Guida e tregut – Brokoli dyfish më shtrenjtë, hudhrat nga Kina

409 0

Tregu shqiptar vijon të furnizohet nga rajonet tradicionale vendase dhe të huaja. Përsa i përket fruta-perimeve janë rajonet e Lushnjes, Korçës dhe Sarandës që mbajnë peshën kryesore, ndërsa ndër shtetet furnizuese Greqia vijon të jetë partneri kryesor.

Lushnja mbetet një furnizues potencial i tregut agro-ushqimor me produkte cilësore si specat e kuq për 200 lekë/kg, specat jeshil 140 lekë/kg, panxharin 50 lekë/kg, finokun 100 lekë/kg, limonin 80 lekë/kg apo domatet që variojnë nga 90 deri në 120 lekë për kilogram. Referuar Tregut Agro-ushqimor të Tiranës dhe çmimeve me shumicë, brokoli ka një rritje të ndjeshme të çmimit për këtë muaj, pasi shkon deri në 350 lek/kg nga Greqia dhe 300 lek/kg i vendit, plot 60% më shtrenjtë se një muaj më parë. Gjithashtu edhe domatinat e Lushnjes vijnë me 300 lekë/kg, 50 lekë më shtrenjtë nga e njëjta periudhë e dhjetorit.

Agrumet si mandarinat apo portokallet, ashtu si gjithmonë mund t’i gjeni të Sarandës me çmimin për 50 lekë për kilogram. Ndërsa portokallet greke vijnë me 60 lekë/kg.


Korça vijon të furnizojë tregun me qepë, patate dhe sigurisht mollë. Çmimi i këtyre të fundit varion sipas cilësisë nga 20 deri në 70 lekë për kilogram. Çmimi i patates që kultivohet në Korçë dhe Divjakë varion nga 35 në 60 lek/kg, ndërsa fasulja e kuqe e Korçës është 180 lekë/kg, plot 70 lekë më lirë se ajo që importohet nga Egjipti.

Në krahasim me muajin dhjetor, hurma është ulur në 60 lekë/kg ndërsa arrat e Dibrës në 300 lekë/kg.

Ndër shtetet eksportuese në Shqipëri, vijon të mbajë nivele të lartë Greqia, Egjipti dhe natyrisht Ekuadori me bananet. Greqia na furnizon me fruta tropikale si mango me 400 lekë/kg, ananas për 200 lekë/kg dhe kivi për 130 lekë/kg. Por gjithashtu vijnë edhe produkte si selino për 250 lekë/kg, shega për 200 lekë/kg, qitro për 150 lekë/kg dhe rrushi i bardhë 250 lekë/kg. Nga Turqia importojmë kastravec dhe kungull, çmimet e të cilëve janë respektivisht 200 lekë/kg dhe 300 lekë/kg.

Ajo që bie në sy është fakti se importohet një sasi e konsiderueshme e hudhrës së thatë nga Kina, në një kohë kur rajoni i Korçës ka furnizuar tradicionalisht tregun me këtë produkt. Fakti që kjo hudhër vjen nga një shtet aq larg gjeografikisht, ngre pikëpyetje mbi freskinë dhe nivelin e konservantëve që përmban ky produkt. Për më tepër, hudhra e thatë nga Kina vjen me çmimin 350 lekë/kg, ndërkohë që ajo e Korçës kushton 50 lekë më pak.

Konsumatori shpesh vlen të orientohet drejt produkteve shqiptare të stinës, pasi jo vetëm mungesa e konservantëve garanton cilësi më të lartë, por edhe çmimet janë më të lira./AgroWeb.org