Shqipëria është një nga vendet më mahnitëse të Evropës…sigurisht derisa rrugët të bëhen, shkruante një prej turistëve, i mrekulluar nga bukuritë e virgjëra të Shqipërisë. E në fakt, edhe pse shpesh është etiketuar si një vend që ‘Koha e ka harruar’ siç thoshte Adrian Anthony Gill në artikullin e tij të shumëpërfolur në The Sunday Times, Shqipëria mbetet një parajsë mbi tokë pikërisht për vendet e virgjëra e të pashkelura, siç janë edhe Bjeshkët.
Në këtë optikë vjen edhe artikulli më i fundit i botuar në Reporter.al ‘Alpet Shqiptare i ofrojnë turistëve eksperiencën e madhështisë së izoluar’, ku gazetarja Fatjona Mejdini sjell shqetësimin se peizazhet e jashtëzakonshme të Thethit dhe Alpeve mund të humbasin madhëshinë mistike pikërisht si pasojë e modernizimit.
‘Më tepër se një shekull më parë, udhëtarja, shkrimtarja dhe antropologia britanike Edith Durham shkroi se fshatrat e vegjël në Alpet Shqiptare ekzistonin në “izolim magjepsës nga bota”, shkruan reporter.al në hyrje të artikullit, duke shtuar se:
‘Sot, izolimi është avantazhi më i madh i këtyre fshatrave. Gjatë viteve të fundit, vendasit kanë filluar të krijojnë një model unik turizmi larg nga rregullat e ashpra të shtetit, të ndihmuar nga vendndodhja gjeografike dhe historia e pasur.
Në Shqipërinë moderne, këto fshatra të vogla në Alpe janë ende të vështira për t’u arritur. Për të shkuar në fshatin Theth, që konsiderohet si perla e Alpeve, ju duhet të udhëtoni me makinë drejt qyteti verior të Shkodrës për 50 kilometra deri në fshatin Bogë, dhe pastaj do të merrni 20 kilometra të tjera rrugë të pashtruar dhe me raste të rrezikshme.
Kjo e bëri turizmin në zonë të mundshëm vetëm gjatë muajve të verës, duke e lënë Thethin dhe panoramat e tij të mrekullueshme me një petk misteri.
Biznese familjare
Fran Berishta, një banor 61-vjeçar i Thethit, gruaja e tij dhe tre djemtë janë shumë të zënë gjatë muajve të verës. Pesë vite më parë ata vendosën të përdorin një pjesë të shtëpisë për të akomoduar turistët. Tani pas disa shtesash, ndërtesa është transformuar në një shtëpi që mund të presë 36 persona.
“Ne kemi më tepër kërkesa se kaq gjatë muajve të verës. Çdo ditë jemi të pronotuar dhe numri i turistëve po rritet çdo vit. Refuzojmë të paktën 10 persona në ditë, por përpiqemi t’i gjejmë një vend në shtëpitë e tjera të fshatit,” tha për BIRN Berishta.
Gruaja e tij gatuan pjata tradicionale, ndërsa ai përgatit mishin dhe djemtë e tij i shërbejnë turistëve dhe menaxhojnë dhomat.
Bizneset familjare janë zemra e turizmit në Alpe. Në Theth dhe në rrethinat e tij, numri i shtëpive të ndërtuara me gur ose dru për të pritur turistë ka arritur tashmë 40.
Berishta beson se një nga tërheqjet më të mëdha që i bën turistët të kthehen në Theth – përveç bukurisë natyrore të maleve të thikta – është ushqimi i freskët dhe organik dhe ajo që ai e përshkroi si “mikpritja shqiptare”.
“Ne e bëjmë çdo pjatë me produkte nga kopshti ynë dhe gjithashtu i ofrojmë turistëve një atmosferë të ngrohtë që i bën ata të ndihen si në shtëpi,” shpjegoi ai.
Njerëzit që vijnë nga Europa përbëjnë shumicën e turistëve që vizitojnë Thethin, ndërsa 60 për qind e të akomoduarve që rrinë në familjen Berishta janë të huaj. Shumica e tyre vijnë nga Gjermania, Holanda dhe Franca.
Por ndërtimi i shtëpive për akomodim të të ftuarve nuk është e vetmja mënyrë se si banorë e zonës po përfitojnë nga bukuria e vendit të tyre, turet për ngjitjet në mal dhe nëpër shkëmbinj janë gjithashtu mjaft të kërkuara.
Për vendasit, shqetësimi kryesor mbetet rruga e pashtruar.
“Mund ta dyfishoj numrin e dhomave dhe ta mbaj shtëpinë të hapur gjatë gjithë vitit nëse qeveria vendos të hapë rrugën dhe të krijojë lehtësi të tjera infrastrukturore për ne,” tha Berishta.
Por infrastruktura e mirë do t’i bënte Alpet një destinacion të madh turistik dhe vizitorët e sotëm mund të mos e pëlqejnë këtë.
Peter nga Gjermania dhe gruaja e tij, të cilët e kanë vizituar Thethin prej vitesh, druhen se infrastruktura moderne mund të ketë gjithashtu një efekt negativ në mjedisin e paprekur të Alpeve.
“Ne ishim në Sarandë gjashtë vite më parë dhe ishte perfekte. U rikthyem këtë vit dhe ndërtesat e mbira gjithandej e bënë qëndrimin tonë atje të pamundur. Alpet janë ende në gjendje natyrore dhe qeveria shqiptare duhet të ketë kujdes të gjejë një formulë për ta ruajtur në gjendjen natyrore,” tha Peter për BIRN.
Një tjetër arsye përse modernizimi mund të mos i sjellë përfitime zonës është për shkak se turistët zgjedhin të qëndrojnë këtu sepse kanë akses të kufizuar në celular dhe nuk ka internet.
Peizazhe të mrekullueshme
Alpet Shqiptare gjithashtu i ofrojnë shumë gjëra turistëve që pëlqejnë ngjitjen. Vetëm Thethi është i rrethuar nga tetë maja të larta që lidhen me Luginën e Valbonës, por edhe me vargmalet në Kosovë dhe Malin e Zi.
Pak kilometra larg Thethit ndodhet Jezerca, një nga pikat më të larta të Ballkanit në 2694 metra.
Përveç ecjes dhe ngjitjes, parqet kombëtare të Thethit ofrojnë dhjetëra peizazhe tërheqëse, duke filluar nga ujërava në Grunas, ‘syri i katër’ i formuar nga ujërat malorë në Kaprre, liqenet dhe kanionet.
Përveç kësaj, vendasit kanë edhe histori për t’i treguar vizitorëve.
Zona e Thethit jetonte sipas rregullave të Kanunit të Lek Dukagjinit, i cili është i njohur për gjakmarrjen.
Sot, Sokol Koceku, një 42-vjeçar nga Thethi, ndihet me fat që ka trashëguar një kullë që shërbente si ‘gjykatë’ në atë kohë kur ligjet e Kanunit qeverisnin zonën.
Është e njohur si një kullë mbrojtëse dhe u ndërtua katër shekuj më parë, një vend që ofronte mbrojtje ndaj fajtorëve për një krim derisa pleqtë e zonës të vendosnin se si do të gjykoheshin.
Tani vizitorët paguajnë nga një euro për të hyrë në kullë dhe Sokoli i flet rreth historisë dhe kohës kur Kanuni qeveriste njerëzit e zonës.
“Kanuni nuk ekziston më, por ne mund të tregojmë historitë e tij turistëve. Jam i lumtur që paraardhësit e mi nuk ranë kurrë dakord ta shisnin kullën dhe është detyra ime ta mbaj të hapur për publikun. Interesi është shumë i lartë,” tha për BIRN Sokoli.
Ai thekson se paratë nga tarifa e hyrjes do të investohen në rikonstruktimin e kullës.
Ndërkohë, një bar i vogël në oborrin e kullës i ofron turistëve kafe dhe pije freskuese dhe vitin tjetër Sokoli dhe vëllai i tij planifikojnë ta zgjerojnë atë duke e kthyer në një restorant.
*Ky artikull është publikuar fillimisht në Reporter.al dhe është përshtatur nga AgroWeb
http://www.reporter.al/alpet-shqiptare-i-ofrojne-turisteve-eksperiencen-e-madheshtise-se-izoluar/