Efekti domino i krizës greke në Shqipëri

385 0

Gjithçka që ndodh në Greqi, nuk mbetet në Greqi. Na pëlqen ose jo, kriza greke pati një efekt domino në ekonominë shqiptare. Nuk shkuam drejt humnerës, siç dhe shumë patën frikë, por ndjesinë e të mbyturit me disa lugë ujë e patëm; që nga rënia e remitancave, tek ulja e investimeve të huaja direkte, deri tek efektet në bilancin tregëtar.

Sektorët që u goditën më fort nga kriza greke, ishin pikërisht ato sektorë ku dhe ishin më shumë të punësuar emigrantët, si ndërtimi dhe bujqësia. Të mbetur të papunë, ata u rikthyen në shtëpi. Në pesë vitet e fundit nga 18 deri në 22% e emigrantëve shqiptarë (afro 180,000 persona) në Greqi janë rikthyer në vend.

Anna Triandafyllidou nga Instituti Universitar Evropian e cila ka studiuar pasojat e krizës tek emigrantët tha për AgroWeb, që kriza ka prekur më shumë sektorin e ndërtimit që në vitet 2008-2009, para se Greqia të tronditej nga tërmeti financiar.
“Emigrantët shqiptarë, përfshirë këtu dhe ata që ishin zhvendosur në Greqi prej vitesh dhe që kishin një zanat mbetën të pa punë. I gjithë sektori ishte në kolaps”, thotë Triandafyllidou për AgroWeb.

Sektori i ndërtimit, që përbën edhe pikënisjen e punës në Greqi për shumë emigrantë shqiptarë ka përgjysmuar forcën e punës. Nga 400.000 punëtorë në vitin 2008, sektori i ndërtimit numëronte vetëm 240.000 punëtorë vitin e shkuar. Ndërkohë që numri i lejeve të qëndrimit ka rënë me 20% që nga fillimi i krizës.

Eshtë e qartë se, nëse mbeten pa punë për një kohë të gjatë, emigrantët mund të humbasin statusin e tyre ligjor. Duke qenë se grekët kanë më pak të holla dhe bizneset e kanë të pamundur të investojnë, të shumtë janë ata që pranojnë forcërisht të punojnë për më pak para, apo pa sigurime shoqërore.

Rikthimi i emigrantëve në Shqipëri përbën një faktor rreziku të lartë, duke qenë se shërbimet publike dhe sistemet e brishta të shëndetësisë dhe arsimit do të ishin nën një presion të lartë.

Ish Ministri i Ekonomisë dhe Presidentit i Institutit për Politikat Publike, Arben Malaj pohon për AgroWeb se kriza greke i ka dhënë efektet e saj më të mëdha, duke përfshirë këtu dhe numrin e madh të emigrantëve të kthyer.

Kthimi në Shqipëri për shumë nga emigrantët është e vetmja rrugë që mbetet. Të ardhurat e tyre janë ulur në mënyrë drastike. Madje dhe ata që kanë blerë një dyqan apo një banesë, sërish e kanë vështirë për të siguruar jetesën në Shqipëri.

Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit janë përgjysmuar që nga viti 2007, kur 951 milionë euro (1.27 miliardë dollarë) llogariten për 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë (PBB).

Për Arben Malaj, zgjidhja qëndron tek reformat, që mund të krijojnë mundësi për këtë forcë të re pune që vjen nga Greqia. “Reformat strukturore mund ta bëjnë vendin tonë më konkurues duke rritur mundësitë për sukses të biznesit privat, përfshi edhe emigrantet të cilët kanë disa avantazhe, lidhur me kulturën e punës, njohjen e teknologjive, tregjeve dhe të partnerëve potencialë” tha Malaj për AgroWeb.

Gradualisht Greqia, sipas Malajt e ka zvogëluar peshën e ndikimit të saj në ekonominë tonë. “Në vitin 1993 ne eksportonim në Greqi rreth 20% të totalit të eksporteve, në 2008 rreth 6% dhe në 2015 vetëm 4.2%. Në vitin 2000 ne importonim nga Greqia rreth 28% të totalit, në 2008 rreth 19% dhe në vitin 2015 rreth 10%. Po kështu konstatohet rënie e Investimet e huaja direkte sidomos në sistemin financiar edhe të telekomit”, thotë Malaj për AgroWeb.

Edhe pse ekonomia e Greqisë është e vogël, rreth 1.8 përqind e Euro-zonës, sërish nëse ekonomia e saj zhytet, efektet në bilancin tonë tregëtar do të ishin të menjëhershme. Eksportet do të bëheshin më të shtrenjta, duke bërë që të ulen në mënyrë të ndjeshme, duke krijuar një zhbilancim mes import-eksporteve.

Por, edhe sikur të gjithë emigrantët të ktheheshin, për ish ministrin e Financave, Florian Mima, Shqipëria ka kapacitet për t’i mbajtur të gjithë.

“Të kthehen në Shqipëri më nje llogari bankare plot dhe me kokën plot me dije? Toka këtu është”, është shprehur Mima më herët në një intervistë për Reuters. “Bujqësia do të thithë të gjithë krahun e punës”.

Por pagat relativisht të ulëta dhe çmimet e larta do të pengojë të tjerët, thonë ekonomistët. Rënia e remitancave dhe tkurrja e ekonomisë mund të detyrojë Shqipërinë të rimendojë modelin e saj ekonomik duke qëndruar larg nga varësia që ka ndaj diasporës dhe remitancave.

Kriza greke na ka lënë një shije të hidhur me uljen e të ardhurave që hyjnë në çdo familje shqiptare nga emigracioni, me uljen uljen e investimeve të huaja dhe të ardhurave në buxhet. Por, ashtu siç thotë dhe Mima, nëse keni kokën me dije dhe disa para mënjanë, toka juaj ju pret. Mirësevini në shtëpi.