Dita pa Makina – A është Zgjidhje për Ndotjen e Ajrit?

1.1k 0

Nesër më datë 18 tetor, Tirana do të organizojë të dytën Ditë Pa Makina të saj. Që prej shtatorit, një sërë qytetesh përreth globit, morën pjesë në iniciativën e Ditës pa Makina. E organizuar për herë të parë jozyrtarisht në vitin 1994, iniciativa u adoptua nga Komisioni Evropian në vitin 2000. Bogota, kryeqyteti i Kolumbisë, e themeloi Ditën Pa Makina nëpërmjet referendumit publik dhe këtë vit kremtoi 15 vjetorin e nismës duke miratuar kufizime madje edhe mbi motoçikletat. Prej vitit 2000, dita 22-të e shtatorit quhet zyrtarisht Dita Pa Makina dhe bashkitë e qyteteve ftohen të ndalojnë qarkullimin e makinave në pjesët dhe sheshet qëndrore. Disa qytete këtë vit, si për shembull Parisi, vendosën që ta zhvendosin organizimin e Ditës Pa Makina në fundjavë, në mënyrë që të mos pengojnë përditshmërinë e punës së banorëve, ndërsa qytete të tjerë si Tirana, planifikojnë ta shndërrojnë në një aktivitet të përmuajshëm.

Thënë këtë, sigurisht që egzistojnë një sërë mënyrash që mund të realizohen për t’ju përgjigjur niveleve në rritje të ndotjes së ajrit dhe ky është së pari, e mbi të gjitha qëllimi i Ditës Pa Makina. Fatkeqësisht, organizimet e Ditës Pa Makina shihen në përgjithësi nga opinioni publik si jo shumë efikase dhe si shkak për një çrregullim të rutinës së punëve përditshme. Në fakt, pas kësaj iniciative, ka një mesazh shumë më domethënës sesa thjesht rritje të ndërgjegjësimit dhe ulje të nivelit të ndotjes se ajrit në një ditë të vetme, për t’iu rikthyer sërisht smogut në ditët në vijim.

Planifikimi urban, ashtu sikurse edhe mbarëvajtja e transportit urban, janë po aq të rëndësishme në çështjen e ndotjes së ajrit

Ditët Pa Makina të organizuara në qytete të ndryshme kanë nxjerrë në pah një sërë problemesh të lidhura me këtë çështje, përfshirë pamundësinë e këtyre qyteteve për të menaxhuar funksionimin normal nëpërmjet përdorimit të transportit publik. Ajo çfarë kuptohet është se planifikimi urban, ashtu sikurse edhe mbarëvajtja e transportit urban, janë po aq të rëndësishme në çështjen e ndotjes së ajrit sa edhe shkaktari kryesor i ndotjes; “numri i madh i automjeteve të vjetra, mungesa e mirëmbajtjes së automjeteve dhe cilësia e ulët e karburantit.”

Si pasojë, Ditët Pa Makina kanë fuqinë të na tregojnë se, në mënyrë që të luftojmë me sukses betejën ndaj ndotjes së ajrit, ne duhet të ndryshojmë njëkohësisht varësinë tonë nga makinat dhe këndvështrimin tonë mbi transportinnë përgjithësi; por gjithashtu edhe faktin se duhet të implementojmë plane urbanistike më largpamëse e më tepër alternativa bashkëkohore të transportit publik, në mënyrë që të sigurojmë një të ardhme më të shëndetshme për ne dhe për brezat që do të vijnë.

Ideja e Ditës Pa Makina konsiston në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe uljes së mbipopullimit urban. Ajri i ndotur mbetet një shqetësim serioz për shumë qendra urbane, ai nuk është thjesht çështje bezdie apo parehatie; në fakt mbart në vetvete rrezik real për shëndetin. Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, “më tepër se 1 milion njerëz çdo vit janë të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur urban, duke shkaktuar si pasojë, 1 milion vdekje të parakohëshme dhe 1 milion vdekje para lindjes, çdo vit.” Krahas të qenurit shkaktar i reaksioneve të ndryshme alergjike, azmës bronkiale si dhe rritjes së normës së sëmundjeve kardio-vaskulare, ajri i ndotur shkakton gjithashtu dëmtime të pariparueshme në tru. Sipas studimit të ri të publikuar nga Analet e Neurologjisë, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj ajrit me nivele të larta ndotjeje, shkakton plakjen e shpejtë të trurit duke pakësuar ndjeshëm nivelet e lëndës së bardhë në tru, përgjegjëse për aftësinë konjitive.

Studiuesit të udhëhequr nga Dr. Jiu-Chiuan Chen nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, vëzhguan efektet e ajrit të ndotur në 1.403 gra të moshuara nga viti 1990 deri në vitin 2006. Duke studiuar imazhet e Rezonancës Magnetike në tru, historitë e banimit si dhe të dhënat nga monitorimi i ajrit, arritën në përfundimin se “pjesë të ndryshme të trurit në plakje, sidomos lënda e bardhë, janë objektiv i rëndësishëm i efekteve neurotoksike të sjella nga ekspozimi i gjatë ndaj grimcave të imëta në ajër.” Këto rezultate mbështesin gjithnjë e më shumë intensitetin në rritje të punës në lidhje me ndotjen e ajrit dhe efektet e saj në organizmin e njeriut. Në këtë investigim, Aaron Reuben, gazetar dhe kërkues në Qendrën për Ligjin dhe Politikat Mjedisore në Universitetin e Yale, qartësoi lidhjen ekzistuese mes ndotjes së ajrit dhe sëmundjeve degjenerative si Alzajmeri dhe Parkinsoni. Sipas Reubenit, ndërkohë që ne thithim grimca të gazrave ndotës, ato përfundojnë në trurin tonë duke shkaktuar dëmtime dhe duke na çuar drejt shumë sëmundjeve kronike. Në vitet e fundit, studimet kanë treguar se njerëzit e ekspozuar ndaj ajrit të ndotur priren të humbin aftësitë e tyre mendore më shpejt.

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.