Gliko Kajsie, Delikatesë në Përgatitje dhe Shije

434 0

Shija dhe delikatesa shqiptare e përgatitjes së glikove është unike në botë. Glikoja e arrës, shalqinit, qershisë e shumë frutave të tjera, mes tyre edhe kajsia, janë të gjitha një nga traditat më të ëmbla të mjeshtërisë së amvisave shqiptare. Sot, AgroWeb.org sjell një nga recetat më të dashura të traditës së glikosë shqiptare, përgatitjen e glikosë së kajsisë.

I gjithë procesi i përgatitjes së glikove është art më vete. Edhe në rastin e glikosë së kajsisë, përveç kujdesit në të gjitha fazat e përgatitjes duhet shumë durim dhe sigurisht edhe dashuri.

Hapi i parë në përgatijen e kësaj lloj glikoje është vendosja e kajsive në gëlqere. Një proces ky që shërben në forcimin e çdo fruti që i nënshtrohet përgatitjes në formën e glikosë.

Si fillim, kajsitë pastrohen nga bërthamat duke bërë kujdes që ruajnë të padëmtuar formën e tyre të rrumbullakët. I vendosim në një enë me ujë të freskët në mënyrë që kajsitë të ruajnë bukurinë e ngjyrës së tyre, e më pas i kullojmë.

Ndërkohë, në një enë me dy litra ujë hedhim dy lugë gjellë gëlqere dhe i përzejmë derisa masa të tretet. Më pas, nisim pastrimin e lëkurës së kajsisë me shumë kujdes për të mos dëmtuar formën. Të gjitha kajsitë e qëruara i vendosim në enën me gëlqere duke i lënë aty përreth një orë duke i trazuar herë pas here. Pas këtij procesi, kajsitë hiqen nga ena me ujë e gëlqere dhe shpëlahen mirë me ujë të rrjedhshëm në mënyrë që të largohet gjithë mbetjet e gëlqeres.

Element tjetër shumë i rëndësishëm në përgatitjen e glikove dhe në këtë rast, asaj të kajsisë është përgatitja e shurupit. Gjithçka ka të bëjë me mjeshtërinë e përgatitjes së sherbetit me sheqer dhe ujë. Dy gota ujë dhe 1 kg e 800 g sheqer i hedhim në një tenxhere duke i trazuar derisa sheqeri të tretet tërësisht. Më pas i vendosim në zjarr dhe i lëmë të zjejnë, në momentin që nisin të nxjerrin shkumë e largojmë atë me lugë. Për të mbajtur lugën të pastër nga shkuma, mbajmë mënjanë një enë me ujë të ftohtë, të cilën shpëlajmë lugën sa herë që largojmë shkumën.

Në momentin që sherbeti nuk nxjerr më shkumë, marrim kajsitë dhe i zhysim në tenxheren me sherbet duke i ulur me një lugë derisa të mbulohen tërësisht nga shurupi.

Pas këtij procesi, kajsitë i lëmë të zjejnë dhe në momentin që masa nis të nxjerrë shkumë e largojmë atë me anë të një luge, të cilën e pastrojmë herë pas here me ujë të pastër. I lëmë të zjejmë për 15 minuta nga nisja e vlimit dhe më pas i heqim nga zjarri. 

Tenxherja me kajsitë gliko lihet për një ditë në një hapësirë të freskët. Ditën e dytë, kajsitë vendosen edhe njëherë në zjarr ku lihet të zjejnë për vetëm 10 minuta nga momenti i vlimit. E largojmë nga zjarri dhe e vendosim tenxheren sërish në një vend të freskët edhe për 24 orë të tjera. Ditën e tretë, kajsitë vendosen sërish të zjejnë derisa shurupi të arrijë një masë të lidhur, pak më i lënshëm se mjalti.

Gjatë procesit të zjerjes, kur glikoja të nisë të mbulohet me shkumë hedhim lëngun e limonit, e përzjejmë me kujdes dhe e heqim nga zjarri. Sipas dëshirës, për më shumë aromë mund ti hedhim gjethe barbaroze ose vanilje.

Pas përfundimit të përgatitjes, kajsitë gliko duhet ti lëmë dy ditë në tenxheren ku u përgatitën, më pas glikotë i vendosim në kavanoza qelqi dhe i ruajmë në frigorifer. Sipas dëshirës, brenda çdo kajsie gliko para se ti vendosim në kavanoza mund tu fusim brenda edhe nga një bajame të qëruar./AgroWeb.org

Përbërësit

2 kg kajsi të qëruara nga bërthamat dhe lëkura
1 kg e 800 gr sheqer
2 gota ujë
1 luge kafeje limontos(ose lëngun e një kokrre limoni)
2 lugë të vogla vanilje
Gjethe barbaroze sipas dëshirës 

Për gëlqeren

2 lugë gjelle gëlqere e shkrirë
2 litër ujë