Bashkimi Ekonomik, Kosova nis heqjen e Tarifave për Eksportet nga Shqipëria

329 0

Është quajtur bashkim ekonomik madje shpesh edhe tregti patriotike. E nëse ka një bashkim real të Shqipërisë me Kosovën, nëse flitet për heqje të kufijve, vlen të jetë heqje e kufijve doganorë. Është folur shumë mbi politikat lehtësuese të shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve që flasin të njëjtën gjuhë, por jo të njëjtën gjuhë ekonomike.

Ishte 11 janar 2014, kur në Prizren dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë organizuar një mbledhje të përbashkët me sfond dy-flamujsh por për një-politikë bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik.

Pikërisht nga Prizreni vjen lajmi më i freskët pozitiv; Në terminalet doganore të Kosovës nuk do të paguhet asnjë tarifë për eksportet e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, ndërsa autoritetet qeveritare të Kosovës po punojnë edhe për rishikimin e shpenzimeve të transportit të sipërmarrjeve të dy vendeve, për t’i unifikuar ato dhe për të krijuar një klimë favorizuese biznesi. Lajmi bëhet ditur nga Ministritë e Financave të dy vendeve

Në një takim të zhvilluar në Prizren mes dy Ministrave të Financave, janë analizuar me detaje angazhimet e marra dhe arritjet e shënuara. Është vlerësuar përpjekja për unifikimin e dokumentacionit dhe të procedurave doganore dhe është kërkuar që ato të jenë të njëjta në të dy anët e kufirit dhe të orientuara drejt standardeve të Bashkimit Evropian.

Çfarë është tarifa e terminalit?

Këshilltari i Ministrit të Financave, Z. Bardhi Sejdarasi, shpjegon për agroweb se bëhet fjalë për heqjen e një tarife prej 40 euro që eksportuesit shqiptarë paguanin në terminalet doganore të Kosovës. Më shumë se vlera monetare, e rëndësishme është lehtësimi i procedurave që mesa duket është në rrugë të mbarë.

Z.Sejdarasi shpjegon se në takimin mes Ministrave u diskutua edhe lidhur me harmonizimin e procedurave tatimore e deri tek përvoja shqiptare për kompensimin e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 20 % të fermerëve.

Veçanërisht unifikimi i certifikatave që shoqërojnë produktet e shërbimet e sipërmarrjeve të dy anëve të kufirit u vlerësua si një çështje që kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe kjo ishte dakortësi e të dy palëve në takim.

Ministrat e Financave të dy vendeve ranë dakord për takimin e afërm të rradhës që do të mbahet në fund të muajit shtator, ku do të firmosen zgjidhjet e ofruara nga grupi i përbashkët i punës.

Pas takimit, Ministri i Financave të Republikës së Kosovës, Abdulla Hoti shprehet optimist: Në fakt jemi duke punuar që të eliminojmë komplet këtë kufi dhe u dakorduam për një plan të punës për 3 muajt e ardhshëm dhe besojmë që në fund të shtatorit do të takohemi prapë për të eleminuar të gjitha pengesat që janë në mes dy vendeve tona sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Ne po lëvizim shpejt me hapa të mëdhenj, konkret dhe praktik drejt unifikimit të plotë të dy ekonomive si hap i parë drejtë i integrimit të plotë të dy vendeve në tregun e përbashkët të Bashkësisë Evropiane”

Duke ndarë të njëjtin qëndrim, Ministri i Financave të Shqipërisë, Shkëlqim Cani theksoi se: “Objektivi ynë final është që të mos ketë asnjë barrierë dhe asnjë kufizim në mënyrë që shqiptari i Kosovës apo i Shqipërisë ta ndjejë veten në Kosovë apo Shqipëri njëlloj, për nga aspekti fiskal. Kjo është detyra e jona dhe këtë detyrë, me bindje të plotë, me dëshirën më të madhe dhe me vullnetin e plotë, do ta përmbushim në një kohë sa më të shkurtër.”

Tarifa e terminalit – nga protestat e eksportuesve tek tarifa zero

Gusht 2013. Pothuaj dy vjet më parë, eksportuesit shqiptarë protestonin në pikat doganore në Prizren. Arsyeja kryesore e protestës ishin tarifat e vendosura ndër të cilat tarifa prej 40 eurove për çdo ditë qëndrimi në doganë deri në përfundim të zhdoganimit, të cilën duhet që ta paguante çdo drejtues automjeti, i tonazhit të rëndë, i cili transporton mallra nga Shqipëria në Kosovë (link).

Shtator 2013. Pas protestave të vazhdueshme, vendosen procedura të përshpejtuara e si pasojë hiqet edhe tarifa prej 40 eurosh për qëndrimin e kamionëve të eksportit në terminal.

Mars 2014. Tarifa e terminalit rikthehet, Kjo gjë nuk është pritur mirë nga drejtuesit e firmave shqiptare, të cilët kanë urdhëruar drejtuesit të kamionëve që transportojnë mallra drejt Kosovës të ndalojnë në pikën kufitarë të Morinit. Sipas tyre taksa prej 40 eurosh është ndër më të lartat në Evropë dhe kërkojnë heqjen e saj pasi në të kundërt do përshkallëzojnë protestat.

Korrik 2015. Në Prizren Ministrat e Financës së të dy vendeve vendosin për heqjen e tarifës së terminalit. për eksportet e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, ndërsa autoritetet qeveritare të Kosovës po punojnë edhe për rishikimin e shpenzimeve të transportit të sipërmarrjeve të të dy vendeve

Eksportet me Kosovën 60 % rritje

Eksportet e Shqipërisë me Kosovën kanë pësuar rritje të konsiderueshme, referuar shifrave të publikuara së fundmi nga INSTAT (link). Në raportin e tregtisë së jashtme Janar-Maj vihet re një rritje eksporteve me 61% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke kapur një shifër prej rreth 9,8 miliard lekë krahasuar me rreth 6 miliard që ishte ne Janar-Maj 2014.

                                                                          Të dhënat nga INSTAT

Eksportet, në Maj 2015 krahasuar me një vit më parë, drejt Kosovës janë rritur duke zënë 11,3 % të eksporteve gjithsej, referuar INSTAT.

E ndërsa për hyrjen në fuqi të heqjes së tarifës së terminalit pritet zbardhja e vendimit nga Ministria e Financave të Kosovës, dy ministrat parashikojnë një tjetër takim në Shtator. Bashkimi ekonomik mes vetes sapo ka nisur, si një ogur i mirë në rrugëtimin drejt bashkimit të Tiranës e Prishtinës me Brukselin.