Gjethet e Fikut të Detit – Risia Për Cilësinë e Jetës

1.1k 0

Gjethet e fikut të detit janë një lloj barishte që mblidhet nga fruti-perim që të huajt e njohin si “dardha me gjemba”. Këto gjethe janë në ngjyrë të gjelbër ose me nuanca vjollcë dhe janë të mëdha sa pëllëmba e dorës. Trashësia e këtyre gjetheve është njësoj si e specave apo bishtajave. Ato kombinohen mirë me vezët dhe perimet e skuqura.

Vendlindja e tyre është Mesdheu, përfshirë Shqipërinë, sidomos Rivierën Jugore. Rrjedhimisht njerëzit zakonisht konsumojnë frutin dhe jo gjethet. Por së fundmi në Evropë ka marrë udhë tradita e konsumit të gjetheve magjike.

Fiqtë e detit janë kthyer në kulturën më të mbjellë së fundmi në Itali dhe Greqi, pasi përveç vlerave të pazakonta të frutit që shitet shtrenjtë në vendet e Bashkimit Evropian, edhe gjethet e bimës janë tendenca e fundit e gjelbër e restoranteve të mbarë kontinentit.

Në Shqipëri fruti është një nga më të nënvlerësuarit dhe më pak të njohurit, ndërsa gjethet as nuk i shkojnë kujt në mendje. Por vlerat e frutit dhe t&eeuml; gjetheve po përdoren në mënyrë masive nga evropianët edhe pse kushtojnë jo pak.

Gjethet më të mira të fikut të detit janë ato të voglat që dalin mbi gjethet e tjera, sa më të vogla që të jenë aq më të freskëta dhe plot ujë do të jenë.

Si t’i hiqni gjembat? Asnjë problem dhe zgjidhja është shumë e thjeshtë. Merrni një kullesë, vendosni në të gjethet e fikut të detit dhe i mbuloni me një kapak. Tundeni dhe shkundeni mirë për disa minuta kullesën dhe kapakun të mbyllur dhe do të shikoni që të gjithë gjembat do të kenë rënë.

Vlerat ushqimore të gjetheve të fikut të detit

Pasuria e madhe shëndetësore që vjen nga gjethet e fikut të detit i atribuohen përmbajtjes së lartë të vitaminave, që përfshijnë riboflavinën, vitaminën B6, bakrin, hekurin, fibrën, vitaminën A, vitaminën C, vitaminën K, kalciumin, kaliumin, magnezin dhe manganin. Le të eksplorojmë disa prej vlerave shëndetësore që njerëzit kanë përfituar nga gjethet e fikut të detit prej mijëra vitesh.

Vlerat shëndetësore të gjetheve të fikut të detit

Tretja: Gjethet e fikut të detit janë të mbushura me fibra dietike, e cila është thelbësore për proçesin e tretjes, sepse ndihmon lëvizjen e rregullt të zorrëve dhe mbarëvajtjen e gjithë sistemit tretës. Për më tepër, fibra e tepërt në trup mund të ulë kolesterolin, rrjedhimisht të mbrojë edhe shëndetin e zemrës.

Rënie nga pesha: Fibra e bën organizmin të ndihet i ngopur dhe parandalon çlirimin e hormonit të urisë dhe si rrjedhojë ngrënien e tepërt. Së dyti, kjo barishte përmban nivele të ulëta të yndyrnave të ngopura dhe kolesterolit, por nga ana tjetër e bën trupin të punojë fort pa shtuar në peshë,

Forcon metabolizmin: Një nga aspektet më të vlefshme të gjetheve të fikut të detit është sasia e mineraleve dhe vitaminave. Këto gjethe përmbajnë thiaminë, riboflavin, niacin dhe vitaminë B6, përbërës jetësorë për metabolizmin e qelizave dhe rregullimin e funksioneve të enzimave në organizëm.

Forcon kockat: Përmbajtja minerale e kësaj gjetheje kaktus të fuqishëm përfshin kalciumin që është pjesë thelbësore e kockave të forta dhe rikuperimit të tyre.

Përmirëson gjumin: Kjo barishte përmban magnez i cili është një mineral i dobishëm për të ngjallur ndjesinë e gjumit tek njerëzit që vuajnë nga pagjumësia, ankthi kronik dhe nervozizmi. Ajo ndihmon çlirimin e serotoninës në organizëm, që nga ana tjetër rrit nivelet e melatoninës.

Inflammacioni: Lëngu që merret nga gjethet lufton inflamacionin në disa pjesë të trupit, veçanërisht në zonat e goditura nga reumatizma, plagët, dhimbjet e kyçeve dhe tendosjet muskulare. Nëse lyeni zonat e prekura me këtë lëng, ose konsumoni vetë gjethet, do të përfitoni këto vlera.

Shëndeti i lëkurës: Vetitë antioksidante të gjetheve të fikut të detit e bëjnë atë një mekanizëm perfekt mbrojtës kundër simptomave të plakjes së hershme, si rrudhat dhe njollat.

Diabeti: Ekstrakti nga gjethet kaktus janë të fuqishme në rregullimin e niveleve të glukozës në organizëm. Pacientët që vuajnë nga diabeti i tipit dy e që konsumojnë këto gjethe do të përftojnë uljen e niveleve të glukozës pas ngrënjes, e si rrjedhojë do të menaxhojnë diabetin më lehtë.

Ulçera: Gjethet e fikut të detit janë përdorur tradicionalisht si një kurë kundër ulçerës së gastritit. Fibra, parandalon formimin e ulcerës sidomos tek ata që vuajnë nga konsumi i tepërt i alkolit. Mjafton ta shtoni në dietën tuaj dhe do të përmirësoni cilësinë e jetës./AgroWeb.org