Fuqia e Luleshtogut

1.1k 0

Një nga pijet e mia të preferuara të të gjitha kohrave mban emrin Hugo. E zbulova kur po vizitoja Austrinë për herë të parë. Në këtë vend, Hugo është shumë e famshme, veçanërisht gjatë verës.

Hugo përgatitet nga vera e bardhë Proseco, ujë të gazuar, shurup shtogu dhe mente. Elementi më thelbësor i këtij kokteili është shurupi i luleshtogut. Austriakët janë të çmendur pas shtogut. Atë e përdorin jo vetëm për pije, por edhe në ëmbëlsira, mjekësi etj.

Përgatitja e shurupit të shtogut kërkon lulet e shtogut, sheqer acid citrik, limonë, një tenxhere të madhe (ku do të ziejnë të gjithë përbërësit) dhe durim për 4-5 ditë. Më pas do të keni mundësinë të shijoni të gjithë limonatat e shijshme Hugo gjatë gjithë vitit.

Shtogu vjen nga familja botanike Sambucus. Disa bimë të kësaj familje janë helmuese ndërkohë që lloji i bimës Sambucus Nigra që gjendet në zona të ngrohta të Evropës si Shqipëria dhe Amerikës së Veriut, përdoret për përgatitjen e shurupit të lartpërmendur apo likerëve siç janë St. Germain në Francë apo Socată në Rumani.

Kokrrat e shtogut janë të ngrënshme dhe përdoren për përgatitjen e ëmbëlsirave, tartave, salcave në kulinarinë Italiane, Austriake dhe Gjermane. Këto vende mburren me një gatim që quhet "Hollerküchel" dhe që përgatitet me lulet dhe kokrrat e shtogut të lyera në brumë dhe të skuqura. Ato spërkaten me sheqer dhe kanellë dhe shërbehen si ëmbëlsirë.

Vlerat e shtogut


Të gjitha pjesët e pemës së shtogut janë të ngrënshme, përfshirë gjethet, lulet dhe kokrrat të cilat janë përdorur në mjekësinë popullore që në kohën e Hipokrati. Në mesjetë, rrënjët e bimës përdoreshin për aftësitë diuretike dhe laksative, ndërkohë që lëvozhga përdorej për të lehtësuar lindjen, larguar dhimbjet, dhe ofruar energji për nënat pas lindjes.

Shtogu është përdorur edhe kundër të ftohtit, kollës, virozave dhe temperaturave. Kokrrat e tij forcojnë sistemin imunitar. Aplikimi i shtogut ndihmon kundër inflamacionit të lëkurës dhe alergjive.

Shtogu është një pasuri e rëndësishme e njeriut për detoksifikimin. Çaji i shtogut (që përgatitet nga lulet dhe jo kokrrat) zgjeron funksionet e mëlçive dhe ndihmon djersitjen duke larguar kështu toksinat dhe metalet e rënda.

Në të shkuarën, njerëzit i shtypnin gjethet e shtogut që lëshonin një erë të keqe dhe i vendosnin ato në krifën e kalit për të larguar insektet gjatë kalërimit. Kokrrat nga ana tjetër përdoreshin për ngjyrosjen natyrale të flokut.

Në ditët e sotme, shumë njerëz e mbjellin shtogun në kopshtet e tyre për të trembur minjtë dhe brejtës të ndryshëm. Rrënjët e shtogut çlirojnë acid prusik që është mjaft helmues për brejtësit.

Shtogu në folklor

Në folklorin e Britanisë së Madhe dhe vendeve Skandinave, pema e shtogut besohet të jetë e shenjtë. Komunitetet e këtyre vendeve besojnë se Nëna e të gjitha Erëzave jetonte në pemën e shtogut, ndaj trungu i saj nuk duhej prerë apo djegur që kjo figurë mistike të mos mërzitej. Në foklorin e vendeve ballkanike, pema e shtogut nuk duhet djegur ose sjellë në shtëpi, sepse përcjell energji negative.

Shumë kultura besojnë se pema e shtogut ka aftësinë të mbajë larg shpirtrat e këqinj ndaj rekomandojnë mbjelljen e saj jashtë derës së shtëpisë. Në Danimarkë, besohet se nëse qëndron nën pemën e shtogut në datën 24 qershor do të kesh mundësinë të shohësh zanat, elfë dhe krijesa të tjera mistike./AgroWeb.org

 

*AgroWeb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej tre vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.