Fondi i Garancisë zhbllokon financimin e agrobiznesit

452 0

Financimi rural është ndoshta pjesa më kritike për tu kapërcyer nga sistemi bankar shqiptar, i cili në 20 vitet e fundit ka treguar pak interes për kreditimin e sektorit bujqësor. Madhësia e vogël e fermave, produktiviteti dhe të ardhura të ulëta nga prodhimet, pretendimet e vazhdueshme mbi pronësinë e tokës, mungesa e kapacitetit për të paraqitur një plan të qendrueshëm biznesi, dhe më e rëndësishmja mungesa e kolateralit, kanë bërë që bankat të jenë skeptike për kreditimin e sektorit bujqësor. Një sektor, i cili paradoksalisht është dhe një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar rreth 19.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sektori që ka më shumë potencial për zhvillim. Është e qartë se marrëdhëniet bankier-fermer nuk kanë qenë ndër më të mirat, por në rastin kur të dy palët arrijnë të shohin potencial zhvillimi nga bashkëpunimi me njëri tjetrin, atëherë dhe marrëdhënia ndryshon.

Dhe në fakt, këtë do të përpiqet të bëjë dhe instrumenti i ri i financimit “Fondi Kombëtar i Garancisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”. Në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe BERZH-in, ky Fond do të adresojë mungesën e kolateralit si problem kreditimi tek fermerët si dhe do të stimulojë bankat që të rrisin aktivitetet e tyre kredituese në bujqësi, në mënyrë që të zhbllokohet ky sektor kaq i rëndësishëm për ekonominë.

Në një intervistë eksluzive për Agroweb, Christoph Denk, kreu i BERZH për Shqipërinë i përgjigjet disa nga pyetjeve më thelbësore mbi mënyrën se si do të funksionojë ky Fond, si do të zhbllokojë kreditimin në sektorin bujqësor, si do të ndahet përqindja e rriskut mes tre palëve: banka, qeveri BERZH dhe më e rëndësishmja kush do të marrë vendimin për kreditimin. Denk ka një përgjigje për secilën prej tyre.

Christoph Denk, kreu i BERZH për Shqipërinë

"Fondi Kombëtar i Garancisë për Kreditimin e Bujqësisë”, i cili do të implementohet nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pritet të ketë një ndikim në të gjitha ndërmarrjet e sektorit bujqësor. Cili ishte potenciali që patë në këtë projekt dhe kush është roli specifik i BERZH-it në të?

Shqipëria ka një potencial shumë të madh në bujqësi. Por ka dhe një sërë pengesash që ia bllokojnë rrugën. Kjo përfshin disa çështje strukturore të tilla si; fragmentarizimi i tokës, informaliteti dhe pasiguria mbi pronësinë e tokës. Si pasojë edhe e këtyre çështjeve, agro-bizneset shpesh e kanë të vështirë për të marrë financim. Më lejoni t’iu jap një shembull më specifik në lidhje me këtë: Aktualisht ka një një numër grantesh për investime në dispozicion për agro-bizneset, por ato mund të paguhen vetëm pasi të ketë përfunduar projekti. Por në qoftë se nuk ka asnjë financim në dispozicion që të fillojë projekti, misioni bëhet i pamundur.

Eshtë një lajm shumë mirë, që qeveria ka ndërmarrë këtë inciativë për zgjidhjen e këtij problemi përmes Fondit të Garancisë. Për këtë Fond, BERZH po punon ngushtësisht me qeverinë, me bankat dhe me institucionet financiare për të krijuar Instrumentin e Financimi të Agrobiznesit.

Fondi ka gjeneruar interes të veçantë tek komuniteti i agro-biznesit dhe tek ai bankar. Pyetja kryesore që ata ngrenë është se si do ta zhbllokojë ky fond kreditimin në bujqësi?

Ideja kryesore e Instrumentit të Financimit të Agro-biznesit nga BERZH, e cila ashtu siç e përmenda edhe më lart është një projekt që do të përfitojë nga Fondi Kombëtar i Garancisë, është të zhbllokojë financimin e agrobiznesit duke e ndarë rriskun mes tre palëve: (1) Bankave të nivelit të dytë ose institucioneve të mikrofinancës (2) Qeverisë shqiptare përmes Fondit Kombëtar të Garancisë dhe (3) BERZH-it. Për ta specifikuar më shumë, ideja është që Qeveria shqiptare do të sigurojë një shumë të caktuar nga buxheti i saj, si garanci, ose siç quhet ndryshe fond garancie që mbulon humbjet e para të kredisë apo portofolit të kredive. Kjo bëhet në mënyrë që të mbrohet portofoli i kredive të agro-biznesit nga humbjet që mund të ndodhin. Në shtesë të kësaj. BERZH-i gjithashtu do të sigurojë një garanci shtesë për të ndarë rriskun e portofolit të kredisë së agrobiznesit me bankat apo institucionet e mikrofinacës. Kjo skemë i siguron mbrojtje institucioneve financiare, të cilat duhet të ndihen më të sigurta dhe të inkurajohen për të rritur kreditimin e këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë. Duke e ndarë rrezikun me BERZH-in, institucionet financiare mund të sigurojnë dhe lehtësim të kapitalit-një benefit ekstra ky, i cili pritet t’iu mundësojë atyre rritjen e kreditimit.

Gjithashtu në shtesë të garantimit të ndarjes së rriskut, BERZH do të sigurojë fonde për bankat apo institucionet financiare, të cilat kanë nevojë për fonde për të kredituar sektorin e agrobiznesit. Ne besojmë se kombinimi i të gjithë këtyre elementeve, do të përmirësojë në mënyrë të dukshme aksesin ndaj financimit të agrobinzesit në Shqipëri.

Çfarë madhësie të portofolit të kredive do të mbulojë ky Fond?

Funksionimi i saktë dhe masa e këtij instrumenti financiar do të përcaktohet në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe ndërmjetësuesve financiarë.

Kush do të përfitojë më shumë nga ky instrument fermeri apo banka që i jep kredinë fermerit?

Qëllimi është që të zhbllokojmë financimin e agro-bizneseve. Më duhet të theksoj se përveç fermerëve, kjo skemë përfshin të gjithë sistemin zinxhir të agro-biznesit, duke përfshirë këtu agro përpunimin, logjistikën, ruajtjen dhe shitjen me shumicë e pakicë. Kjo do t’iu mundësojë sipërmarrësve që të realizojnë projektet e tyre investuese dhe të rrisin në këtë mënyrë biznesin e tyre. Bankat dhe institucionet e tjera financiare jane ndermjetesuesit. Ne duam t’i inkurajojmë ata që ta japing kredi. Qëllimi ynë është që të krijojmë një situatë të favorshme për të gjithë palët.

Kur pritet të startojë Fondi dhe në çfarë harku kohor pritet që të implementohet dhe mbi të gjitha si do të siguroni që marrëdhënia mes fermerëve dhe bankave të shkojë normalisht gjatë të gjithë këtij procesi?

Ne shpresojmë që instrumenti financiar të jetë gati në muajt e ardhshëm. Ne do të punojmë ngushtësisht me ndërmjetësuesit financiarë për ta vënë në funksion sa më shpejt të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë është mjaft e rëndësishme që të punohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me agro-bizneset për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe për ti këshilluar në përgatitjen e planeve të investimit dhe mundësitë për financim. Qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqiperise (duke përfshirë BERZH) po punojnë intensivisht për këtë.

Si fermerët ashtu dhe bankierët kërkojnë detaje më specifike. Si përshembull sa përqind të kolateralit do të mbulohet nga Fondi, sa është shuma e kredisë që ata mund të marrin dhe mbi të gjitha, kush do t’i marrë këto vendime?

Detajet e funksionit të këtij instrumenti janë ende në proces dhe do të përcaktohen në bashkëpunim me institucionet financiare dhe Qeverinë, duke marrë në konsideratë nevojat e tregut shqiptar. Por ajo që është e qartë është se vendimi për dhënien e kredive individuale do të bëhet nga bankat dhe nga institucionet e mikrofinancës, të cilat do të aplikojnë kushtet e tyre komerciale sipas rastit.

Në një këndvështrim më të gjerë, çfarë impakti mendoni se do të ketë ky Fond në ekonomi. Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me këtë program?

Ajo çka mund të them është se bujqësia shqiptare ka një potencial të madh të pashfrytëzuar. Duke zhbllokuar financimin e agro-bizneseve, duke iu krijuar atyre mundësinë të përfundojnë projektet e tyre investuese, ne besojmë se ky sektor mund të kontribuojë edhe më shumë në rritjen ekonomike dhe në punësimin në vend. Ne gjithashtu besojmë se ka një potencial të madh për të rritur eksportet e disa produkteve të caktuara bujqësore, duke u hapur kështu në më shumë tregje e duke kontribuar në më shumë rritje ekonomike.