Boronica e bjeshkëve të Tropojës apo të Kukësit janë ndër produktet më cilësore që Shqipëria i ofron tregjeve të huaja.
Në Tropojë, ajo rritet e egër deri në 2000 metra lartësi mbi nivelin e detit.
Ekspertët thonë se boronica shqiptare ka nisur të eksportohet masivisht drejt Italisë, Hollandës, Gjermanisë, duke arritur edhe brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku cilësohet edhe si fruti magjik.
“Boronica e Tropojës kërkohet nga e gjithë bota. Boronica e Tropojës shkon deri në Amerikë. Ajo përveç se e thatë përdoret edhe e freskët për industrinë për lëngje të ndryshme në Itali, Hollandë, dhe Gjermani”, tha Ardian Citozi në një intervistë për Top Channel.
Boronicat nuk kërkohen thjeshtë si fruta për shijen e tyre pakëz të athët, por mbi të gjitha për vlerat e tyre medicinale.
Ato kërkohen në masë nga tregu farmaceutik për shkak të vlerave të mëdha mjekësore që kanë.
Arsyet Përse Boronica Cilësohet Si Fruti Magjik
Boronica lufton inflamacionet, ndihmon trurin dhe zemrën, mbron sytë dhe lëkurën.
Antioksidantët që gjenden tek boronicat janë aq të forta, sa janë të afta për të neutralizuar radikalet e lira që lidhen me zhvillimin e disa sëmundjeve të zemrës dhe gjakut.
Ky super frut është jo vetëm shumë i shijshëm, por dhe super i shëndetshëm.
AgroËeb.org ju tregon se fruti i boronicës përmban acide organike, ëmbëlsi natyrale, taninë vitamina C dhe B, karoten, proteina dhe ekstrakte natyrale yndyrore.
Për më tepër boronicat janë një burim i shkëlqyer manganezi. Ky mineral luan një rol të shkëlqyer në shndërrimin e karbohidrateve dhe yndyrnave në energji.
Boronicat shqiptare gjenden në të gjithë pjesën veriore të vendit deri në zonat kodrinore të Shqipërisë së mesme kryesisht në zonën e ahut.
Frutat e vogla të boronicave marrin krejt lavdinë falë fuqisë së antioksidantëve, por edhe pjesë të tjera të bimës janë magjike në vlera./AgroWeb.org