Dueti i Përkryer i Vajit të Ullirit dhe Argjinares

1.2k 0

E kemi thënë edhe më parë se Argjinarja është një perime fisnike e një klasi të lartë. Bima gjembaçe e argjinares është cituar prej kohësh si “Mbretëresha e Perimeve”. Në fakt, bimës së argjinares i nevojitet thjesht një copë tokë e vogël që të rritet e të lulëzojë ashtu siç i ka hije, por atë copë toke, ajo e dominon plotësisht.

Çdo bimë mban 6 deri në 12 argjinare, por jo të gjitha ia dalin mbanë të lulëzojnë siç duhet. Nga cilado anë ta shohësh, ky gjemb i veçantë që na jep kaq shumë vlera konsiderohet si një nga perimet më elegante të botës. Me një bukuri të egër, argjinarja ka vendlindjen në Mesdhe.

Argjinarja është një gjembaç i madh i veshur me gonxhe lulesh të vogla. Gjithsecila prej tyre ka me mijëra gonxhe tepër të vogla që e zbukurojnë atë si një kurorë. Ajo është një bimë që rritet deri në dy metra, me gjethe të stërmëdha, por burimi i vërtetë i shijes së saj është shumë i vogël. Shija është shumë unike dhe ka një finesë të pakrahasueshme në kombinimin mes të ëmblës dhe të hidhurës.

Por çfarë ndodh nëse i kombinon dy nga produktet më të përkryera të Mesdheut dhe rrjedhimisht edhe të Shqipërisë? Mbretëresha Argjinare ndriçon nën shkëlqimin e Vajit të Ullirit, floririt të kësaj ane të Europës. Vaji i ullirit, është padyshim protagonisti i dietës sonë mesdhetare, që i jep jetë e shije çdo pjate; që nga sallata, tek makaronat apo prodhimet e detit. Praktikisht dy pika vaj në çdo ushqim, bëjnë mrekullinë.

Fatmirësisht Shqipëria hyn tek vendet e pasura me ullinj. Antikiteti i ullinjve në Shqipëri është mëse evident për shkak të shumë ekzemplarëve të shpërndarë në të gjithë vendin. Sipas AgroWeb.org, të mirat që marrim nga lëngu magjik janë të pafundme, aq sa dhe studiesit po zbulojnë çdo ditë nga një të mirë të vajit të ullirit, i cili ka aftësinë të përmirësojë shëndetin dhe jetët tona.

Kombinimi i Argjinares me Vajin e Ullirit

Argjinaret e skuqura në vajin e ullirit ngjajnë si një kurorë e artë që zbukuron pjatën. Shija e tyre është fantastike. Argjinaret pastrohen nga bishti. Nëse majat e luspave të jashtme janë të forta, duhet t’i prisni, në të kundërt, jo. Shtypni secilën prej argjinareve nga pjesa e poshtme në mënyrë që gjethet e jashtme të përhapen në një mënyrë të tillë që të formojnë një formë lule dielli.

Përdorni argjinaret e vogla. Skuqini në vaj ulliri deri sa të marrin atë ngjyrën e bronxit. Vendosini argjinaret e skuqura në një enë të mbuluar me letër kuzhine në mënyrë që të thahet yndyra e tepërt. Spërkatini me kripë dhe shijoni gjethet krokante si patatina ndërkoh&eeuml; pjesa e butë do t’ju japë një shije triumfuese./AgroWeb.org/