Bujqësia e një gjenerate të re

411 0

Kur Dom Antonio Schiarra solli ndihmat e para në Zadrimë të Lezhës në vitin 91’, përveç miellit e sheqerit solli edhe një karrocë e një lopatë. Mesazhi ishte i qartë. Toka duhej punuar. Dhe në fakt asokohe ashtu si edhe para viteve 90’, toka e zonës dukej se nuk po donte të prodhonte. E me besimin në Zot, por sigurisht edhe me shumë punë, sot Zadrima nuk ka vetëm Kishën por edhe vreshta, ullishte e baxho.
Në Zadrimë ka edhe shumë të rinj. Në Krajen ka një shkollë të mesme për agro- biznes që mban emrin e priftit Italian Gjon Faustit (Giovani Fausto) Rektor i Seminarit Papnor të Shkodrës në vitin 42’ i pushkatuar nga regjimi komunist në 45-ën. Por shkolla e hapur nga Antonio Schiarra (i njohur si Antonio Sharra, prifti i Kumbonës së Paqes) funksionoi vetëm tre vjet. Dom Antonio është ndarë nga jeta, shkolla është ndarë nga misioni i saj. U mbyll, por sot u rihap për të rinjtë.

Një program i CBS Creative Business Solutions financuar nga Assist Impact në partneritet me USAID për punësimin e të rinjve në bujqësi mblodhi rreth 90 pjesëmarrës nga të cilët rreth 35 të rinj, e të tjerët fermerë e agrobiznese të zonës në një trajnim praktik mbi blegtorinë dhe standardet e përpunimit të qumështit, një nga prodhimet bazë të Zadrimës. Trajnimi u organizua përmes një trekëndëshi bashkëpunimi mes baxhos së përpunimit të qumështit në Krajen, blegtorëve të zonës dhe Organizatës së konsulencës financiare CBS. Duke rritur punësimin përmes trajnimeve, ky program synon edukimin profesional të të rinjve për të përgatitur një gjeneratë të re fermerësh.

Trajnimi kryesor u mbajt nga Znj. Merita Uruçi, eksperte kombëtare, aktualisht Drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës së Përpunimit të Qumështit dhe Mishit (ADAMA). Ajo theksoi se Shqipëria, si një vend që aderon për vend anëtar në BE do të duhet të plotësojë kushte e kritere që kanë të bëjnë me përafrimin e standarteve të BE në lidhje me cilësinë dhe higjenën, sigurinë e ushqimit për konsumatorin dhe rritjen e konkurueshmërisë.

Për Ilir Pilkun, Menaxher i zhvillimit të SME-ve në CBS përthithja e munguar e fondeve të BE-së për bujqësinë e ka një çelës: standarde. Mungesa e standardeve dhe informaliteti tha ai, bëri që në Bullgari me anëtarësimin në BE u mbyllën rreth 50% e fermave. Nuk duhet të lejojmë të ndodhëeuml; e njëjta gjë me Shqipërinë.

Trajnimi konkret dhe profesional u ndoq me shumë interes edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Muharrem Xhelili, inspektor pranë Ministrit dhe Arben Sinoimeri Drejtor i Qendrës së Lëvizshme të Formimit Profesional. Siç u shprehën ata, ky takim u zgjoi vëmendjen për organizimin e kurseve të tilla afatshkurtra profesionale me të rinjtë në zonat rurale. Përfaqësuesit e Ministrisë garantojnë se në shtator do të rihapin shkollën Gjon Fausti dhe të rinjtë duken entuziastë për këtë.

Për agroweb 20 vjeçari David Lazri, që aktualisht punon në ndërtim thotë se rihapja e shkollës do tërheqë shumë të rinj, duke shtuar me entuziazëm: “Unë do të shkoja me qejf”. I të njëjtit mendim është edhe 24 vjeçari Paulin Përkeqi i cili ka 10 vjet që punon në baxhon e zonës. A thotë se shkolla do të sjellë më shumë njohuri e më shumë cilësi.

Kooperative e Zadrimës, suksesi që vjen përmes besimit
Të jesh kooperativist, nuk do të thotë të kesh pikëpamje komuniste. Të jesh pjesë e një kooperative nuk do të thotë të jesh peng i regjimit, që kooperativat i shtetëzoi duke u marrë pronën të zotëve. Përkundrazi, të rihyra në treg, kooperativat ashtu si në botë, edhe në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më shumë fitimprurëse.

Alfred Marku emigroi nga Zadrima në Itali ku së fundmi punoi si menaxher I një kooperative në Breshia. Rastësi apo jo, Breshia ishte edhe origjina e Dom Gjon Faustit. Alfredi u rikthye në vitin 2006 dhe hapi një agrobiznes e restorant në zonën e tij. Por kishte një tjetër ide të cilën e realizoi përpara 8 muajsh, u bë bashkëthemelues i kooperativës SAPA Zadrima me 50 anëtarë ku aktualisht janë të punësuar rreth 100 të rinj të zonës. SAPA është emri i Kishës së zonës, në pronësi të të cilës ishin Fabrika e Vajit, Serat, Vreshtat, Kantina e Vajit dhe Mekanika bujqësore. Tashmë të gjitha këto janë pronësi e kooperativës sipas një marrëveshjeje me Kishën.

Sot, në përfundim të trainimit Alfred Marku nënshkoi konktrata bashkëpunimi me fermerët e zonës për blerjen e qumështit nga ata për baxhon e tij ‘Rapsodia’, duke nxitur kështu prodhimin, duke zhvilluar fermat e tyre por duke punësuar edhe më shumë të rinj.

‘E vetmja rrugë për zhvillim, për cilësi e për ruajtje të traditës është bashkëpunimi përmes kooperativës’, thotë z.Marku. Rrisim cilësinë dhe ulim shpenzimet. Mosdija ka bërë që gjërat të mosfunksionojnë në këtë drejtim, por tashmë themi se jemi në rrugën që duhet. Duke bashkëpunuar e duke krjuar një zinxhir perfekt do të hyjmë edhe më fort në treg.