Evropa Vijon Ndalimin e Rreptë të Produkteve Serbe

344 0

Vendet e Bashkimit Europian po refuzojnë masivisht eksportet serbe të fruta-perimeve dhe jo vetëm. Nga analizat laboratorike të shumë shteteve të BE rezulton se prodhimet serbe kanë prezencë me nivel tejet të lartë pesticideve, si edhe paraqesin baktere, viruse helmuese. Sipas këtyre analizave laboratorike të konsultuara nga AgroWeb.org, niveli i rrezikshmërisë së tyre për konsumatorët konsiderohet “Serioz”.

Të gjitha të dhënat janë të publikuara zyrtarisht në Agjencinë e Sigurisë Ushqimore pranë Komisionit Europian, e cila përditëson rezultatet e kontrollit të eksporteve që hyjnë në vendet e Bashkimit Europian.

Përmes kësaj agjencie, Komisioni Europian paralajmëron vendet anëtare të jenë të kujdesshme, të përgatiten apo të marrin masa për kontrolle të rrepta në pikat kufitare ndërsa publikon shtetet që paraqesin rrezikshmëri në produktet që eksportojnë.

Ky është rasti i Serbisë. Duke iu referuar pikërisht të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Europian, AgroWeb.org njofton që rezulton se përgjatë këtij viti, në të paktën 14 raste, prodhimet serbe janë kthyer në kufijtë e vendeve të BE ku do të eksportoheshin apo janë cilësuar si rast “alarmi”, duke paralajmëruar për nivelin e lartë të rrezikshmërisë së tyre për shëndetin.

Kryesisht janë eksportet serbe të mollëve, kumbullave dhe frutave të pyllit si luleshtrydhe, mjedra dhe manaferra ato që janë refuzuar masivisht. Pas kontrolleve të kryera nga laboratorët e Gjermanisë, Anglisë, Francës, Polonisë, Danimarkës, Kroacisë, Sllovakisë, Bullgarisë etj,  këto prodhime janë ndaluar në pikat kufitare duke mos u pranuar për t’u futur në tregjet respektive. Sipas burimeve zyrtare të kërkuara nga AgroWeb.org, në vitet e fundit ka 232 alarme evropiane ndaj produkteve nga Serbia. Shiko foton në fund për info zyrtare.

Por nuk janë vetëm këto prodhime serbe që kanë rezultuar të kontaminuara. Duke iu referuar të njëjtit burim zyrtar, Agjencisë së Sigurisë Ushqimore të Komisionit Europian, konstatohet se rrezikshmëri të lartë paraqesin gjithashtu edhe eksportet serbe të ushqimit për peshqit e rezervateve. Sipas analizave laboratorike rezulton se ky produkt ka prezencë të lartë të bakterit “Clorstridium”, të rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve.

Afërsia e këtij vendi eksportues me Kosovën dhe Shqipërinë e bën delikate çështjen e kalimit të mjaft produkteve problematike drejt tregjeve të territoreve shqiptare.

Po eksportet Shqipëri-Kosovë?

Nëse kontrollon të dhënat për eksportet shqiptare dhe ato kosovare pranë Agjencisë së Sigurisë Ushqimore në Komisionin Europian, kërkimi i AgroWeb.org del i pastër. Shqipëria dhe Kosova janë dy nga eksportueset e rregullta të vendeve të Bashkimit Europian me fruta-perime.

Si në rastin e Serbisë dhe të çdo shteti tjetër eksportues, edhe prodhimet shqiptare të Shqipërisë e Kosovës, kalojnë përmes kontrollit të rreptë në pikat kufitare të çdo shteti ku ato eksportohen duke iu nënshtruar të gjitha analizave laboratorike.

Sipas të dhënave të Komisionit Europian prodhimet shqiptare të fruta-perimeve si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova përmbushin të gjitha normat e Bashkimit Europian për t’u cilësuar si prodhime të shëndetshme për konsumatorët europianë.

Aktualisht, produktet shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova kanë zënë një vend të rëndësishëm në tregjet europiane të fruta-perimeve duke u shndërruar në dy shtetet më të certifikuara të Ballkanit për eksportin e këtyre prodhimeve. /AgroWeb.org