Efiçenca e energjisë: A është Shqipëria gati

326 0

Dimri dhe vera në Shqipëri mund të përshkruhen fare mirë përmes personazheve të dy përrallave.

Dimri: Vajza e shkrepëseve. Shumica e ndërtesa në Shqipëri nuk kanë ngrohje qendrore dhe fatura e kripur e energjisë elektrike, bën që shumë të ndihen si vajza e shkrepëses. Me një batanije leshi të hedhur sipër këmbëve i mbijetohet ditëve të ftohta të dimrit në Shqipëri, duke na bërë të përjetojmë në një farë mase personazhin e Andersenit.

Vera: Hirushja. Nuk është se shqiptarët po presin princin e kaltër që t’iu paguajë faturën e dritave, por faktori këpucë luan një rol kyç në mbajtjen e shtëpisë së freskët. Sa herë keni zbritur shkallët e pallatit për të parë që komshija e një kati më poshtë e ka zënë derën me këpucë, në mënyrë që të hyjë një rrymë ajri e freskët në apartamentin e vogël që ngjan me një furrë. Këpuca e Hirushes në këtë rast nuk premton një jetë në kështjellë, por sjell pak freski në kohë zhegu.

Për disa, kjo mund të tingëllojë si një trillim, ose gati gati si një përrallë tjetër, por në fakt është realiteti që përjetojnë shumë familje shqiptare në këto dy stinë. Mungesa e efiçencës së energjisë i bën banesat shqiptare frigorifer në dimër dhe sauna në verë.

Ndërtesat e banimit janë përgjegjëse për të paktën 40% të përdorimit të energjisë në shumicën e vendeve. Kjo shifër vjen gjithnjë e më në rritje dhe për shkak të shtimit të ndërtimeve. Ndërkohë që sipas ekspertëve kërkesa për energji pritet të rritet deri në 70% në vendet e Ballkanit Perëndimor në dy dekadat e ardhshme, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Përmirësimi i efiçencës së energjisë në ndërtesat publike do të bënte që të kursehej deri në 40% të konsumit total të energjisë, e cila mund të sigurojë furnizim më të sigurtë të energjisë për të nxitur rritjen ekonomike.

Dhe progresi mund të nisë menjëherë, duke i bërë shtëpitë e shqiptarëve më ekonomike pasi me teknologjinë dhe ekspertizën që ekziston sot edhe perms termoizolimit apo përdorimit të llambave led, gjelbërimit, çdo banesë mund të kthehet në shumë miqësore ndaj energjisë.

Pasi efiçenca e energjisë nuk do të thotë të ndryshosh cilësinë e jetës, por do të thotë marrjen e të njëjtës sasi dhe shërbim të energjisë duke përdorur më pak burime.
Realiteti është se përfitimet nga efikasiteti i energjisë rezultojnë në rritjen e mirëqenies për qytetarët, rritjen e sigurisë, dhe një përfitim për mjedisin me kursime të konsiderueshme në emetimet e dioksidit të karbonit, CO2.

Efiçenca e energjisë është një nga politikat që synon të frenojë efektet e ndryshimeve klimatike dhe të promovojë zhvillimin e shoqërive të qëndrueshme. E gjithë kjo është bërë e mundur nëpërmjet përdorimit të energjisë së rinovueshme.

Deri në vitin 2020, afërsisht 38% të energjisë, konsumatorët shqiptarë do të duhet ta sigurojnë nga energjia e rinovueshme. Ky është një kusht i vendosur nga BE, i cili do t’iu sigurojë qytetarëve shqiptarë kosto më të ulët të energjisë dhe një mjedis më të pastër dhe pa ndotje. Dhe për këtë do të duhet që të shfrytëzohet më shumë energjia e rinovueshme.

Gjithashtu me ndryshimet në ligjin për "energjinë e rinovueshme", e cila është miratuar nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, synohet që të tërhiqen më shumë investitorë në këtë fushë.
Pozita e Shqipërisë, e cila ka një klimë mesdhetare, krijon kushte të favorshme për një zhvillim të qëndrueshëm të energjisë diellore. Intensiteti i lartë i rrezatimit diellor, kohëzgjatja e saj relativisht e gjatë, temperatura dhe lagështia e ajrit janë pikërisht elementet që kontribuojnë për këtë qëllim.

Klima mesdhetare me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë dhe të thatë mundëson Shqipërinë të ketë potenciale të larta në përdorimin e energjisë diellore sesa mesatarja e vendeve evropiane. Kështu që mund t’I themi një herë e mire lamtumirë batanijeve mbi gju si mjet ngrohje.

Duke qenë dhe se panelet diellore kanë një mirëmbajtje minimale dhe konsiderohen nga ekspertët si një prej produkteve më të qendrueshme, që mundësojnë kthimin e investimit.
Për ta shpjeguar më qartë: në fund të muajit është e sigurtë që do të keni më shumë lekë të kursyera, sepse e para dielli është falas dhe së dyti do t’i shtoni vlerën shtëpisë tuaj. Edhe në rast se do të doni ta shisni, blerësit e rinj do të jenë më të predispozuar për të blerë një shtëpi me panele diellore pasi kursejnë energji. Efiçenca e energjisë është një çështja që na prek të gjithëve.

Prek politikbërjne që duhet të marrë masa të shpejta që vendi të kursejë energji duke I dhënë një shtytje ekonomisë, por prek dhe qytetarët që duhet të bëhen më të ndërgjegjshëm që të mos e lë prizën takuar, pasi diku dikush po vuan si shitësja e vogël e shkrepëseve./AgroWeb.org/