Harmonia Ballkanike Trazohet nga Konfliktet Agro

448 0

Ballkani prodhon më shumë histori sesa konsumon, sipas një shprehjeje të famshme nga Winston Churchill. Madje prodhon më shumë histori sesa Europa mund të tresë. E ndërsa BE-ja dhe Ballkani vetë janë ende duke tretur një histori me plot konflikte “të patretshme”, nje tjetër çështje shfaqet në horizont, e quajtur nga Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë si “Një luftë tregëtare nga Maqedonia”.

Fqinji ynë juglindor, Maqedonia, po bllokon importin e perimeve të freskëta nga Shqipëria. Çështja tashmë po merret në konsideratë nga CEFTA pasi Ministria e Bujqesisë e Shqipërisë ka kërkuar rishikim të situatës nga autoritetet e kësaj organizate të premten e kaluar, tha për AgroWeb, znj Lauresha Grezda, Drejtore e Integrimit Evropian dhe Projekteve pranë Ministrisë së Bujqësisë.

Zonja Grezda theksoi se grupet teknike janë në diskutim prej disa muajsh ndërkohë që nënkomiteti i CEFTA-s do të mblidhet këtë javë në Moldavi dhe Shqipëria do të përfaqësohet nga Ministria e Ekonomisë, zyrtarët e së cilës do të ngrenë edhe çështjen e bllokadës së rradhës maqedonase.

Maqedonia, bllokon importin e perimeve nga Shqipëria. Çështja tashmë po merret në konsideratë nga CEFTA

Po cili është këndvështrimi i eksportuesve? Sipas Luto Gogës, specialist i bujqësisë, arsyet e pretenduara nga autoritetet maqedonase janë thjesht justifikime joreale. “Produktet shqiptare janë nga më cilësoret në këtë sezon”, thotë ai, duke stuar se ky kualitet i lartë i jep eksporteve shqiptare një pozitë shumë të mirë në tregun maqedonas, duke hidhëruar fqinjët tanë. Është çështje konkurence.”

Zoti Goga pohon se zyrtarët e kufirit maqedonas po bllokojnë kryesisht eksportet e destinuara për tregun e Maqedonisë, veçanërisht domatet dhe një sasi më të reduktuar me speca, lakra apo prodhime të tjera të gjelbërta.

Çështja është se ky nuk është një rast i vetëm. Nëse kthehemi pas në kohë, në 3 Qershor 2015 zyrtarët e kufirit shqiptare-maqedonas ndaluan kamionët me perime shqiptare të cilat ishin të destinuara për eksport. Bazuar në cilat argumenta? Perimet shqiptare, sipas tyre, përmbanin kimikatë të dëmshëm.

Asokohe, Ministri i Bujqësisë e konsideroi çështjen si të njëanshme. Ministri Panariti dërgoi një letër zyrtare homologut të tij Maqedonas, Mihail Tsvetkov për këtëçështje, duke thënë se: “Fqinjësia e mirë duhet dëshmuar përmes heqjes së barrierave tregtare. Veprimet e njëanshme nuk ikontribuojnë marrëdhënieve tona.”

Tri ditë më pas, në 8 Qershor, Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri (përfaqësues i BDI-së) reagoi duke pohuar publikisht se çështja e bllokimit të mallrave disa ditë në pikën kufitare është diskutuar në seancën e qeverisë, ku është konkluduar që raste të tilla të mos përsëriten dhe në pajtueshmëri me dispozitat ligjore të jepen lejet e nevojshme.

Më 9 Qershor, Shqipëria rifilloi eksportin e produkteve bujqësore drejt Maqedonisë. Ministria e Bujqësisë bën me dije se analizat për perimet shqiptare konfirmojnë cilësi të padiskutueshme, ndërsa është hequr bllokimi i eksportit të perimeve në kufi me Maqedoninë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, “analizat e kryera ishin komplekse dhe përjashtojnë praninë e ndotësve kimikë dhe biologjikë. Në sistemin e ri të gjurmueshmërisë, kontrolli i cilësisë dhe i sigurisë fillon që në sera dhe ara. Prodhimi organik do të shihet me përparësi, citon Ministria e Bujqësisë

Eksportet rifilluan por cila ishte kosto? Kompanitë e eksportuesve thanë për Televizionin Maqedonas ALSAT se nga kalbja e disa prodhimeve, ata mund të kenë humbur deri në 40 mijë euro, por ky bllokim ka vënë gjithashtu në rrezik edhe pozitën e tyre në treg.

Historia përsëritet. Ndërkohë që përpara pak ditësh në Tiranë po mbahej takimi i ministrave të Bujqësisë të vendeve të Europës Juglindore, që synon të forcojë bashkëpunimin në këtë sektor, nje sasi prodhimesh bujqësore shqiptare kishin mbetur të bllokuara prej disa ditësh në kufirin me Maqedoninë.
Shkak për këtë bllokim nga pala maqedonase është bërë kryerja e analizave të cilësisë së këtyre produkteve.

“Ngjarje të kësaj natyre duhet të evitohen me bashkëpunim mes vendeve, duke njehsuar praktikat, procedurat, standardet, duke zbatuar jo në mënyrë diskriminuese marrëveshjet fitosanitare sepse gjërat bëhen edhe në emër të tyre. Këto ngjarje marrin edhe trajtën e luftrave tregtare. Jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Ndërsa Boban Iliç, Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit Rajonal për Zhvillimin Rural, tha: “Nuk jam këtu në emër të qeverisë maqedonase. Jam maqedonas, por drejtoj platformën për bashkëpunimin rajonal. Brenda saj po punojmë për të lehtësuar konfliktet dhe gjetur, siç thotë ministri, një zgjidhje të qëndrueshme”.

Panariti: Këto ndalesa pengojnë konkurrencën e lirë dhe marrin natyrisht edhe format e një lufte tregtare

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, gjatë një interviste të fundit në Top Channel, tha se shteti maqedonas po penalizon dhe po shkakton dëme tek fermerët shqiptarë.

“Kam filluar procedurat e ankimimit në Bruksel dhe CEFTA, pasi kemi të bëjmë me ndalesa që pengojnë konkurrencën e lirë, që marrin natyrisht edhe format e një lufte tregtare. Ua kam bërë këtë të ditur autoriteteve maqedonase, por deri tani nuk kam marrë një reagim të mjaftueshëm, pasi ata mbështeten tek marrëveshja fitosanitare, që përdoret në këtë rast në mënyrë abuzive.

Ne eksportojmë në Gjermani, Bullgari, Rumani dhe nuk kemi asnjë ndalesë, kjo që na bën Maqedonia është diskriminuese. Nuk është rruga e duhur qëeuml; t’u përgjigjemi me masa simetrike, duke bllokuar kamionët tranzitë etj., sepse futemi në një klimë të tensionuar raportesh. Por, hapi ynë i parë është Brukseli, hapi i dytë CEFTA, pastaj do të vazhdojmë diskutimet në nivele të larta. Nëse situata përsëritet, hapi ynë i fundit ngelet të kalojmë në masa reciproke”, u shpreh Panariti.

Bashkimi rajonal ekonomik ishte synimi kryesor i Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) nënshkruar në vitin 2006 nga vendet e rajonit, pjesë e procesit të Stabilizimit dhe Asocimit; Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova (asokohe UNMIK në emër të Kosovës).

CEFTA ka si qëllim liberalizimin e plotë të tregut në rajon, si dhe trajtimin e barrierave të ndryshme jotatimore për tregtinë. Marrëveshja zëvendëson rrjetin e 32 marrëveshjeve bilaterale të tregtisë së lirë në rajon dhe prezanton tregtinë plotësisht të liberalizuar të prodhimit industrial si dhe tregtinë e lirë, kryesisht për produktet bujqësore.

Ndërkohë që vendet e Ballkanit po trokasin në dyert e Evropës, krijimi i mureve brenda rajonit është një çështe realisht e patretshme.