Fundjavë në Qeparo me shijen e Vajit të Ullirit Shqiptar

658 0

Këtë fundjavë, në datat 5 dhe 6 nëntor 2016, USAID/Albania dhe AAC – Lushnja organizojnë panairin “Qeparo 2016”, ku do të keni mundësinë të merrni pjesë në aktivitetet e ndryshme të planifikuara. Qëllimi kryesor është zgjerimi i njohurive për zbatimin e praktikave të mira në procesin e vjeljes, transportimit dhe përpunimit të ullirit për vaj.

Ndërgjegjësimi i vizitorëve, ullishtarëve të zonës, nxënësve të shkollave dhe institucioneve lokale dhe qendrore, është tema kryesore e aktivitetit të organizuar në Himarë.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër mënyrat e duhura hapat që duhen ndjekur për të prodhuar një vaj ulliri sa më cilësor.
 Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit do të jenë të pranishëm në një trainim mbi njohuritë e përgjithshme për testimin e vajit të ullirit nga ekspertë të Panelit të Shijimit në një sesion degustimi.

Nga Himara, aktiviteti do të zhvendoset në Qeparo ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shohin nga afër përpunimin e ullinjve për tavolinë, si edhe të shijojnë produkte të zonës si gliko, vaj ulliri, raki, reçel, etj. Do të ketë gjithashtu edhe vende ekspozimi të punime artizanale dhe vizita të organizuara në disa pemëtore të zonës, si edhe demonstrim gatimi nga fituesi i Masterchef Albania 2015. Aktiviteti do të pasohet nga vizita në fshatin e vjetër të Qeparoit.

Pamje nga fshati i vjetër i Qeparoit. Foto: Flickr

 

Vjeshta është koha e vjeljes së ullirit dhe e përpunimit të vajit të mrekullueshëm të florinjtë që del prej kokrrave të gjelbra. Të gjendur mes dhjetra alternativash dhe markash në markete, shqiptarët që duan një vaj cilësor, ose zgjedhin më të shtrenjtin ose më së shumti mund ta blejnë direkt nga prodhuesi i besuar. Aktiviteti i Qeparo i shërben njohjes së metodave më të mira të zinxhirit të vajit cilësor të ullirit shqiptar, që nga vjelja, transportimi dhe përpunimi i frutave të ullirit.

Në të gjitha krahinat shqiptare gjenden fabrika dhe punishte ku prodhohet vaj ulliri i freskët dhe do të keni mundësinë të argëtoheni dhe të provoni vajra të mrekullueshme të ullirit.

Këto fabrika gjenden pranë ullishtave historike, të përqafuara me natyrën, ndaj aktiviteti i Qeparoit është një rast i përkryer për ty dhe familjen tënde për të ndjekur nga afër gjithçka të mirë që vjen nga cilësia e vajit shqiptar të ullirit të bashkuar me traditat mikpritëse të Jugut të Shqipërisë. /AgroWeb.org

Për programin e plotë të aktivitetit në Qeparo, kliko këtu.