Alarm “ Kolonitë e Bletëve Drejt Zhdukjes

700 0

“Nëse bletët do të zhdukeshin, pas katër vjetësh do të vinte fundi i gjithë njerëzimit” thotë një shprehje që i atribuohet Albert Einstein-it. Shkencëtarët as nuk e vënë në dyshim fatin e errët të njerëzimit, nëse bletët do të vdisnin. Deri më tani humbjet alarmante të kolonive të bletëve janë konsideruar shpesh si një katastrofë e heshtur për njerëzimin. Në vitet 2000, ekspertët vunë re një ulje të ndjeshme të zgjojeve dhe reduktim të numrit të bletëve në Europë, me 20%. Humbjet e regjistruara të kolonive të bletëve për 2014 ne SHBA ishin 23 përqind, 7 pikë më pak se mesatarja 2005-2013. Këto humbje ndodhën për shkak të një parazitik aziatik që u quajt edhe vrasësi më i madh i bletëve. Më pas, në katër muajt e parë të vitit 2015, humbjet ishin më të mëdha, deri në 40%.

Situata e bletëve në Shqipëri dhe rajon

Në një intervistë në lidhje me situatën e bletëve në Shqipëri, specialisti i rritjes së bletëve, dr. Agim Nelaj tha se Bleta ka “armiq tradicional”, ata janë të njohur, por njeriu “dikur mik” po e vë në pikëpyetje zhvillimin normal të bletëve. Vitet e fundit kanë sjellë një situatë të vështirë për bletët. Është e qartë se bletarët po përballen me sfida serioze, që lidhen me përhapjen e sëmundjeve të ndryshme infektive dhe parazitare. Këto, së bashku me ndryshimet klimatike me zhvillimin e një bujqësie “të pastër” e të ngarkuar me pesticide, si dhe me kultivimin e monokulturave, kanë pasoja në zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Në dallim nga gjallesat e tjera, bleta ka veçori që e bëjnë atë më të vështirë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve.”

Në Shqipëri në vitin 1938 kishte 48,299 koshere nga të cilat vetëm 480 ishin moderne, pjesa tjetër ishin koshere primitive si kosha, trungje etj. Gjatë luftës së dytë botërore u dëmtuan rreth 14 mijë koshere dhe kjo solli një përkeqësim të bletarisë në ato vite. Pas Çlirimit, u rrit vëmëndja ndaj sektorit të bletarisë. Në fund të vitit 1960 numri i familjeve të bletëve dhe i zgjojeve moderne arriti në 87.400, megjithse prodhimi mesatar i mjaltit për zgjua ishte i ulët, shkonte afërsisht 5.6 kg. Në vitin 2012 numri i familjeve të bletëve në Shqipëri arriti në 239.000. Edhe në Shqipëri, bletët janë përballur me shumë problem, viruse, baktere që kanë ulur rezistencën e tyre. Bletarët Shqiptarë kanë vënë re gjithashtu fenomene të zhdukjes së papritur të kolonive gjatë vëzhgimeve në vitin 2013.

Probleme ka edhe në rajon. Në vitin 2011 Shoqatat e bletarisë në komunën e Dibrës në Maqedoni raportuan një humbje prej 50 përqind nga kolonitë e bletëve. Ndërkohë Italia ka ndërmarrë një projekt ambicioz, që synon regjistrimin e zgjojeve në të gjithë vendin, që do të jetë një hap përpara për bletarinë, por edhe për shëndetin e konsumatorëve, sepse do të rritet mundësia për ta kontrolluar origjinën e mjaltit, cilësinë e produkteve të ndryshme, por edhe sëmundjet që prekin bletët.

Përse janë të rëndësishme bletët?

Me vetëdije apo jo, njeriu mendon që është i përjetshëm dhe i pavdekshëm. E vërteta është që ekzistenca e njeriut dhe mirëqenia e tij janë në varësi të disa ekosistemeve dhe funksioneve të natyrës, siç janë kontrolli i insekteve, pjalmimi, pastrimi i ujit etj. Këto shërbime, njeriu i merr për të mirëqëna, për fat të keq. Bletët janë pjesë e zinxhirit ushqimor, ku bën pjesë edhe njeriu. Ato janë shumë të rëndësishme dhe jo vetëm për mjaltin, vlerat e të cilit janë të pamohueshme dhe të pakrahasueshme. Bletët kanë rol themelor për pjalmimin (polenizimin) e luleve.

Ato ofrojnë një shërbim kyç në ruajtjen e biodiversitetit, florës dhe ekosistemit. Nëse bletët nuk do të shkonin lule më lule, atëherë pjalmimi duhet bërë me mjete të tjera, të cilat jo vetëm janë të kushtueshme por nuk kanë të njëjtin efikasitet. Ekspertët thonë njëzëri që nëse bletët do të zhdukeshin, njerëzimi do të përballej me dëme zinxhir në prodhimin e frutave e perimeve por edhe në blegtori dhe në ekonomi, sidomos po të kihet parasysh që vlera financiare e pjalmimit arriti në 265 miliardë dollarë në vitin 2012. Thënë shkurt, nëse nuk ka bletë, nuk ka ushqim, ose edhe nëse ka do të jetë i tjetërsuar dhe më i shtrenjtë.
Një raport i Greenpeace i titulluar “Bees in Decline", shpjegon që pa bletën një e treta e të lashtave në botë do të pjalmohej me mjete të tjera. Kjo do të çonte në rënien e prodhimit me 75% që do të thotë njerëzimi do të kishte shumë më pak ushqim. Mungesa e pjalmimit do të thotë që njerëzit do të kishin më pak fruta, perime, djath, kos, mish, domate, luleshtrydhe apo mollë. Perimet më pak të rrezikuara janë lakra, karrotat dhe patatet.

Ndryshimet klimatike dhe temperaturat e larta po pengojnë mbijetesën e bletëve

Çfarë ka çuar në zhdukjen e bletëve?

Ekspertët kanë identifikuar një sërë faktorësh që kanë çuar në kolapsin e bletëve. 

  • Mungesa në cilësinë e të ushqyerit. Bletët nuk gëzojnë më një larmi të nektarit dhe polenit nga burime spontane, e si rrjedhojë niveli i stresit për këto krijesa është shumë i lartë.
  • Pesticidet, kanë pasoja të mëdha në kolapsin e bletëve. Pesticidet përdorën për të zhdukur mikrobet. Më të rrezikshme për bletët janë ato me bazë nikotinën siç është edhe neonicotinoids. Një pesticid i tillë, është i njohur për ndikimin e tij tek insektet në mënyra të ngjashme me simptomat e kolapsit.
  • Mungesa e biodiversitetit gjenetik. Pothuajse të gjitha bletët punëtore, rrjedhin nga mbretëresha të racave të ndryshme. Por me zhdukjen e kolonive kjo larmi gjenetike degradon.
  • Toksina dhe helme në mjedis. Ekspozimi i bletëve në mjedise me nivel të lartë toksinash dhe helmesh është gjithashtu një faktor në zhdukjen e kolonive.
  • Rrezatimi elektromagnetik. Kjo teori është diskutuar gjerësisht. Raportimi i teorisë së telefonave celularë mund të jetë një arsye pas zhdukjes së bletëve.
  • Rritja e temperaturave globale shkakton një reaksion zinxhir dhe limiton habitatet e bletëve.

OKB: Zhdukja e bletëve do të shkatërrojë furnizimin global me ushqim

Raporti më i fundit i Kombeve të Bashkuara nënvizon pasojat e tmerrshme në zinxhirin ushqimor nëse trendi shqetësues i zhdukjes së bletëve vazhdon me këto ritme alarmuese. Vdekja e këtyre krijesave po rrezikon gjithnjë e më shumë të lashtat globale me vlerë miliarda dollarëshe. Shkencëtarët e OKB-së zbuluan që dy nga pesë speciet e pjalmuesve globalë (kryesisht bletët, por edhe fluturat dhe insekte të tjera) janë pranë zhdukjes, së bashku me disa specie zogjsh. Arsyet sipas OKB-së janë të shumta: përdorimi i pesticideve, ngrohja globale, sëmundjet, humbja e habitateve të shkaktuara nga shpyllëzimi, zgjerimi urban apo edhe bujqësia moderne. Për shkencëtarët e OKB-së, duhet të hidhen disa hapa të thjeshtë për të ndihmuar bletët, si përshembull mbjellja e sa më shumë drithërave dhe jo limitimi në mbjelljen e misrit dhe sojës si edhe përdorimi sa më pak i kimikateve.

Ngrohja globale dhe bletët

Ndryshimet klimatike dhe temperaturat e larta po pengojnë mbijetesën e bletëve. Bletët detyrohen të qëndrojnë në një habitat dhe e kanë të pamundur të shtegtojnë e të përshtaten me një të ri. Një studim mbi impaktin e ndryshimeve klimatike tek bletët shpreh shqetësim mbi faktin që bletët e kanë të pamundur të kolonizojnë zona të reja në planet. Bletët e kanë më të vështirë se çdo krijesë tjetër për të ngrejtur një strehë në një mjedis të ri që fatkeqësisht ndryshon gjithnjë për shkak të ngrohjes globale.

Çfarë masash mund të ndërmerren për të mbrojtur bletët?

Shumica e helmimeve të mëdha ndodhin kur bimët janë në lulëzim. Gjithsesi, bletët mund t’i mbrojmë me këto mënyra:

  • Duke përdorur pesticide vetëm kur është e nevojshme.
  • Duke mos përdorur pesticide ndërsa bimët janë në lulëzim.
  • Duke i përdorur insekticidet vetëm kur bimët ose lulet janë në fazën e lulëzimit ose vetëm pasi petalet kanë rënë.
  • Duke i përdorur pesticidet kur bletët nuk janë në pikun e fluturimit (bletët e arrijnë kulmin e fluturimit kur temperatura e ajrit është mbi 13-15°C. Janë më aktive nga ora 8:00-17:00.
  • Duke i bërë spërkatjet pasdite, kur puna e bletëve bie ndjeshëm, mundësisht para mbrëmjes (gjatë natës pjesërisht kimikatet zbërthehen).
  • Duke mbrojtur ujin nga ndotja. Bletët kanë nevojë për sasi të bollshme uji, për ftohjen e zgjoit, ushqimin e pjelljeve etj.
  • Në varësi të rrethanave, përdoruesi i kimikateve mund të zgjedhë përbërës dhe dozë më pak helmuese.
  • Insekticidet e reja (të mikrokapsuluara) janë shumë më tepër helmuese për bletët se çdo përbërës tjetër deri më tani
  • Përdorimet në formë pluhuri janë më të rrezikshëm sesa përbërësit e lëngshëm.

Herën tjetër kur të shohësh një bletë, mos harro që t’i thuash ‘Faleminderit’ sepse shumicën e ushqimit që konsumon e ke prej saj./AgroWeb.org/