Epidemia e Gripit – Ndalohet Hapja e Shkollave në Shqipëri

301 0

Në datën 4 Janar 2017 nuk do të hapet asnjë shkollë, kopsht, apo çerdhe fëmijësh pas urdhërit të prerë nga Ministria e Shëndetësisë. Gjatë javës së fundit, numri i qytetarëve të paraqitur në qendrat shëndetësore për shkak të përhapjes së virusit të gripit në Shqipëri vazhdon të jetë në rritje, ndërkohë që prej tre ditësh, vendi po përballet me kushtet e motit me temperatura shumë të ulëta, të cilat do të vazhdojnë edhe disa ditë, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e mëtejshme të virusit.

Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministria e Shëndetësisë, sipas udhëzimeve kombëtare, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik, ka urdhëruar sot më datë 03.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon masat e mëposhtme për parandalimin, kufizimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive nga përhapja e virusit të gripit:

Masa të higjenës dhe kontrollit të infeksioneve

– Mbulimi i gojës dhe hundës me shami (mundësisht letre) gjatë kollitjes dhe teshtitjes e cila të hidhet menjëherë në koshin e mbeturinave.

– Të teshtitet apo kollitet duke përdorur gropëzën e bërrylit si mburojë.

– Të mos pështyhet në tokë.

– Larja e menjëhershme, dhe sa më shpesh, e duarve me ujë të rrjedhshëm dhe sapun, ose pastrimi i tyre ato me alkool apo dezinfektantë.

– Mënjanimi i prekjes së syve, hundës dhe gojës.

– Përdorimi i maskave gjatë kollitjes apo teshtitjes, apo në mjedise të mbyllura ku ka grumbullim masiv të njerëzve për një kohë të gjatë.

Masa të distancimit social

– Mënjanimi i kontaktit të ngushtë me njerëzit të cilët janë të sëmurë, pra, çdo i sëmurë, duhet të mbajë distancë nga të tjerët për ti mbrojtur ata.

– Qëndrimi në shtëpi për çdo të sëmurë.

– Njëkohësisht, në këtë sezon gripi, duhe të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë takimet dhe grumbullimet.

Vaksinimi

– Mjeti më i mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi.

– Ministria e Shëndetësisë pas rekomandimeve të grupit të ekspertëve dhe ISHP po kryen falas vaksinimin e punonjësve shëndetësorë si grup i rëndësishëm risku.

– Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë siguruar 93 250 doza vaksinë kundër gripit, të parakualifikuar nga OBSH-ja.

– Kjo vaksinë po shpërndahet në të gjitha DRSH/DSHP-të sipas një plani të përgatitur nga ISHP dhe më pas shpërndahet në qendrat shëndetësore dhe aplikohet falas për të gjithë personat, kryesisht si më poshtë:
– Persona të moshuar mbi 60 vjeç;
– Persona që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare;
– Persona që vuajnë nga diabeti;
– Persona që vuajnë nga sëmundje obstruktive të aparatit respirator;
– Persona që vuajnë nga astma bronkiale;
– Persona me sëmundje kronike të veshkave, apo sëmundje kronike të tjera (hepatike etj.);
– Persona me sëmundje tumorale;
– Persona obezë;
– Gra shtatëzëna;
– Personel shëndetësor.

– ISHP rekomandon vaksinimin gjatë të gjithë këtij sezoni të gripit, për të mbrojtur çdo person nga gripi dhe për të parandaluar format e rënda të gripit sidomos tek personat e sipërpërmendur.

Masa të tjera të kujdesit shëndetësor

– ISHP rekomandon trajtimin me medikamente antivirale për gripin me rekomandimin e mjekut, kryesisht në mjediset spitalore, pasi këto medikamente lehtësojnë shenjat e gripit, kufizojnë kohën e sëmundjes me 1 ose 2 ditë, dhe parandalojnë komplikacionet e gripit si pneumonitë, sidomos në personat që bëjnë pjesë në grupet e përmendura më lart.

– ISHP rekomandon trajtimin simptomatik të gripit sipas rekomandimeve të mjekut.

– Të mos neglizhohet asnjë shenjë e gripit por sidomos vështirësia në frymëmarje e cila kërkon oksigjenim dhe kujdes shëndetësor të menjëhershëm so dhe të funksionojë menjehere sistemi i referimit për kujdes spitalor sipas nevojës.

– Gjatë këtij sezoni të gripit përpiquni të menaxhoni stresin, konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe sidomos ushqime të shëndetëshme dhe përpiquni të jeni fizikisht aktivë./AgroWeb.org