Hudhra e njomë e freskët e tokës shqiptare

2.4k 0

Hudhra e njomë është pjesë e pandashme e traditës shqiptare. Ajo kërkohet nga të gjithë konsumatorët që në gatimet e tyre duan të kenë shijen unike që e bën gjellën të plotë. Hudhra e njomë mblidhet përpara pjekjes përfundimtare. Ajo gjendet kudo dhe del e para në çdo treg, dyqan apo supermarket në Shqipëri.

Shija e hudhrës së njomë nuk i largohet hudhrës tradicionale, por është më e butë dhe jo agresive. Kjo barishte fantastike arrin të plotësojë çdo gatim duke i dhënë shqisave tona një thesar shijesh dhe aromash të ndërlidhura fort me njëra tjetrën.

Hudhra e njomë është një barishte që nuk ka të sharë. Ajo konsumohet me të gjitha pjesët e saj, madje në shumë raste, shefat e kuzhinës preferojnë të gatuajnë me hudhër të njomë se sa me atë të zakonshmen, pikërisht prej shijes së butë dhe elegante.

Kjo periudhë është stina e duhur që ju lexues të AgroWeb.org të gjeni hudhrën e njomë në çdo cep të vendit. Për fat të keq, hudhra e njomë nuk ka të njëjtën jetëgjatësi si varianti më i pjekur i saj. Hudhra e njomë është një nga produktet më të freskëta të tokës bujare të Shqipërisë.

Vlerat shëndetësore të hudhrës së njomë
Hudhra e njomë është pjesë e kurave më të njohura popullore kundër disa problemeve shëndetësore.

1. Forcon sistemin imunitar:
Ky fakt përbën ndoshta një nga avantazhet më të mëdha të hudhrës së njomë. Kjo barishte përmban alicinë, një përbërës i sulfurit që aktivizon të gjithë mekanizmat e përgjumur të mbrojtjes së organizmit tonë.

2. Antibiotik natyral:
Hudhra e njomë lufton bakteret dhe inflamacionet e ndryshme, duke e ndihmuar trupin të mbrohet nga infeksionet.

3. E pasur me hekur:
Hudhra e njomë është fantastike për njerëzit që vuajnë nga anemia apo numri në zbritje i rruazave të gjakut. Kjo barishte pranverore është e mbushur me hekur që e bën ideale për këtë stinë dhe jo vetëm.

4. I bën mirë zemrës:
Hudhra e njomë përmban polysulfide që mbron zemrën nga sëmundjet e ndryshme. Barishtja e preferuar pranverore i jep organizmit shumë avantazhe kundër goditjeve të përditshme sepse përmban mangan. Ky mineral arrin të ekuilibrojë nivelet e kolesterolit të mirë në trup.

5. Lufton sëmundjet gastrointestinale:
Përveç aftësive për të luftuar të ftohtin dhe kollën, hudhra e njomë është e shkëlqyer për të trajtuar dhe luftuar mikrobet apo infeksionet në sistemin tretës.

Si ta përzgjidhni hudhrën e njomë
Mënyra më e mirë për të përzgjedhur hudhrën e njomë është ta nuhasni atë. Nëse aroma është e kënaqshme dhe i përafrohet më shumë hudhrës se qepës së njomë, atëherë po merrni produktin e duhur.

Si ta ruani
Hudhra e njomë duhet ruajtur në frigorifer dhe mund të qëndrojë nga 5 deri në 7 ditë.

Përdorimet në kuzhinë
• Barishtja e njomë ka një shije të moderuar ndaj përshtatet mirë me sallatat dhe perimet e kavërdisura.
• Hudhra e njomë mund të shtypet bashkë me specat djegës dhe kripën për të bërë një salcë që i jep një shije shtesë çdo gatimi.
• Hudhra e njomë mund të përdoret në gatimet me oriz, makarona dhe salcat shoqëruese.
• Hudhrën e njomë mund ta bashkoni me spinaqin apo me çdo barishte tjetër dhe me to të bëni një supë të shijshme./AgroWeb.org