Biznesi Italian hedh sytë drejt bujqësisë shqiptare, serrat prioritet

363 0

Biznesi Italian i bën apel fermerëve shqiptarë t’i drejtohen investimeve bujqësore që shumëfishojnë rendimentin e prodhimit si edhe sigurinë ushqimore. Potencialet e zhvillimit të sektorit bujqësor në Shqipëri janë të mëdha, ashtu si mundësitë që po u ofrohen momentalisht fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare. Duket se këto janë kohët e tyre të arta. Vëmendja është përqëndruar në bujqësi; nga Qeveria shqiptare, Bashkimi Evropian dhe institucionet përgaqësuese të tij, nga organizatat financuese ndërkombëtare, bankat e institucionet financiare apo investitorët vendas e të huaj.

‘Carpe Diem’, thuhet në latinisht për ‘Kape Çastin’ dhe kjo ishte këshilla kryesore që iu dha të gjithë fermerëve dhe agropërpunuesve të ftuar në eventin me rreth 300 pjesëmarrës, të organizuar nga Banka Intesa SanPaolo Albania në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Dhomën Italiane të Tregëtisë dhe Ministrinë e Bujqësisë, ditën e Mërkurë, 22 Prill 2015.

Eventi i titulluar “Mbështesim Risitë në Agrobiznes” mblodhi aktorët kryesorë me ndikim në zhvillimin e sektorit bujqësor në vend. Z. Niko Peleshi, Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Z. Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Z. Massimo Gaiani Ambasador i Italisë në Shqipëri, Z. Silvio Pedrazzi Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, Z. Maurizio Zannier, President i Dhomës Italiane të Tregëtisë, përfaqësues të institucioneve donatore, fermerë, agrobiznese si dhe përfaqësues të kompanive teknologjike Italiane, folën mbi mundësitë konkrete të zhvillimit të bujqësisë në vendin tonë. Konferenca u fokusua në një tendencë të re investimesh në këtë sektor me potencial të shpejtë zhvillimi, serrat.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Silvio Pedrazzi gjatë fjalës së tij në konferencë ku theksoi se Intesa Sanpaolo Bank Albania ka krijuar produkte specifike për bujqësinë e për serrat në veçanti

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Silvio Pedrazzi theksoi se Intesa Sanpaolo Bank Albania duke ndjekur nga afër mundësitë e vendit për zhvillim ekonomik, e duke u përpjekur të jetë pranë nevojave të fermerëve ka krijuar produkte specifike për bujqësinë e për serrat në veçanti, meqenëse rendimenti i tyre është 4-5 herë më i lartë se ai i mënyrave tradicionale të kultivimit. ‘Potencial ka shumë dhe ky është momenti për ta shfrytëzuar këtë mundësi,’ tha Z. Pedrazzi. Ai u shpreh se ky event u konceptua në mënyrë të atillë që të mbledhë të gjitha palët e interesuara në financimet e investimeve, duke e kthyer bankën njëherazi edhe mbështetëse për gjetjen e furnitorëve të këtij sektori në Shqipëri dhe Itali.

Z. Massimo Gaiani, Ambasador i Italisë në Shqipëri theksoi rëndësinë e investimeve për përmirësimin e prodhimit në serra, nëpërmjet mekanizimit që do të rrisë gjithashtu dhe sigurinë ushqimore.

Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi vlerësoi rolin e bankave në lehtësimin e mundësive të financimit. Paketa inovative e fondeve të subvencioneve dhe produkteve të sistemit bankar që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së prodhiminit në bujqësi, i pozicionon bankat si agjentë të rëndësishëm theksoi Z. Peleshi.

Sfidë, rritja e sipërfaqes së serrave për të 5-fishuar ofertën e produkteve bujqësore në tregje

Z. Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, u shpreh se rritja e ofertës për produkte bujqësore në tregjet ndërkombëtare kërkon rritjen e sipërfaqes së kufizuar bujqësore, nëpërmjet shfrytëzimit maksimal të teknologjisë së serrave. Në vendin tonë momentalisht sipërfaqja e serrave është rreth 1000 ha, ndërkohë që theksoi ai, sfida e qeverisë është ta rrisë këtë sipërfaqe për të 5-fishuar ofertën e produkteve bujqësore në tregje. 

Z. Panariti u shpreh se qeveria do të mbështesë bizneset bujqësore me financime që do të arrijnë deri në 60% të vlerës totale të investimit për serra, ndërkohë që 40% e financimeve mund të mbështeten me anë të kredive inkurajuese me norma të ulëta interesi. Ai theksoi se një pjesë e fondeve të buxhetit të shtetit do të vendosen si garanci për bankat, për kreditë e marra nga fermerët dhe agropërpunuesit.

Ministri Panariti shtoi se momentalisht 60,000 ha prodhime mbillen në fushë dhe se kjo diferencë duhet ngushtuar, për të siguruar prodhim të strukturuar, të sigurt që përmbush nevojat e tregjeve jo vetëm vendase, por edhe atyre ndërkombëtare. “Serrat japin ofertë të organizuar,” tha Z. Panariti.

Qeveria do të nxisë ndërtimin e serrave me ngrohje diellore, të cilat janë më ekologjike dhe miqësore ndaj mjedisit, sidomos në një vend si Shqipëria, që ka rreth 300 ditë me diell në vit.

Paneli i dytë i këtij eventi u fokusua në Teknologjine e Serave si një Biznes në zhvillim, specifikat e tyre, kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme si dhe kostot dhe ekonomitë e shkallës në investime të tilla.Ofrues të teknologjisë së serrave ndanë eksperiencat dhe mundësitë që ofron sot teknologjia gjithmonë në zhvillim për të qenë një promotor kryesor i rritjes së prodhimit, sigurisë e jetëgjatesisë së këtyre investimeve. Paneli u pasurua me eksperiencat e disa bizneseve te suksesshme lokale që operojnë në këtë fushë.

Produkte të Bulfon Luigi Carpenterie dhe Idromeccanica Lucchini SpA, ndërmarrje Italiane të specializuara në ndërtimin e serrave, ndanë eksperiencat dhe mundësitë që ofron sot teknologjia në këtë sektor

Produkte inovative në tregun e kreditimit bujqësor

Gjithmonë e më shumë bankat kanë nisur të përfshijnë agrobiznesin si një nga përparësitë e aktivitetit të tyre, duke krijuar kapacitet për të mbështetur rritjen e këtij sektori. Gjatë eventit Intesa Sanpaolo Bank Albania prezantoi dy produkte të reja të dedikuara për individë dhe biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin bujqësor. Kjo bankë me qëllim mbështetjen e zhvillimit të agrobiznesit po bashkëpunon me institucionet dhe organizatat që ofrojnë lehtësim të procesit të financimit të investimeve agrobiznesit, me qëllim rritjen e efektivitetit të përdorimit të këtyre skemave.

Agro-Kapital Qarkullues është një produkt i krijuar nga kjo bankë për të financuar nevojat e agrobiznesit me kredi me shumë minimale prej 200,000 Lekë për të mbuluar shpenzimet për fara, fidanë, mjetë bujqësore apo shpenzime të tjera operacionale për vazhdimësinë e biznesit.

Agro-Investim është produkti i dytë i ofruar nga Intesa Sanpaolo Bank Albania për të financuar nevojat e agrobiznesit për investime të reja me vlerë maksimale prej 50,000,000 Lekë. Ky produkt kredie është krijuar për investimet që synojnë zgjerimin e biznesit, përmirësimin e teknologjisë, krijimin e bizneseve të reja bujqësore, blerjen e makinerive të reja apo teknologjive të reja bujqësore, ndërtimet apo restaurimet e ndërtesave si dhe investime të tjerë në kuadër të zgjerimit të aktivitetit bujqësor.

Këto produkte sjellin risi në fushën e financimit bujqësor. Disa prej avantazheve të tyre kryesore janë afatet e leverdisshme të shlyerjes së kredisë, interesat favorizuese, periudha e mospagimit të huasë në varësi të ciklit të prodhimit, mundësia e mos vendosjes së kolateralit për kreditë e vogla si dhe plani fleksibël i kthimit të kredisë sipas sezonalitetit dhe ciklit të produktit.

Bankat në Shqipëri kanë nisur të përfshijnë agrobiznesin si një nga përparësitë e aktivitetit të tyre, duke krijuar kapacitet për të mbështetur rritjen e këtij sektori