijë pemë. Prodhimi arrin deri në 16 mijë ton prej tyre. Ndërkohë që kujdesen për mandarinën, Xarra siguron punë periodike edhe për rreth 400 punëtorë, që vijnë edhe nga qytete të tjera si Berati, Fieri, Lushnja, Librazhdi etj, të cilët arrijnë të përfitojnë 1500-2000 lekë të reja në ditë.

Për AgroWeb.org, biznesmeni i mirënjohur i Xarrës, Dhimitër Kote është shprehur se “8 mijë ton nga prodhimi ynë shkon për furnizimin e tregut të brendshëm, 8 mijë ton për në Kosovë dhe rreth 1 mijë ton në Maqedoni. Këtë vit tentuam edhe Poloninë dhe besoj se shumë shpejt, ky shtet do të tërheqë deri në 4500 ton prej nesh”.

Pozita të forta kanë ruajtur edhe prodhuesit dhe kondoliduesit e perimeve që kanë shitur produktet e tyre në tregjet e eksportit. Të dhënat e mbledhura nga AAC-Lushnja, një organizatë zbatuese e projekteve të USAID në Shqipëri, tregojnë se 290 transaksionet me një vëllim prej 5,570 ton domate, kastravec dhe spec me një vlerë të përgjithshme prej 2,064,800 USD janë shitur në tregjet të tilla si: Greqia, Rumania, Serbia, Kosova dhe vende të tjera në sasi të vogla (Lituania, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia dhe Mali i Zi).

Prodhimet bujqësore shqiptare vazhdojnë të konkurrojnë në tregun rajonal por dhe më gjerë, duke shënuar edhe rritjen më të madhe të eksporteve gjatë vitit të kaluar.
Sipas statistikave zyrtare, të cilave i referohet agjencia e lajmeve Atsh, eksportet bujqësore u rritën gjatë 11 mujorit 2016 me 22 për qind krahasuar me një vit më parë.

Mbështetur nga investime të reja në përmirësimin e infrastrukturës bujqësore, si dhe subvencionet në rritje adresuar fermerëve, prodhimi bujqësor vendas jo vetëm që po mban të mbushura tregjet e vendit, me produkte të ndryshme, por madje edhe eksportet bujqesore shqiptare po konsolidojnë rritjen progresive.

Ekspertët e bujqësisë shprehen se, eksportet e frutave dhe perimeve po dyfishojnë vlerën e përfituar në ekonominë shqiptare nga viti në vit.

Ato kryesojne në tregjet kosovare, por edhe në vende si Serbi, Bullgari, Mal i Zi etj.

Eksportet jane dominuar kryesisht nga perimet por edhe nga perimet e hershme që kultivohen në sera.Investimet dhe rritja e prodhimit bujqesor vendas po gjeneron rritjen e eksporteve, duke rritur te ardhurat ne buxhetin e shtetit por edhe ne ekonomitë e familjeve fermere./AgroWeb.org