Asnjë Çudi – Shalqini i Verdhë është tip i ri në Shqipëri

583 0

Tradicionalisht tulin e frutit të shalqinit e kemi ndeshur të kuq, por tashmë duhet të mësohemi edhe me surprizën e re.

Hap një shalqi njëlloj të gjelbër nga jashtë dhe brenda të del i verdhë.

Deri tani jemi mjaftuar me tulin e flaktë që na ka ngacmuar qiellzën, por kemi harruar një detaj: shalqini i kuq ka një vëlla… atë të verdhin.

Shalqini i verdhë dhe ai i kuq janë të dy prodhime shumë të shijshme.

Shalqini tul verdhë në shije është më i ëmbël dhe ka një shije të ngjshme me mjaltin.

Dëshira për t’iu përshtatur kërkesave dhe trendeve globale të eksportit u transformua në shtysë e fortë për disa fermerë vendas, të cilët investuan në mbjelljen e disa kulturave eksperimentale për Shqipërinë siç është shalqini i verdhë.

Të shumtë janë ata që ngrenë zërin duke e përshkruar këtë frut si subjekt të një modifikimi gjenetik ose edhe mashtrim të lig nga ana e fermerëve.

E vërteta e pamohueshme është që nuk bëhet fjalë as për produkte të modifikuara gjenetikisht as për mashtrime. Bëhet fjalë për një hyrje të re në treg.

Vlerat ushqyese të këtij fruti

Shalqini i verdhë është një produkt i shëndetshëm por ai ndryshon në vlera ushqyese nga shalqini i kuq.

Ky i fundit është burim i pasur i likopenit. Ndërsa shalqini i verdhë është një burim i pasur i beta karotenit.

Të dy këto elementë janë karotenoidë të vitaminës A që gjenden tek bimët.

Trupi është në gjëndje të transformojë beta karotenin në vitaminë A, por e ka të pamundur me likopenin.

Beta karoteni dhe likopeni janë antioksidantë dhe si të tillë, ofrojnë mbrojtje kundër qelizave të dëmshme dhe sëmundjeve të syve.

Shalqini i verdhë është një burim fantastik i vitaminës A dhe asaj C.

Nëse e konsumoni, keni plotësuar 21 përqind të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C dhe 5 përqind të kaliumit.

Vitamina C është e domosdoshme për riparimin e lëkurës dhe enëve të gjakut por edhe të plagëve dhe lëndimeve.

Vitamina A ndihmon në tretjen e yndyrnave që ndihmon sistemin imunitar dhe shëndetin e syve.

Kaliumi nga ana tjetër është një mineral që ndihmon në akumulimin e proteinave dhe ruajtjes së një ekuilibri acidik në trup.

Shumica e kalorive që gjenden tek shalqini i verdhë vijnë nga karbohidratet që përmban ai.

Një filxhan me copëza shalqini të verdhë përmban 12 gramë karbohidrate dhe një gram proteinë.

Karbohidratet janë burimi kryesor dhe më i preferuar i organizmit për energji.

Shumica e karbohidrateve vijnë në formën e sheqerit, por tek shalqini i vedhë ato janë një burim i shëndetshëm për shkak të fibrave, vitaminave dhe mineraleve që ai përmban.

Në gatime

Nëse jeni në kërkim të mënyrave të reja për të përditësuar sallatën tuaj të preferuar të frutave, atëherë shtoni shalqinin e verdhë.

Është shumë më i ëmbël se kundërshtari i tij i kuq, por njësoj lëngplotë dhe i aftë të shuajë etjen më të flaktë.

Shalqinin e verdhë e gjeni me dhe pa fara.

Kubikët e verdhë jo vetëm që i japin dritë sallatave të ëmbla, por ushqyesit që gjenden tek ai mbrojnë organizmin tuaj nga sëmundjet. /AgroWeb.org