Kjo e sotmja është një ditë plot diell këtu në Vienë. Jam ulur në një lokal mjaft të rehatshëm në Lagjen e Muzeve të kryeqytetit Austriak dhe po shijoj çajin tim të preferuar Matcha, ndërkohë që po shkruaj këto rreshta. Unë kam hequr dorë nga kafeja pak më shumë se një vit më parë, si pjesë e një eksperimenti gjashtë mujor për pastrimin e organizmit, që në fakt zgjati në një vit. Që prej asaj kohe, çaji jeshil dhe matcha në veçanti, më shpëtuan jetën, sepse më dhanë nivelet e nevojshme të energjisë që si pasojë e mungesës së kafeinës ishin ulur ndjeshëm. Që kur mësova që gjetja e çajit Matcha në Tiranë ishte pothuaj një mision i pamundur (ndonëse unë gjithmonë sigurohen të furnizohem mirë sa herë që udhëtoj), nuk e lë kurrë të më ikë mundësinë e të shijuarit të këtij çaji të freskët gjatë vizitave të mia në vende të ndryshme të botës. Për të gjithë ju, që nuk dini shumë informacion mbi çajrat, çaji matcha është një lloj çaji jeshil në formë pluhuri që ka 137 herë më shumë ushqyes se sa çaji i zakonshëm jeshil dhe 10 herë më shumë antioksidantë. Ky çaj fuqizon metabolizmit, detoksifikon trupin, rregullon humorin, ul kolesterolin dhe nivelin e sheqerit, qetëson trurin dhe trupin.
Më duhet ta pranoj që nuk u sforcova shumë për të lënë kafenë. Por, nëse dikush më kërkon të heq dorë nga çaji, jam e bindur që NUK do të isha në gjendje ta bëja këtë gjë. Çaji ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime, kjo për faktin që Rusët e dashurojnë çajin, por edhe se vlerat që merr nga çaji më duken shumë të rëndësishme. Që të krijoni një ide se sa shumë e dashuroj çajin, më duhet t’ju rrëfej se gjithmonë mbaj disa bustina çaji në çantë, nëse do më duhet të ulem në një vend ku nuk servirin çaj. Një gjë e tillë, në fakt më ka ndodhur dikur. Është një histori mjaft e këndshme. Disa vite më parë, une frekuentoja rregullisht Rivierën e dashur Shqiptare. Teksa udhëtonim gjatë bregdetit dhe zbuloja xhevahirët e Shqipërisë, ndaluam diku rreth Borshit për të pirë një kafe, (për mua ishte çaj). Ky lokal i vogël buzë rruge nuk kishte çaj, por unë kisha bustinat me vete, ndaj ajo që më nevojitej ishte thjesht një filxhan me ujë të ngrohtë. Për fat të keq, uji ishte jashtëzakonisht i kripur. Mund ta imagjinoni zhgënjimin tim, që nuk shijoja dot çajin e shumëpritur. Kjo gjë ma prishi tërësisht humorin, jo vetëm mua, por edhe personave që më shoqëronin, gjatë gjithë pjesës së mbetur të rrugës. Ne, Rusët e dashurojmë çajin. Shpenzojmë orë të tëra të ulur rreth tryezës në kuzhinë, duke pirë çaj të zi me qumësht e duke bashkëbiseduar.
Shpesh, çajit i themi ‘shpirti i familjes”, duke theksuar kështu rolin instrumental të çajit në ndarjen e ndjenjave dhe emocioneve me të tjerët. Unë kam një origjinë etnike Tatare dhe mënyra e përgatitjes së çajit nga fiset shtegëtuese më duket mbresëlënëse, ndonëse disa syresh e shohin si shumë të çuditshme. Ata vendosin gjethet e çajit në ujë të valuar, shtojnë qumësht dhe i ziejnë së bashku për pesë minuta. Më pas shtojnë kripë, ndonjëherë edhe piper dhe e shërbejnë në një enë të ngjashme me atë të supave, duke i hedhur pak gjalpë. Kjo recetë përdorej nga luftëtarët Tatarë për t’u bërë më të fortë dhe për t’u bërë ballë ndryshimeve të motit.
Duke lënë mënjanë historitë e mia personale, më poshtë do të gjeni një listë për katër llojet e çajrave që më pëlqejnë (përveç çajit jeshil matcha të cilin e përmenda më lart) dhe vlerave të tyre për organizmin, me shpresën se të paktën disa prej jush – lexues të AgroWeb- do të apasionoheni pas çajit, njësoj si unë.
1) Çaji i Zi. Në aspektin teknik, të gjitha varietetet e çajit vijnë nga e njëjta bimë Camellia sinensis, ndërkohë që tipi vendoset nga mënyra e përpunimit të gjetheve të çajit. Çaji i Zi është një nga më popullorët në botën Perëndimore. Ai ka përmbajtjen më të lartë të kafeinës dhe përmban polifenolët theaflavins dhe thearubinins, që janë efektivë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe uljen e kolesterolit.
2) Pu-erh është çaj i zi tërësisht i fermentuar, që është ruajtur për një kohë të gjatë ose është ‘maturuar’ në lagështirë të madhe, gjë që i jep atë shijen e ndenjur. Ka një nivel mesatar të kafeinës dhe përmirëson vigjilencën dhe të bën mendje mprehtë. Ndryshe nga çajërat e tjerë, ai përmban një element që përdoret në mjekësi për uljen e nivelit të kolesterolit, por edhe rrit nivelet e kolesterolit “të mirë.”
3) Oolong është një çaj pjesërisht i fermentuar, që vlerësohet për aftësinë e tij në përmirësimin e tretjes. Përdoret për të parandaluar ose kuruar obezitetin dhe diabetin e tipit 2. Besohet që mund të trajtojë osteoporozën, dermatitin, dhe aterosklerozën, ndonëse studimet nuk kanë qenë përfundimtare.
4) Çaji i bardhë është çaji më pak i oksiduar, me pak kafeinë, por me të njëjtat vlera në luftimin e radikaleve të lira si çaji jeshil. Çaji i bardhë ka të njëjtat veti si çaji i zi, por përmban nivele të larta të kalciumit dhe fluorit që ndihmojnë në mbajtjen e kockave, dhëmbëve dhe mishërave të tyre të shëndetshëm.
Cili është çaji juaj i preferuar?
*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.