Fruta Shqiptare edhe në Vendet e Vodkës

841 0

Në supermarketet e Gjermanisë do të gjeni birrë nga më të mirat, kremviçet e famshme wurstel dhe…domate shqiptare të eksportuara nga Kujtim Lika. Vetë Kujtimi kur nisi biznesin e tij të eksportit në Divjakë nuk do ta kishte imagjinuar se një mik do t’i telefononte nga Gjermania e do t’i thoshte se në një supermarket kish hyrë për të blerë një kg domate dhe kur kish lexuar “Made in Albania” kishte blerë plot dy arka, duke thënë me vete “Patjetër do jenë të Kujtimit”.

Është butë jashtë, por në mjediset frigoriferike të grumbullimit të Kujtim Likës është ftohtë, -2 gradë celcius. Duhet të mbahen të freskëta kumbullat që do të ngarkohen në darkë në kamiona për t’u nisur larg, shumë larg, në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, nga ku mund të përfundojnë deri në Rusi. E vështirë për t’u besuar por Kujtim Lika ka pasur këtë vit aq punë me eksportet në Lindje sa ka ngarkuar edhe 17 kamiona në ditë, me kumbulla, hurma e domate të grumbulluara nga fermerët. Po, janë të famshme hurmat shqiptare në Rusi, ashtu si domatet në Gjermani. E dini? Një kg hurma shqiptare kushtojnë rreth 10 euro në tregjet ukrainase dhe ato ruse. “Të kisha mundësi? Do t’i mbushja tregjet rajonale, europiane e lindore me domate, kumbulla, bostan e lakra shqiptare” thotë Kujtimi me entuziazmin që i bie teksa vijon “…por Shqipëria s’ka prodhim aq sa duhet.”

Një kg hurma shqiptare kushtojnë rreth 10 euro në tregjet ukrainase dhe ato ruse

Bujqësia është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, nga të vetmit sektorë me rritje në një kohë krize ekonomike globale. Klima? Tejet e favorshme. Por çfarë i mungon Shqipërisë që të mos ketë aq shumë prodhim? Kujtimi thotë esencialet: parcela të vogla që nuk të krijojnë mundësi prodhimi të bollshëm, toka të fragmentuara dhe thelbësorja; mungesa e çertifikimit me standarde europiane. “Nëse në Shqipëri do të kishte prodhues të çertifikuar, ekportet shqiptare do të ishin të shumëfishuara”, thotë Kujtimi ndërsa na tregon peripecitë për të mbajtur fort partnerët e tij në Europë e Rusi, duke seleksionuar me kujdes të gjitha prodhimet që i vijnë në pikën e tij frigoriferike të grumbullimit.

“Për mua, eksporti nuk është vetëm Divjaka, është e gjithë Shqipëria”, thotë Kujtimi, duke na rrëfyer sesi lidhet me furnizuesit e domateve në Shkodër, me ata të arrave në Peshkopi, me ata të hurmave në Fushë-Krujë e limonave në Tiranë. Ka edhe humbje, pasi cilësia nuk ështe e mirë dhe Kujtimit i duhet ta seleksionojë mallin përpara se ta eksportojë. Humbja është 10-20% gjë që për Kujtimin është e kompensueshme. Kujtimi ka arritur të marrë edhe produkte nga rajoni për të plotësuar kërkesat e tregjeve europiane dhe lindore. Kujtim Lika me nuhatjen prej biznesmeni po mundohet të plotësojë kërkesat për sasi të mëdha, duke kontaktuar me furnizues brenda e jashtë kufijve. Ai eksporton produkte shqiptare në mbi 18 shtete. Që prej nisjes së biznesit nuk ka bërë asnjë ditë pushim, asnjë orë.

Ora 7 e mëngjesit e gjen në punë, të cilën e mbyll shpesh rreth orës 2 pas mesnate. Duhet të jetë vetë qysh në kontaktin me fermerët furnizues, në seleksionimin e produkteve, ambalazhimin, pengesat në doganë. Në krah të mjediseve ekzistuese frigoriferike të tij në Divjakë, Kujtimi po punon me një investim të ri prej rreth 350 mijë dollarësh. Përmes projektit AgroKapital, financuar nga USAID e që po zbatohet nga organizata e konsulencës CBS, Kujtimi gjeti mbështetje për plotësimin e dokumentacionit të aplikimit për grant nga AZHBR-ja.

Kujtimi ka aftësi për të gjetur e siguruar financim, por denjësisht i është mirënjohës USAID-it dhe projekteve mbeshtetëse për bujqësinë shqiptare. Plotësimi korrekt i dosjes së plotë e bëri Kujtim Likën fitues të një granti që mbulon 50% të investimit të tij. Qetësisht por bindës ai thotë se Shqipërisë i erdhi momenti i duhur. Për vite me rradhë, Kujtimi është i sigurt se tregjet e Ballkanit, Europës por edhe përtej do të jenë “të pushtuara” nga eksportet shqiptare. Mençurisht, fermerët shqiptarë po zgjohen.