Bota Magjike e Glikosë Shqiptare

806 0

“Gliko – Gliko”… Mbaj mend ta kem dëgjuar këtë fjalë për herë të parë dhe kam menduar se tingëllonte si diçka magjike. Kisha kërshëri ta zbuloja, dhe e tillë ishte. Glikonë time të parë e kam provuar teksa ecja përgjatë kalldrëmeve të Mangalemit të bukur të Beratit, gjatë vizitës time të parë në Shqipëri, pothuajse gjashtë vite më parë. Më tërhoqën menjëherë ata kavanozë të mbushur me reçel dhe me ngjyra plot. Isha krejt e magjepsur. Zgjodha të provoja glikonë me mandarinë, një nga frutat e mia të preferuara. Ishte e jashtëzakonshme, e lehtë në përtypje, e butë, plot shije dhe të linte në gojë atë aromën e freskët të nenexhikut. Vendosa t’i provoj të gjitha shijet e tjera, edhe ato të cilat më bënin skeptike si përshembull glikoja me patëllxhan apo me domate. E gjeta veten duke blerë pesë a gjashtë kavanozë, ndoshta edhe më tepër. Blerja ime e lumturoi shumë zonjën e moshuar që i shiste. I premtova që do të kthehesha sërish dhe kështu bëra, të paktën edhe tre herë të tjera gjatë udhëtimit tim.

Sa më shumë lloje glikosh provoja gjatë rrugëtimit tim nga Berati dhe Përmeti në Korçë, aq më shumë kuptoja që duart e arta që përgatisnin glikonë kishin stilin e tyre të veçantë krijues në çdo produkt: disa gliko ishin më të ëmbla, disa më të hidhura që të linin shije të ndryshme në gojë. Procesi i prodhimit të glikosë dhe fakti që çdo perime, frut, lule apo arrë mund të bëhej gliko më la pa fjalë. Qëkur e zbulova për herë të parë këtë xhevahir të çmuar të Shqipërisë, sa herë që udhëtoj për në Rusi marr me vete një a dy gliko bashkë me vaj ulliri dhe bakllava. Të afërmit dhe miqtë e mi janë shumë të dhënë pas tyre.

Mendoj që ata që udhëtojnë jashtë për të vizituar miq e të afërm mund të gjejnë tek glikoja, suvenirin më të mirë shqiptar. Është me mjaft rëndësi për bashkitë e këtyre qyteteve dhe për Shqiptarët vetë të mbrojnë dhe promovojnë këtë produkt artizanal dhe ta bëjnë atë, së bashku me rakinë, vajin e ullirit e të tjerë, simbolet e vërtetë të veçantisë dhe karakteristikave të traditave dhe zakoneve shqiptare, dhe pse jo t’i përdorin edhe si suvenirë për turistët, për t’u kujtuar atyre bukurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë.

“Gliko” është një teknikë e mirëfilltë e ruajtjes së frutit, perimes, apo petales së lules duke i zjerë ato me sheqer si në rastin e reçelit, por duke ruajtur fortësinë, formën dhe përbërjen e frutit, perimes apo lules së përdorur. Glikoja zakonisht shërbehet në lugë. Ajo u ofrohet miqve me të hyrë në shtëpi dhe është një tregues i mikpritjes në Greqi, Ballkan, në disa zona të Lindjes së Mesme dhe Rusi. Sa i përket Rusisë, kjo teknikë e ruajtjes së produktit është shumë e përhapur në zonën e Detit të Zi.

Prodhimi i glikosë kërkon fruta të hidhura dhe të tharta sepse ato i shtojnë elementin aromatik gjithë masës përfundimtare. Glikotë më popullore janë ato të rrushit pa fara, manave, kajsive, mollëve, pjeshkave, qershive të ëmbla dhe të tharta, portokalleve, bergamotit e qitrove, limonëve, qitros, mandarinave dhe mandarinkave, shegëve, fiqve, ftonjve, kumbullave të tharta, apo shalqinit dhe pjeprit si dhe perimet si patëllxhani, domatet qershi, por dhe arrave, fistikëve dhe lajthive (specialitet i Korfuzit). Kur u shërbehet miqve, glikoja shoqërohet me një gotë ujë ose kafe. Ajo shërbehet edhe si ëmbëlsirë pas vaktit.

Që kur glikoja hyri në jetën time, mund të pranoj zyrtarisht se jam e marrosur pas të ëmblave. Glikoja me qershi, mandarinë, kumbulla dhe arra janë më të preferuarat e mia. Por kur shkoj në Rusi sigurohem të marr me vete, gliko me petale trëndafilash, domate dhe arra. Zakonisht glikonë e shoqëroj me çajin e pasdites ose me bukë të sapopjekur. Thjesht duke shkruar këto rrjeshta më shkon goja lëng. Ndaj sapo ta përfundoj këtë artikull do të shkoj të ha nga ajo glikoja magjike e shalqinit që kam ruajtur për ca raste të veçanta …
Po ty cila gliko të pëlqen? Kliko këtu për ta ndarë me ne.

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.