BERZH dhe Intesa Sanpaolo bashkë në marrëveshjen e garantimit të kredive

342 0

Marrëveshjet për ndarjen e rriskut nënkuptojnë gjëra të ndryshme në kontekste të ndryshme. Në sistemin bankar, nënkuptojnë vetëm një gjë: lehtësim në financimin e bizneseve novatore të vogla e të mesme. Së fundmi Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që njihet për qasjen e saj ndaj rriskut të kalkuluar, ka nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e rriskut në vlerën e 10 milion Euro me Bankën Intesa Sanpaolo në Shqipëri.

Çka në terma jo teknikë do të thotë rritje e financimit të mesëm dhe afatgjatë për bizneset, që kanë perspektikë rritjeje në treg dhe që janë inovatorë duke përshirë këtu bizneset e vogla e të mesme në fushën e bujqësisë dhe të energjisë së rinovueshme.

Siç është dhe rasti i projektit të parë që përfitoi nga ky partneritet, ai i një shoqërie shqiptare të specializuar në sektorin e energjisë. Në mënyrë specifike fondet e kësaj kredie, e cila kap vlerën e 12 milion Euro, të akorduara nga Intesa Sanpaolo Bank Albania të shoqëruar me ndarjen e mbulimit të riskut për vlerën 6 milion Euro nga BERZH, do të përdoren për ndërtimin dhe zhvillimin e një fushe të gjelbër të shkrirjes së ferrokromit, e cila do të krijojë afro170 vende të reja pune.

Klientët e tjerë potencialë të cilët mund të përfitojnë nga këto mundësi financimi afatmesme dhe afatgjata janë kompanitë dhe shoqëritë private, biznese ekzistuese me një historik të mirë të provuar dhe një histori kredie të shëndetshme, si edhe kompanitë e reja (Start-Up) të cilat mbështeten nga investitorë me reputacion të lartë.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mbështetjen e ekonomisë reale dhe forcimin e shpirtit të sipërmarrjes në Shqipëri

Intesa Sanpaolo Bank Albania është aktualisht banka e parë që merr pjesë në ndarjen e mbulimit të riskut me BERZH-in nga vendet e Ballkanit Perëndimor me synimin që t’iu ofrojë mbështetje financiare SME’ve që kanë nevojë për investime dhe kanë qasje ndaj zhvillimit dhe aktiviteteve inovatore.

Duke komentuar mbi marrëveshjen Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Albania, Silvio Pedrazzi, theksoi rëndësinë e saj, si një mënyrë për të rritur investimet në sektorë të rëndësishëm si ai i bujqësisë dhe të energjisë së rinovueshme . “Duke operuar në ekonominë reale me qëllim kryesor mbështetjen e investitorëve vendas dhe të huaj, Banka, përmes investimeve në inovacion dhe teknologji, si edhe në sektorët tradicionalë e të qëndrueshëm si bujqësia dhe energjia e rinovueshme, pranon dhe njeh impaktin e madh pozitiv që kjo marrëveshje do të ketë drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta”, nënvizoi Pedrazzi.

Me këtë projekt Intesa Sanpaolo Bank Albania synon zgjerimin e portofolit të saj të kredive, hyrjen në segmentet ekonomike me rritje të lartë dhe mbështetjen e kompanive që operojnë në sektorë kompleksë dhe shumë të specializuar.

Ndarja e rriskut me BERZH-in është krijuar për të përmbushur nevojat financiare të kompanive të suksesshme private të mesme, që kanë nisur të zgjerojnë sektorin financiar të vendit. Bashkëfinancimi i BERZH shfaqet në format e pjesëmarrjes në mbulimin e riskut nga BERZH, në një pjesë të nënkredive të bankave në vend.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mbështetjen e ekonomisë reale dhe forcimin e shpirtit të sipërmarrjes në Shqipëri“, tha Christoph Denk, Drejtor i Zyrës së BERZH-it në Tiranë “Jemi të kënaqur të bashkëpunojmë me Intesa Sanpaolo për zgjerimin e mundësive për rritjen e sipërmarrjeve të biznesit te vogël dhe të mesëm në vend. Me anë të këtij produkti ne pasurojmë ofertën financiare në Shqipëri dhe ofrojmë një mënyrë të mirë të menaxhimit të përqendrimit të riskut dhe kapitalit”, u shpreh Denk.

Në kuadrin e ndarjes së mbulimit të riskut, BERZH po ofron garanci të pjesshme për kreditë afatmesme dhe afatgjata për bizneset e vogla dhe të mesme vendase me hapa të shpejtë rritjeje.