Google sugjeron energjinë diellore

579 0

Nëse nuk dimë diçka, duam të kërkojmë për diçka, të shohim se çfarë bëjnë miqtë e armiqtë puna e parë që bëjmë është t’i ‘gugllojmë’. Përveçse na bën të dukemi më të zgjuar, Google do të na bëjë edhe më të pasur, duke na e përgjysmuar faturën e energjisë elektrike. Motorri i kërkimit më i madh në botë ka nxjerrë një aplikacion të ri, që i sugjeron njerëzve të marrin në konsideratë energjinë diellore duke iu treguar pronarëve të banesave apo të bizneseve nëse duhet të montojnë ose jo panele diellore në çatitë e tyre.

Kështu nëse banoni në Pogradec apo Peshkopi dhe mezi ia dilni të ftohtit të dimrit me sobën me dru, do të ishte mirë të merrnit në konsideratë këtë aplikacion të ri, i cili pritet të përhapet në të gjithë botën, në mënyrë që të kurseni energji. Ky është rasti kur paratë ju bien nga qielli. Kjo vlen edhe nëse banon në Durrës apo Sarandë, apo në çdo cep të vendit që është i bekuar me ditë me diell. Dhe ne kemi shumë të tilla.

Mesatarisht në një vit, Shqipëria ka afërsisht 2400 orë diell, me një mesatare prej 240-300 ditë me diell, kështu që duket e qartë që shqiptarët duhet të ndjekin rrugën e diellit, ashtu siç në fakt po bën dhe pjesa më e madhe e botës.

Numri i pronarëve të shtëpive dhe bizneset të cilët kanë zgjedhur vendosjen e paneleve diellore në vend të burimeve e tjera të energjisë në Shqipëri është vazhdimisht në rritje dhe aplikacioni më i ri i Google do të japë një dorë më shumë për të kuptuar nëse dielli që rrëzit mbi çatinë e shtëpisë suaj është i mjaftueshëm ose jo për të prodhuar energji.

Projekti “Sunroof” i Google kombinon imazhet satelitore të Google Earth, duke përllogaritur madje dhe sa hije shkaktojnë pemët në çati, të dhëna mbi kushtet atmosferike të vendit, çmimet e energjisë në vend, madje dhe kontraktorët që mund t’iu nevojiten për instalimin e paneleve. Propozimi i Google është një mënyrë e shpejtë dhe e thjeshtë për të vlerësuar pro-të dhe kundrat e instalimit të paneleve diellore.

Me miliona njerëz kërkojnë çdo vit në Google në lidhje me energjinë diellore dhe për shkakt të ekspertizën e madhe me hartat dhe të dhënat me rezolucion të lartë, të cilat janë shfrytëzuar shumë edhe në Google Earth, ky aplikacion të ri të lehtë për t’u aplikuar nga njerëzit.

Google është dedikuar shumë së fundmi në investimin e energjisë së rinovueshme. Vitin e kaluar kjo kompani investoi 300 milionë dolllarë në një fond që financon projektet e paneleve diellore në çatitë e banesave.

Për të përdorur aplikacionin Sunroof, çdo njeri që jeton në një nga zonat e testit (për momentin është vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës) i duhet vetëm të fusë adresën e banimit. Programi më pas arrin të nxjerrë të dhëna mbi sasisë e diellit që bie mbi çatinë tuaj gjatë vitit, duke marrë në konsideratë dhe faktorë të tillë si hija, orientimi i çatisë dhe ndryshimi i motit. Gjithashtu ofrohet dhe opsioni për të futur faturën e energjisë elektrike për të pasur rezultate më të personalizuara.

Pozita e Shqipërisë, e cila ka një klimë mesdhetare, krijon kushte të favorshme për një zhvillim të qëndrueshëm të energjisë diellore. Intensiteti i lartë i rrezatimit diellor, kohëzgjatja e saj relativisht e gjatë, temperatura dhe lagështia e ajrit janë pikërisht elementet që kontribuojnë për këtë qëllim. Klima mesdhetare me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë dhe të thatë mundëson Shqipërinë të ketë potenciale të larta në përdorimin e energjisë diellore sesa mesatarja e vendeve evropiane.

Shqipëria ka një energji të konsiderueshme, që vjen nëpërmjet rrezatimit diellor. Kjo sasi ndryshon nga 1200 kWh / m2 në pjesën verilindore të vendit (zonës që ka sasinë më të ulët të rrezatimit diellor) deri në 1600 kWh / m2 në zonën e Myzeqesë, e cila është zona që ka një sasi të konsiderueshme të energjisë diellore. Mesatarja e rrezatimit diellor ditor mund të ndryshojë nga një minimum prej 3.2 kWh / m2 në verilindje (ditë në Kukës) deri në një maksimum prej 4.6 kWh / m2 në jug-perëndim (ditë në Fier). Prandaj, Shqipëria ka një mesatare rrezatimit diellor ditor prej 4.1 kWh / m2, e cila mund të konsiderohet si një regjim shumë i mirë i energjisë diellore. Ne e kemi diellin, tani është koha që ta përdorin atë me mençuri duke ndjekur trendin global e të sigurtë të aplikimit të energjisë diellore, si një mënyrë e shkëlqyer për të kursyer energjjinë aq të kushtueshme.

 Burimi i të dhënave “The solution Project”