Intesa Sanpaolo Albania: Inovacioni, çelësi i suksesit për agrobiznesin

327 0

Ora është gati 3 në një pasdite tejet të nxehtë mes shtatori në Tiranë, ndërsa më shoqërojnë mes labirinthe dyersh sigurie deri në zyrën e Drejtorit të Përgjigjshëm Ekzekutiv të Intesa Sanpaolo Bank Albania.

Me një shtrëngim duarsh të fortë dhe një buzëqeshje mikpritëse, më takon Silvio Pedrazzi, i cili nuk shfaq asnjë shenjë lodhje pavarësisht axhendës super të ngjeshur me takime. Përkundrazi ai shfaqet energjik gati për të folur për Agroweb.

Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania e ka marrë drejtimin e bankës në tetor të vitit 2013, por mbi supe mban një karrierë të gjatë prej afro tre dekadash ku spikat përvoja ndërkombëtare në këtë sektor.

Në këtë intervistë Z. Pedrazzi flet për marrëveshjen e rëndësishme të Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në mbështetje të financimeve afatgjata në vend si dhe potencialet e agrobiznesit si sektori më kyç për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Intesa Sanpaolo Bank Albania ka marrë pjesë së fundmi në një marrëveshje për ndarjen e riskut me EBRD për të mbështetur financimet afatgjata për kompanitë shqiptare me ritme të shpejta rritje. Çfarë mendoni se do t’i sjellë ekonomisë, por edhe bankës kjo marrëveshje?

Mendoj se marrëveshja e nënshkruar me EBRD është një hap i rëndësishëm përpara në prezantimin e instrumenteve të reja të avancuara, me synim që t’u ofrojmë klientëve tanë financime të mira. Këtë marrëveshje mund ta shohim në perspektiva të ndryshme, por së pari më lejoni t’iu theksoj se synimi i saj nuk është që t’i sigurojë bankës likuiditet, pasi Intesa Sanpaolo ashtu si të gjithë bankat e mëdha në vend nuk ka nevojë për likuiditet financiar.

Synimi është vetëm ndarja e riskut. Por me të drejtë ju mund të ngrini pyetjen se pse lind nevoja për ta ndarë riskun? Edhe për këtë pyetje ka disa përgjigje.

E para është se duke qenë se synimi ynë është që të mbështesim investimet afatgjata, ne duhet të aplikojmë analiza financiare më të sofistikuara në projektet e investimeve dhe këtu ne mund të mbështetemi tek ekspertiza e EBRD. Duke bashkuar forcat e ekspertizës lokale të bankës me atë ndërkombëtare, ne mund të vlerësojmë projektet që janë inovative për tregun. Vetë fakti që ne flasim për investime afatgjata, kërkon një qasje tjetër më të strukturuar, ku një rëndësi shumë të veçantë i është vënë profesionalizmit dhe aftësisë për të analizuar drejtë projektet. Çelësi i suksesit për çdo projekt është një planifikim i mirë.

Faktori i dytë i rëndësishëm është se si në shumë vende të tjera, edhe bankat lokale shqiptare i nënshtrohen të ashtuquajturit limit i kreditimit të individit, që nënkupton që klienti nuk mund të marrë më shumë hua, sesa një sasi e caktuar , që është në varësi dhe të kapitalit të bankës që e lëshon këtë kredi. Duke qenë bashkë-garantues me BERZH-in, që njihet për instrumentat për zbutjen e riskut, kjo na mundëson që pothuajse të dyfishojmë potencialin për të dhënë kredi. Pra kjo është një mundësi tjetër që na lejon të ngremë dhe të përballojmë projekte të mëdha, të cilat ndoshta të vetëm nuk do të kishim qenë në gjendje për t’i pranuar.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, Silvio Pedrazzi

Në këtë program të garantimit të kredive theksi është vendosur kryesisht tek inovacioni dhe teknologjia, po ashtu dhe në sektorë tradicionalë apo sektorë të qëndrueshëm si bujqësia dhe energjia e rinovueshme. Mbi çfarë kriteresh është bërë ndarja e dhënies së kredive për secilin prej këtyre sektorëve dhe në çfarë mase? Nëse sigurisht ka një ndarje të tillë?

Më duhet të jem shumë i qartë këtu, se ne nuk kemi bërë asnjë ndarje të kësaj platforme në segmente të ndryshme, sepse ne duam të kemi lirinë që të vendosim rast pas rasti, duke u bazuar në vlefshmërinë e projektit. Çdo projekt i mirë është mëse i mirëpritur. Ju e dini se kreditimi mbështet investimet dhe investimet mund të zhvillojnë diçka më të mirë për vendin. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se sipas analizave tona, Shqipëria ka disa avantazhe konkuruese në krahasim me vendet e tjera dhe ne duam t’i japim një shtysë të gjithë investimeve që rrisin avantazhet kompetitive të Shqipërisë. Kjo është dhe arsyeja se pse ne së bashku, kemi zgjedhur investime që kanë lidhje me energjinë, përmes së cilave Shqipëria mund të ketë një rol tejet të rëndësishëm në rajon. Bujqësia është një tjetër mundësi e shkëlqyer për t’u shfrytëzuar. Të gjithë e kuptojnë se nëse Shqipëria është në gjendje të përmirësojë prodhimin në bujqësi dhe energji, vendi do të përfitonte në mënyr&eeuml; të menjëhershme edhe në bilancin tregëtar me vendet e tjera.

 

Ndërkohë, si pjesë e këtij programi ju keni dhënë një kredi prej 10 milion Euro për një kompani shqiptare, me ndarjen e mbulimit të riskut për vlerën 6 milion Euro nga BERZH. A do të thotë kjo se programi është i përshtatshëm edhe për kompanitë e mëdha dhe jo vetëm për kompanitë e vogla dhe të mesme?

Absolutisht po. Ne nuk duam që të kufizohemi nga shumë kufizime. Dhe ashtu siç e përmenda dhe më parë çdo projekt i mirë është mëse i mirëpritur. Dhe meqë jemi këtu, p&eueuml;rcaktimi ndërkombëtar i ndërmarrjeve të vogla e të mesme, na lejon që të financojmë këdo. Duhet të jemi të vetëdijshëm gjithashtu se pjesa më e madhe e kompanive në Shqipëri mund të konsiderohen ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Nëse një ndërmarrje e vogël apo e mesme do të aplikonte për këtë program, cilat janë kriteret që do ta bënin atë të suksesshëm për aplikim?

Tani kjo është një pyetje pak e ndërlikuar (qesh). Por më lejoni që ta nis nga niveli i sipërm. Ne po flasim për investime, madje investime afatgjata. Sipërmarrësit e dinë se në momentin që planifikon dhe përcakton një investim, të duhet të kesh një projekt vërtet të mirë. Në vetvete, vlefshmëria e projektit është një parakusht për të pasur sukses në marrjen e kredisë. Dhe tani më lejoni të jem realist. Një nga nga aspektet më të rëndësishme në financimet afatgjata është gjithnjë, gjithnjë, pjesmarrja e sipërmarrësit me kapitalin e tij. Kjo është një llogjikë e përhapur në të gjithë vendet. Mbështetja nga ana e sipërmarrësve është e rëndësishme për projektin. Por nuk është se po them ndonjë gjë të re, sepse ky është tregu. Koha në të cilën ne mendonim se mund të financonim vetëm idetë e mira, më lejoni të jem shumë i hapur, ka marrë fund, sepse do të ishte një gabim i madh. Sot tregu, konkurenca e fortë, kërkojnë jo vetëm ide të mira, por edhe një strukturë të mirë financiare, përndryshe rreziku për të dështuar është shumë i lartë. Nuk do t’i sugjeroja asnjë biznesmeni që të niste një investim të rëndësishëm nëse nuk arrin të mbështesë veten mjaftueshëm për të marrë një kredi që përputhet me nevojat dhe kërkesat e tij, në mënyrë që ne pastaj të gjithë së bashku të gjejmë elementët e investimit. Edhe një herë do të doja shumë të theksoja profesionalizmin e EBRD në analizimin e këtyre projekteve.

Shqipëria ka disa avantazhe konkuruese në krahasim me vendet e tjera dhe ne duam t’i japim një shtysë të gjithë investimeve që rrisin avantazhet kompetitive të Shqipërisë

Zakonisht bankat e konsiderojnë sektorin bujqësor si të pakreditueshëm dhe kjo dhe për shkak të shumë arsyeve, që nga mungesa e kolateralit tek rreziqet e shumta që ndeshin fermerët si pasojë e ndryshimeve klimaterike dhe humbjes së produktit që ndikon më pas në aftësinë e tyre për ta paguar kredinë. Cili është qëndrimi juaj për këtë dhe a do të ndihmojë ky projekt që të hiqet kjo mendësi?

Më lejoni t’iu them, si me shaka, që nuk jam absolutisht dakord. Nuk është e vërtetë që projektet bujqësore nuk janë të kreditueshme. Nuk mund të trembesh nga diçka që nuk e njeh. Përpara se të trembesh, duhet ta njohësh atë që të tremb. Në logjikën tonë, kolaterali është një pjesë e rëndësishme e vlerësimit të marrjes së kredisë, por nuk është kryesori. Ne nuk fillojmë kurrë të analizojmë një aplikim për kredi nga pikëpamja e kolateralit. Edhe një herë do të thoja që është vlefshmëria e projektit ajo që mbizotëron. Ne kemi shumë shembuj projektesh që kemi financuar tashmë, të cilat nuk e kanë pasur kolateralin tradicional. Bujqësia është një nga ato fusha, ku ne e vlerësojmë me të vërtetë shumë inovacionin. Shqipëria ka një avantazh të fortë për të qenë konkuruese dhe kjo vjen për shkak të vendndodhjes, klimës, fertilitetit të tokës dhe cilësisë së produkteve. E ku ka kolateral më të mirë se këto!

Por sigurisht, ju keni të drejtë, ka risqe, por për t’i mbuluar risqet ka dhe mënyra të tjera si përshembull siguracioni, i cili është një treg që në Shqipëri nuk është fare i zhvilluar. Kështu le të mendojmë pak jashtë kornizave. Pasuritë e patundshme nuk janë domosdoshmërisht kolaterali më i mirë. Duhet gjetur kombinimi i duhur. Edhe një herë dua të theksoj se ne besojmë fort tek bujqësia dhe të gjithë projektet që ne kemi financuar deri më tani dhe do të financojmë në të ardhmen janë të gjitha projekte të mira.

Po bizneset e sapo krijuara (startups) a do të gjejnë mbështetje te kjo marrëveshje? Ato janë si foshnjat në inkubator, kanë nevojë për suport që të mbijetojnë e të jenë të fortë apo jo?

Në këtë rast jam totalisht dakord me ju. Bizneset e sapo krijuara përbëjnë një nga çështjet më komplekse për bankat, pasi është tejet e vështirë që të përcaktohet vlefshmëria e një projekti, kur nuk ka eksperienca të kaluara, kur nuk ka të dhëna të besueshme. Shumë shpesh do të duhet të besosh në këtë aktivitet të ri, por gjithashtu banka ka dhe kufizime të tjera rregullatore dhe ne nuk mund të investojmë shumë në startups. Por nga ana tjetër ne duhet të vlerësojmë faktin që kemi shumë shembuj në botë, por edhe në Shqipëri, kompanish të mëdha të suksesshme që ishin startup vetëm pak vite më parë. Por është dhe një fakt tjetër shumë i rëndësishëm. Kompanitë e sapo krijuara, të cilat nuk janë të mbështetura nga sipërmarrës të qëndrueshëm e kanë më të vështirë për të marrë financim. Nëse një investitor i respektuar i mbështet, ata kanë shumë shanse për të patur sukses dhe ne padyshim jemi të gatshëm për të pranuar projekte të shkëlqyera inovative.

Kreditë me probleme konsiderohen si një problem i madh për sektorin bankar. Cila është strategjia e Intesa Sanpaolo në lidhje me kreditë e këqija? Dhe në përgjithësi si e shihni aftësinë e bizneseve të vogla të mesme për të përballuar kreditë?

Eshtë e vërtetë se kreditë e këqija përbëjnë një problem për bankat, por tek Intesa Sanpaolo ne e kemi zgjidhur këtë duke ngritur fondin rezervë. Por kjo nuk do të thotë aspak se ne nuk e vlerësojmë këtë problem, apo që nuk marrim masa. Ne duhet t’i mbledhim kreditë, por pa e bllokuar kreditimin, i cili është jetik për bizneset në mënyrë që të rriten dhe të jenë të suksesshëm.

Në dy vitet e fundit Intesa Sanpaolo Bank e ka vënë shumë theksin tek bujqësia. Ju keni lançuar gjithashtu një projekt të madh për investimet në serra. Cili është potenciali që ju shihni tek ky sektor?

Po, është e vërtetë që ne e kemi vënë shumë theksin tek sektori bujqësor, ose më mirë do të thoja tek agrobiznesi. Është një sektor me potencial shumë të madh që duhet të jetë konkurues. Dy vite më parë, ne filluam ta shohim bujqësinë si një sektor ku duhet të investohet, mos harroni që ne jemi italianë dhe kemi shumë eksperiencë në sektorin bujqësor.

Intesa Sanpaolo Bank Albania është duke ndjekur nga afër mundësitë e vendit për zhvillim ekonomik, e duke u përpjekur të jetë pranë nevojave të fermerëve, ka krijuar produkte specifike për bujqësinë e për serrat në veçanti, meqenëse rendimenti i tyre është 4-5 herë më i lartë se ai i mënyrave tradicionale të kultivimit. Potencial ka shumë dhe ky është momenti për ta shfrytëzuar këtë mundësi. Bujqësia është një sektor i rëndësishëm që duhet të jetë shumë konkurues jo vetëm për tregun lokal por edhe atë ndërkombëtar. Duke aplikuar teknologjitë e reja dhe inovacionin ky sektor mund të jetë shumë i sukseshëm. Dhe ne padiskutim do ta mbështesim atë.