Ekuinoksi Pranveror – Dita E Parë E Pranverës

1.5k 0

Fjala ekuinoks vjen nga latinishtja dhe do të thotë “natë e barabartë”, ku fjala “aequus” do të thotë e barabartë dhe fjala “nox” natë.

Në ekuinoksin pranveror , Dielli kalon nga jugu në veri përmes ekuatorit, duke shënuar kështu fillimin e pranverës në gjysmën veriore të globit.

Ndërkohë që në hemisferën e veriut ndodh ekuinoksi pranveror, në hemisferën e jugut nis vjeshta.

Ekuinoksi i pranverës këtë vit ndodh ditën e shtunë, më 20 Mars, pas kësaj dite ju do të mund të shijoni orët e gjata nën rezet e diellit dhe perëndimet e vona.

Pas ekuinoksit pranveror, ditët do të vazhdojnë të zgjaten deri në solsticin e verës, në qershor. Në solsticin veroror, ditët do të jenë më të zgjata dhe netët më të shkurtra.

A Fillon Pranvera Ditën E Ekuinoksit Pranveror Apo Në 1 Mars?

Përgjigja varet nga përkufizimi juaj për “pranverën”. Të dy datat janë të sakta, ato janë thjesht dy këndvështrime të ndryshme të kësaj ngjarjeje.

Nga ana astronomike, dita e parë e pranverës shënohet nga ekuinoksi i pranverës, i cili bie në 19, 20 ose 21 Mars, çdo vit.

Ekuinoksi ndodh në të njëjtin moment në të gjithë botën edhe pse orët ndryshojnë sipas zonave.

Dhe, siç u përmend më lart, kjo datë sinjalizon vetëm fillimin e pranverës në hemisferën veriore dhe njofton mbërritjen e vjeshtës në hemisferën jugore.

Ndërsa nga ana meteorologjike, dita e parë zyrtare e pranverës është 1 Mars dhe e fundit është 31 maj.

Shkencëtarët e motit e ndajnë vitin në tremujorë, për ta bërë më të lehtë krahasimin e statistikave sezonale dhe mujore nga njëri vit në tjetrin.

Stinët meteorologjike bazohen në ciklet vjetore të temperaturave dhe jo në pozicionin e Tokës në lidhje me Diellin.

Përdorimi i datave të ekuinokseve dhe solsticeve astronomike për stinët do të paraqiste një problem statistikor, pasi këto data mund të ndryshojnë pak çdo vit./AgroWeb.org