Evropa Po Ndalon Paketimet me Personazhet e Fëmijëve. Po Shqipëria?

508 0

Ujë me Elsa të Frozen? Kos me Mickey Mouse? Biskota me Spiderman? Gjithçka e tillë po fillon të ndalohet rreptësisht në Evropë pasi cilësohet si reklamë mashtruese që nëpërmjet personazheve të parapëlqyer të fëmijëve t’i drejtojë sytë e të vegjëlve tek produktet aspak të shëndetshme.

Në Hollandë ndalohen personazhet e animuar nëpër paketime. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar ndalohen të tilla publicitete drejtuar fëmijëve.

Industria Hollandeze e Ushqimit dhe Federata e Industrisë Hollandeze të Ushqimit, kanë vendosur të ndalojnë shfaqjen e personazheve të filmave të animuar në paketimet e pijeve dhe produkteve ushqimore për fëmijë të pasura me yndyrna, kripë apo sheqer.

Vendimi është marrë nisur nga qëllimi për të luftuar kundër obezitetit, i cili sipas autoriteteve hollandeze “Është një problem kompleks për t’u trajtuar dhe kërkon masa të forta dhe ndërhyrje në front të gjerë, me qëllim ngjërgjegjësimin mbi të ushqyerit, vlerat ushqimore dhe aktivitetit fizik.”

Në të njëjtin drejtim po lëviz edhe industria ushqimore e Britanisë së Madhe. Autoriteti britanik i vetërregullimit publicitar, Komiteti i Praktikave Publicitare, ka vendosur të ndalojë, duke filluar nga ky muaj korrik 2017, të gjitha format e reklamimit apo publicitetit të ushqimeve dhe pijeve me përmbajtje të lartë të kripës dhe sheqerit, drejtuar fëmijëve nëpërmjet mediave.

Ky vendim vlen për reklamimin e drejtpërdrejtë dhe atë të tërthortë. Të tilla reklama nuk mund të shfaqen në media, ku 25 përqind e ndjekësve të të cilave përbëhet nga fëmijë. 

Edhe në këtë rast, ashtu si në Hollandë, nuk mund të përdoren për qëllime reklamimi të këtyre produkteve, imazhe të personazheve të animuar, të cilët mund të shërbejnë vetëm dhe ekskluzivisht në rastet kur përdoren në ndihmë të nismave mbi të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme.

Po Shqipëria? Me gjithë vullnetin për t’u bashkuar me praktikat e Bashkimit Evropian, vendi ynë mbetet në realitetin e botës së tretë ku nuk ka rregulla dhe qëllime publike afatgjata për të ndërgjegjësuar dëmet e mbipeshës, e cila fillon që në fëmijëri.

Në tregjet shqiptare gjen gjithfarë, paketimesh plot sheqer, kripë, yndyrna të dëmshme, vaj palme e plot të tjera të maskuara me imazhet e kartonave të animuar më të ndjekura nga fëmijët. Madje kushtojnë shumë më tepër se të tjerat.

Rrallëherë prindërit mund t’i rezistojnë këmbënguljes së fëmijëve që kërkojnë t’i blejnë produkte të tilla duke sjellë dëme të hershme në organizmin e tyre.

Po ju çfarë mendoni? A jeni në favor të ndalimit të përdorimit të imazheve të kartonave të animuar tek ushqimet e dëmshme për fëmijët? Ndani me AgroWeb mendimet dhe komentet tuaja./AgroWeb.org