BE me sytë nga bujqësia shqiptare: 71 milionë Euro fonde

455 0

Shpesh bujqësia është parë si ai nxënësi që rri në fund të klasës e që rrallë i dëgjohet zëri. Por ndodh edhe që nxënësi i urtë në fund t’i habisë të gjithë. Duke dalë i pari i klasës. Ky mund të jetë dhe fati i bujqësisë shqiptare. Edhe sepse Bashkimi Evropian e sheh si sektorin më me potencial dhe si motorrin kryesor të zhvillimit ekonomik të vendit.

Dhe për ta vërtetuar këtë, BE për katër vitet e ardhshme do t’i japë sektorit bujqësor 71 million euro fonde, ndërsa së bashku me bashkë-financimin kombëtar dhe kontributin e sektorit privat shifra totale e investimeve në bujqësi do të arrijë në 180 milionë Euro deri në vitin 2020.

“Këto janë para të vërteta që i shkojnë prodhimit dhe përpunimit bujqësor”, tha Shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe i Informacionit në Delegacionin e BE-së Jan Rudolph në tryezën e rrumbullakët "Mbështetje për të ardhmen e bujqësisë shqiptare" të zhvilluar pak kohë më parë nga USAID dhe CBS.

Kjo mbështetje e gjerë e BE-së sipas Rudolph do të përmirësojë jetët e shumë njerëzve dhe do të përdoret për ta çuar më tej vendin përpara, si dhe për ta ngritur më në fund në një nivel të ri.
Sektori bujqësor shihet si tejet i rëndësishëm nga BE për zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri dhe do të ketë një vend të veçantë në negociatat e ardhshme të zgjerimit. Sektori punëson rreth 50% të forcës së punës në Shqipëri dhe përbën gati 20% të PBB-së së vendit.

“Po, në fakt, sektori bujqësor është me rëndësi shumë të madhe në Shqipëri dhe unë jam krenar të them se BE-ja e ka mbështetur atë që në fillim të viteve ‘90. BE është donatori më i madh në bujqësi, në zhvillimin rural, në veterinari, në sigurinë e ushqimit dhe peshkim”, është shprehur më herët në një intervistë për Agroweb, Yngve Ensgtrom, përfaqësues i nivelit të lartë të BE-së në Shqipëri.

Në terma praktikë zbatimi i granteve “IPARD-like” të BE nënkupton futjen e teknologjisë dhe teknikave moderne me prodhuesit dhe përpunuesit bujqësorë që aplikojnë me projekte që përmbushin kërkesa më të rrepta dhe i sjellin më shumë vlerë të shtuar sektorit dhe shoqërisë; rritje të konkurrencës së sektorit të bujqësisë dhe përpunimit bujqësor.

“Në kontekstin e tri thirrjeve “IPARD-like” fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptarë paraqitën 255 aplikime gjithsej me një investim total të aplikuar prej 46 milionë Euro dhe një grant /total të aplikuar prej 24 milionë Euro. Kjo tregon kërkesën e lartë për investime kapitale në sektorin agro-bujqësor, si dhe interesin e madh të fermerëve për skemën e granteve “IPARD-like”. Janë nënshkruar gjithsej 88 kontrata për një kontribut total të BE-së prej 6 milionë Euro. Këto janë para të vërteta që i shkojnë prodhimit dhe përpunimit bujqësor”, është shprehur Engstrom për Agroweb.

Ai nuk harruar të verë theksin dhe tek bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat, në mënyrë të veçantë me atë bankar. Bankat, sipas Engstrom nuk duhet të ulen mbi paratë e tyre. Kreditimi duhet të lehtësohet për këtë sektor, i cili është jetik për ekonominë.

“Në fakt puna me “ferma në ajër të hapur” dhe varësia nga kushtet klimaterike dhe të motit është thelbësore. Ja pse ne kemi vendosur të synojmë veçanërisht kreditë rurale përmes garancive dhe Fondi i Garancive të Kredive Rurale është ngritur përmes një projekti të BE-së të bashkëfinancuar nga autoritetet kombëtare. Ndaj, fermerët shqiptarë do të kenë ndërkaq mundësi të përfitojnë nga shërbimet e siguruara për garantimin e huave. Do të doja gjithashtu ta inkurajoja sektorin bujqësor që të përdorte mirë jo vetëm Fondin, por të gjitha mundësitë në kuadrin e programeve dhe të projekteve të BE-së”, tha Engstrom.

Por përveçse të japë Bashkimi Evropian pret që nga Shqipëria të shohë një sektor bujqësor që i përmbahet sigurisë së ushqimit dhe standardeve veterinare dhe fitosanitare, teksa bëhet konkurrues në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare

Që një sektor të jetë i sukesshëm në çdo vend dhe në mënyrë të veçantë në BE, kërkohet që të gjithë lojëtarët e zinxhirit të vlerave të bëhen bashkë. Pikërisht kjo kërkohet dhe nga Shqipëria.
Thjesht imagjinoni një treg të zhvilluar diku në një fshat të thellë në veri të Shqipërisë. I mbushur plot e përplot me tregëtarë që shesin domate, grurë, mollë majoshe gjithë aromë dhe një gamë të tërë me fruta perime. Po nga erdhën gjithë këto produkte? Nga e morën fermerët financimin për të blerë farat dhe fertilizuesin? Nga i morën fermerët teknikat e bujqësisë për të prodhuar produkte të cilësisë së lartë? Dhe si arritën t’i sjellin këto produkte nga ferma në treg?

Pikërisht përmes këtij zinxhiri të gjatë bashkëpunimi, që e bën fermerin të hapet ndaj një tregu më të madh dhe të zhvillohet. Koha kur fermeri rropatej në fushë duke punuar tokën me parmendë ka perënduar. Sot është koha e teknologjive dhe zhvillimit edhe për bujqësinë, që do të na sigurojë biletën drejt një ekonomie më të qëndrueshme drejt Bashkimit Evropian./Agroweb.org/