Bergamoti Fitimprurës – Më i Kërkuari në Botë, Prej Shekujsh në Shqipëri

901 0

Në botë cilësohet si thesari i artë i Kalabrisë, por rrënjët e tij janë të ngulura thellë në Shqipëri.

Shqipëria është e pasur në prodhimet e saj të fruta perimeve, jo vetëm në sasi por edhe në llojë të veçanta, deri tek ato më uniket në botë.

I tillë është rasti i një agrumeje krejt të panjohur, e cila ndonëse në një familje me limonat e portokallet ka disa karakteristika që e bëjnë të jetë ndër agrumet më të rralla në botë.

Bëhet fjalë për Bergamotin, agrumen me emrin botanik (Citrus Bergamia).

Ky frut përdoret më së shumti për lëngun e tij fantastik, në përgatitjen e reçelit apo glikosë ashtu si edhe për aromën e tij si përbërës i parfumeve dhe vajrave esencialë.

Sot, kjo agrume njihet si një frut i rrallë, i cili kultivohet vetëm në brigjet e Detit Jon, e konkretisht pranë provincës së Kalabrisë në Itali.

Aty prodhohet rreth 80 % e kësaj agrumeje në botë dhe Bergamoti aty është shndërruar në simbolin e gjithë zonës.

Një zonë e njohur kjo për praninë e komunitetit më të madh të shqiptarëve në Itali.

Dhe, ka një lidhje midis shqiptarëve që jetojnë aty dhe këtij fruti sa magjik aq edhe të çmuar në vlera.

Fruti i shumë kërkuar në botë prej shekujsh në Shqipëri

Në zonat e jugut të Shqipërisë, të spikatura për prodhimin e agrumeve, Bergamoti i cili prodhohet në gjendje të egër mblidhet nga banorët e zonës.

I njohur në dialekt edhe si pergamont, ai përgatitet nga amvisat si gliko dhe reçel, traditë e vjetër e kuzhinës së ëmbël shqiptare.

Dhurata Thanasi, administratore e dyqanit organik “Lugës së Argjentë” është ndër të paktat që ka në mesin e produkteve tipike shqiptare edhe glikonë dhe reçelin e Bergamotit.

Ajo tregon për AgroWeb.org një histori interesante mbi praninë e këtij prej shekujsh në Shqipëri dhe se si Kalabria e njohur sot për prodhimin e Bergamotit e ka fituar këtë famë dhe pasuri falë shqiptarëve që emigruan aty rreth 500 vite më parë.

“Vjen nga shqiptarët që janë larguar nga vendi pas vdekjes së Skënderbeut, kryesisht nga fshati Horr në afërsi të Vranishtit të Vlorës dhe Xarrë nga Konispoli.

Si prodhues të agrumeve që asaj kohe, shqiptarët që emigruan drejt Italisë dhe që krijuan aty komunitetin arbëresh morën me vete edhe farat e agrumeve që rrisnin në kopshtet e tyre, mes të cilave edhe Bergamoti.

Shqiptarët e parë që emigruan drejt Italisë, u vendosën në Spezzano Albanese, San Giorgo Albanese dhe me kalimin e kohës në gjithë Kalabrinë.

Ata nisën të merreshin me bujqësi duke kultivuar kulturat e sjella nga Shqipëria përfshirë edhe Bergamotin.

“Falë tyre, sot Kalabria njihet në botë si ndër të vetmet prodhuese të Bergamotit” shprehet Thanasi për AgroWeb.org.

Sot, për të mbrojtur reputacionin e prodhimit të Bergamotit, qeveria italiane ushtron kontrolle serioze përfshirë testimet e vazhdueshme për çertifikimin e kultivimit të kësaj argumeje në mënyrë organike.

Ndërkohë që në Shqipëri, Bergamoti i cili sot prodhohet në sasi të vogla përbën një potencial të fuqishëm për agrobiznesin.

Një Frut Fantastik Në Vlera

Si edhe të gjitha agrumet e tjera, Bergamoti është i pasur në vitamina dhe kripëra minerale.

Ai vlerësohet për vetitë e tij si antioksidant i fuqishëm.

Bergamoti ka tre varitete, në ngjyrë jeshile, të verdhë dhe portokalli të lehtë dhe konsiderohet si një ilaç natyral kundër nivelit të lartë të kolesterolit në gjak.

Gjithashtu lëngu i tij vlerësohet për efektet e forta që ka për largimin e toksinave në organizëm dhe lëngjeve helmuese./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.