IPARD II – Banka ProCredit nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Ministrinë e Bujqësisë

440 0

Në kuadër të programit IPARD II Banka ProCredit nënshkroi “Marrëveshjen e Bashkëpunimit” me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është mbështetja e agrobizneseve fituese nga programi IPARD II, të cilët do të nënshkruajnë kontratë me AZHBR-në.

Ky program pritet të çelë “Thirrjen e parë” në fillim të vjeshtës

Me anë të kësaj marrëveshje banka ProCredit dhe Ministria kanë ranë dakord të bashkëpunojnë në kuadër të këtij projekti, të financuar nga BE dhe Qeveria Shqiptare, si dhe Skemave Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.

Për Qeverinë programi IPARD II, është sfida më e madhe që i parashtrohet bujqësisë shqiptare dhe vështirësia qëndron në përthithjen e fondeve të këtij programi, gjë që kërkon kapacitete njerëzore dhe mjete financimi.

Znj.Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit, në fjalën e saj përshëndetëse gjatë ceremonisë u shpreh se: “Nëpërmjet Skemave Kombëtare dhe Ndërkombëtare, si programi IPARD, kemi mundësi t’u ofrojmë agrobizneseve kushte të favorshme financimi dhe fleksibilitet në garancinë e kërkuar.

Vetëm në pesë vitet e fundit banka ProCredit ka mbështetur me mbi 50 milion euro rreth 2’000 plane investimi agro me destinacion investime në teknologji, pajisje dhe kapital pune.

Shifër kjo e cila sigurisht që do të rritet në kuadër të kësaj marrëveshje për mbështetjen e projekteve fituese në bujqësi, agropërpunim dhe agroturizëm”.

Që nga viti 2001 banka ProCredit njihet si Banka Partnere e Agrobiznesit

Që prej kësaj kohe banka ka zhvilluar teknologji për të suportuar financiarisht agrobizneset dhe ofruar shërbime të dedikuara, ekspertizë dhe këshillim të specializuar financiar.

Banka ProCredit i kushton një fokus të veçantë agrobizneseve, sepse beson se ky sektor ka potencialin e nevojshëm për të ndikuar drejtpërsëdrejti në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Gjithashtu prej vitesh bashkëpunojmë me Qeverinë Shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare si BERZH e Bashkimi Europian për financimin e agrobizneseve me kushte të favorshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.