Fundjava Sjell Pluhur nga Sahara në Shqipëri

643 0

Vala e parë e të nxehtit të vitit 2017 ka përfshirë rajonet qendrore dhe jugore të Shqipërisë. Që prej të enjtes datë 11 Maj 2017, erërat e shirokut kanë rritur maksimalisht nivelin e transportimin të rërës në atmosferë nga shkretëtira e Saharasë.

Këto erëra të nxehta të jugut janë përgjegjëse për një rritje në temperatura që do të sjellin temperatura rreth 30 ° C në pjesën perëndimore dhe qendrore të Shqipërisë. Erërat e forta të shirokut po mbartin rërë Sahariane në formë pluhuri në rajonet tona.

Pluhuri është përgjegjës për një rritje të probabilitetit të reshjeve të dobëta dhe të izoluara në rajonet qendrore dhe jugore, sepse shërben si një bërthamë për kondensimin e lagështisë së pranishme në ajër dhe që bien në tokë në formën e shiut të baltosur.

Stuhitë e rërës dhe të pluhurit ndodhin në kushtet kur ajri tejnxehet mbi sipërfaqet e shkretëtirës duke shkatuar instabilitet të fuqishëm të shtresës së poshtme të atmosferës.

Rrjedhimisht, gjenerohen stuhi të forta të erës të cilat ngrejnë sasi të mëdha të rërës dhe pluhurit të shkretëtirës të cilat i transportojnë për qindra dhe deri në disa mijëra kilometra, sipas të dhënave të Meteo.it.

Problemi kryesor i qarkullimit të këtyre stuhive është impakti i lartë në shëndetin e njeriut. Grimcat e pluhurit dhe të rërës në ajër jo vetëm përkeqësojnë por edhe janë iniciatorë të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe meningjitit.

Konkretisht, për territorin shqiptar parashikohet që mesdita e ditëve të fundit të kësaj jave, të sjellë shtim të përqëndrimit të grimcave të ngurta, jo vetëm në shtresat e ulëta të atmosferës, por edhe pranë sipërfaqes së tokës. Kjo, si pasojë e qarkullimit jugperëndimor të masave ajrore të cilat do të vazhdojnë të sjellin në territorin shqiptar sasi të rërës dhe pluhurit të Afrikës Veriore.

AgroWeb ju tregon se në këto kushte atmosferike nuk rekomandohet larja e makinave. Shirat lokalë dhe të shkurtër të shkaktuar nga prania e pluhurit të Saharasë do të shkarkojnë në në tokë pjesën më të madhe të pluhurit që qëndron pezull në ajër./AgroWeb.org

Situata aktuale e masave të pluhurit në ajrin e Mesdheut dhe Shqipërisë. Foto: Meteo.it