Shprehja se jeta është një portokall nuk është e pazakontë për Sarandën e këtij Dhjetori. Me ndryshimin e vetëm se në të vërteta jeta e kësaj ane ka formën e mandarinës. Vetëm 20 kilometra më në jug të një Sarande të vetmuar ku njerëz ka por njerëzit nuk dëgjohen, realiteti është ndryshe. Vetëm 20 minuta larg njërës nga qendrat turistike verore më të famshme të Shqipërisë, e kupton kollaj që je në Tokën e Mandarinave. Aq e fortë është aroma e tyre, sa e merr vesh se sa po i afrohesh zemrës së kësaj toke.
Ke lënë pas ndërtesat e panumërta t&eeuml; Sarandës dhe merr drejtimin e fushave dhe gjysëm kodrave jashtë qytetit. Nga makina, cepi i djathtë i syrit të kap pjesë të mëdha të Liqenit të Butrintit, kodra të Ksamilit dhe mbi të gjitha të mbushet me pemëtore të pafundta agrumesh.
Që je në drejtimin e duhur e qartëson, kur nga një tabelë e madhe mbi rrugë USAID dhe qeveria vendore të urojnë mirëseardhjen në Tokën e Mandarinave. Me një frymë je në Xarrë, më tej është Mursia dhe më tutje trekëndëshi mbyllet me Konispolin. Ky trekëndësh prodhon ato që ti ndoshta nuk i ke provuar, mandarinat e kësaj zone fluturojnë gati të gjitha për eksport. Ama sot mandarinat i ke të gjitha këtu në këtë tokë megjithëse jo për gjatë. Vargu i gjatë i trasportuesve me kamionë gati për ngarkim tregon se janë orët e fundit të tyre nëpër pemishte e më pas drejt tregjeve të huaja të rajonit. Është data 12 Dhjetor 2015 dhe banorët këtu kremtojnë Festën e Mandarinave, vjeljen e parë të prodhimit të tyre të këtij viti. USAID, AAC Lushnja dhe qeverisja vendore organizojne edhe sivjet Festivalin e Mandarinave që prej 4 viteve të fundit rradhazi, festa mbledh në këtë zonë banorët, kultivuesit e agrumeve, specialistë, tregëtarë, financues, bankierë, përfaqësues të pushteteve, por mbi të gjitha fëmijë të cilët mandarinën e kanë në damarë.
AgroWeb është këtu në qendrën e Mursisë së re për mandarinat, por edhe për festën. Ndërsa fëmijët dhe animatorët e kanë ndezur festën nga njëra anë, nga ana tjetër grupet folklorike shpalosin me valle kostumet e tyre tradicionale. Kur heq sytë nga skena, sheh në qendrën e fshtatit grupe të mëdha njerëzish kalojnë nga njëra stendë prodhuesisht tek tjetra, duke provuar ëmbëlsinë e mandarinave se aroma e tyre tanimë i ka depërtuar secilit nën lëkurë.
Janë kultivues që provojnë prodhimet e njëri tjetrit, tregtarë që kërkojnë të lidhin bashkëpunime, grumbullues, eksportues, përfaqësues të bankave m&eeuml; të mëdha në vend që mbështesin sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit si Raiffeissen, IntesaSanpaolo, Banka Amerikane e Investimit, NOA dhe prodhues të kulturave të zonës e të tjerë të vendosur në stenda nën këtë organizim tradicional. Përfaqësues të USAID në Shqipëri, pyetur nga AgroWeb thonë se në vitin 2006 në territorin e bashkisë së Konispoolit me agrume ishin mbjellë vetëm rreth 100 hektarë. “Tani hektarët e mbjellë me agrume janë rreth 724 nga të cilët prodhohen dhe merren 12,000 tonelata mandarina. Meqë vetëm 50 përqind e pemëve kanë hyrë në prodhim, në vitet e ardhshme, sasia e prodhimit mund të dyfishohet.” Mandarinat e zonës së Sarandës janë shumë të kërkuara për eksport dhe arrijnë tregjet e Kosovës, Republikës Çeke, Serbisë, Lituanisë dhe më tej.
Por kultivuesit e mandarinës nuk janë të lumtur megjithëse prodhojnë frutin e lumturisë. Ata janë të gjithë të përfshirë ethshëm në materializimin e punës së tyre gjatë vitit. Kjo është koha e vjeljes, koha e ngarkimit të arkave majë kamionave me destinacion tregjet e huaja. Ta thotë këtë buzagaz Dhimo Kote një nga kultivuesit dhe grumbulluesit kryesorë të mandarinës në krejt zonën e Konispolit. “Prodhimi i këtij viti ka qenë shumë i mirë, nuk mund të jemi të pakënaqur, por punën e madhe e kemi prapë përpara, kemi hapësira të reja për të kultivuar sepse këto pemishte që shihni nuk bëhen vetë brenda natës”, thotë Dhimo. Ai shton se për të siguruar mbarësinë e kultivimit dhe prodhimit është shumë e rëndësishme që të gjithë kultivuesit dhe prodhuesit e agrumeve të paraqiten si një bashkësi sa më e unifikuar në treg. “Është koha t’i qëndrojmë më afër njëri tjetrit, të përfitojmë nga eksperiencat e përbashkëta si kultivues dhe të flasim me të njëjtën gjuhë pasi vetëm kështu do të bëhemi edhe më të fortë në shitjen e prodhimit tonë dhe do të përfitojmë më tepër gjithmonë për të investuar në të tjera pemishte agrumesh. Tani për tani le të shijojmë frutin e punës”, – thotë ai. Djemtë nuk i ka me vete në festë sepse ata po sigurohen që kamionët të mbushen në pikën e tyre të grumbullimit pa pushim dhe njëri pas tjetrit.
Nga Xarra, Ministri i Bujqësise Edmond Panariti e quan historik prodhimin e mandarinave sivjet dhe flet me shifra edhe më të mëdha. “Rekord historik i prodhimit të mandarinës këtë vit, plot 17 mijë ton. Synojmë të fusim në prodhim edhe 1.000 hektarë të tjerë për të shkuar 40.000 tonë në vit” – deklaron Ministri Panariti.
“Kjo zonë ka edhe më tepër potencial zhvillimi” thotë një nga drejtorët e degëve të bankave më të mëdha të pranishme Ardit Cikuli i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI). “Mundësitë për të rritur edhe më tej prodhimin janë, por kultivuesit duhet të tregohen edhe më të bashkuar. Termi kooperativë në këto anë ka emër të keq nga e kaluara, ama vetëm si bashkësi mund të përfitojnë më tepër qoftë nga projektet si ky i zbatuar nga USAID prej vitesh në këtë zonë, qoftë për të negociuar më mirë më blerësit dhe grumbulluesit për eksport” shprehet ai.
“Vitin e kaluar kultivuesit u treguan të vendosur dhe asnjë kile mandarinë nuk u shit më pak se 50 lekë. Sivjet ka patur disa raste të uljes së cmimit dhe jo rrallë shitet edhe me 40 lekë. Kjo tregon dobësi sepse grumbulluesit do të përfitojnë gjithmonë e më tepër në kurriz të kultivuesve. Kjo zonë mbulon vetëm 20 përqind të kërkesës së vendit për mandarina, pasi pjesa më e madhe shkon për eksport” – thotë Ardit Cikuli për AgroWeb. Përfaqësues të tjerë të bankave shprehen se komuniteti bankar është shumë i interesuar të mbështesë planet e zhvillimit të zonës për të shtuar prodhimin, pasi është në interes të të gjithëve një Konispol ekonomikisht i fuqishëm.
Kultivuesit e mandarinave e dinë vetë se çfarë duhet të përmirësojnë. Problemet dhe planet i mbajnë për vete, ashtu këmbëngulës dhe punëtorë të palodhur siç janë. Dy hapa larg Liqenit të bukur të Mursisë, ata presin dhe përcjellin dashamirësit e ardhur për mandarinat e tokës së tyre, ndërsa dielli i dhjetorit i ndez agrumeve ngjyrën e artë./AgroWeb.org