Dimri i gjatë ftoh xhepat e konsumatorëve

551 0

240 Lekë për një kilogram domate të ardhura nga Italia. 200 Lekë për një kilogram domate të prodhuara në vend. Ca më pak apo ca më shumë, ky është çmimi i domateve në tregjet e fruta-perimeve në Tiranë. I shtrenjtë dhe shpesh herë i papërballueshëm për ekonomitë e brishta të familjeve shqiptare. Një vit më parë, çmimi për një kilogram domate arriti vlerën 50 Lekë , për domatet e prodhuara në serra, jashtë sezoni. 2-3 vite me parë, çmimi i domates varionte nga 93 në 121 Lekë.

Sot një konsumator paguan shtrenjtë në tregun e fruta-perimeve. 350 Lekë për një kilogram brokoli. 270 Lekë për një kilogram lulelakër. 280 Lekë për një kilogram speca. 150 Lekë për një kilogram kastraveca. 90 Lekë për një kilogram karrota. Shifrat flasin vetë. Çmimi i perimeve në tregjet vendase është rritur ndjeshëm. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), Indeksi vjetor i çmimit për kategorinë perime, tregon rritje me 13.8% nga muaji mars i vitit 2014, në muajin mars të vitit 2015.

Arsyet kryesore që sollën këtë rritje të ndjeshme çmimi vitin e fundit?

Ekspertët thonë se një nga arsyet është mungesa e produkteve vendase në tregje. Sipas tyre dimri i ftohtë këtë vit, me temperatura shumë më të ulëta krahasim me vitet e kaluara, është arsyeja kryesore. Temperaturat nën minus për një kohë të gjatë, rreshjet e shumta të shiut dhe dëborës, ngricat dhe përmbytjet e mëdha ndikuan negativisht në bujqësi. Dimri këtë vit uli ndjeshëm sasinë e produkteve shqiptare në tregjet vendase. 

Domatet dhe perimet e tjera, jo të stinës, të ofruara deri më tani në tregjet e fruta-perimeve kanë qenë prodhime serre. Stina e domates po afrohet me ardhjen e ditëve të nxehta të verës. Në kushte normale, në fusha, ajo prodhohet nga muaji korrik deri në tetor. Prania e domateve apo ushqimeve të tjera në dietat tona ushqimore, jashtë sezonit normal të prodhimit të tyre, vjen falë prodhimit në serra. 

Por kjo është një tjetër çështje problematike.

Varësia e produkteve të serrave nga kushtet e motit solli prodhimtari të ulët dhe çmime të larta

Në vendin tonë mungojnë serrat që kanë sisteme ngrohje qendrore. Sipas INSTAT në vendin tonë sipërfaqja e perimeve të mbjella në serra është 940 ha. Nga kjo 900 ha e mbjellë në serra me ngrohje diellore dhe vetëm 40 ha në serra me ngrohje qendrore. Varësia tejet e lartë e produkteve të serrave nga kushtet e motit (pothuajse 96% e prodhohet në serra me ngrohje diellore) solli dhe prodhimtari të ulët gjatë këtij dimri. Si pasojë e mungesës së ngrohjes së nevojshme për rritjen normale të perimeve prodhimet e serrave këtë dimër ishin të pakta. Prodhimi ishte i ulët, kërkesa ishte e lartë. Kjo mospërputhje në raportin kërkesë-ofertë në treg, solli rrjedhimisht edhe rritjen e çmimit të domateve në treg.

Ironike.

Në vitin 2014 moti ishte më i ngrohtë. Bujqësia pati super prodhim. Çmimi i ulët i perimeve erdhi si pasojë e prodhimtarisë së lartë të domates dhe mungesës së tregut të shitjes për produktet bujqësore. Mungesa e kërkesës bëri që sasia e madhe e prodhuar të shitej me çmim shumë të ulët, për të shmangur humbjet e mëdha si pasojë e prishjes së këtyre produkteve. Në vendin tonë mungesa e pikave moderne të grumbullimit, dhomave frigoriferike, apo ambienteve të ruajtjes së produkteve bujqësore, mbetet ende problematike. Mungojnë edhe kanalet e tregjeve të sigurta për produktet bujqësore, për të arritur në të cilat duhet punuar shumë në fushën e sigurisë ushqimore. Që të rriten mundësitë e eksporteve për produktet shqiptare duhet bërë shumë punë në lidhje me rritjen e standardeve të prodhimit. Ndërkohë që investimi në teknologji të reja në bujqësi, e veçanërisht në serra sipas standardeve të kohës është një domosdoshmëri.