Jo gjithçka natyrale është BIO

840 0

Toka të mbjella në Jug-Lindje të vendit, pranë qytetit të Skraparit.

Vendosja e standardeve dhe marrja e masave të nevojshme për nxitjen e zbatimit të tyre, do të sigurojë gjithmonë produkte apo shërbime cilësore, të sigurta dhe të besueshme.

Cfarë janë standardet bio dhe pse janë të rëndësishme në bujqësi?

Standardet e aplikuara në fushën e bujqësisë, e veçanërisht të prodhimtarisë “bio” janë është një tërësi rregulash dhe specifikimesh që përcaktojnë të gjitha kushtet e prodhimit, përpunimit, transportit, certifikimit dhe kontrollit të produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore, me prejardhje bimore dhe shtazore, që prodhohen nga fermerët vendas.

Prodhimtaria bio duhet të jetë një nga shtyllat ku do të mbështetet ekonomia shqiptare në të ardhmen, me rëndësi thelbësore jo vetëm në zhvillimin e brendshëm dhe uljen e importit, por edhe në rritjen e eksportit dhe njohjen e produkteve shqiptare në tregjet e huaja.

Prodhimtaria bio duhet të jetë një nga shtyllat ku do të mbështetet ekonomia shqiptare në të ardhmen, me rëndësi thelbësore jo vetëm në zhvillimin e brendshëm dhe uljen e importit, por edhe në rritjen e eksportit dhe njohjen e produkteve shqiptare në tregjet e huaja.

Po ashtu integrimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE), do të rrisë frymën e bashkëpunimit midis vendit tonë dhe institucioneve evropiane që do të ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në modernizimin dhe ristrukturimin e sektorit të agro-industrisë, duke punuar në mënyrë të vazhdueshme edhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e rregullacionin e vendeve të BE.

Për prodhuesin

Shoqëria e ditëve të sotme është tërësisht e ekspozuar ndaj burimeve të shumëllojshme të informacionit, që janë lehtësisht të aksesueshëm, në çdo kohë. Qytetarët po bëhen gjithmonë e më të vetëdijshëm dhe të interesuar drejt studimeve që lidhen me mirëqenien dhe shëndetin e tyre, duke treguar kujdes të veçantë në përzgjedhjen e dietave të duhura ushqimore. Për ta është gjithmonë e më e rëndësishme njohja e detajuar e produkteve që konsumojnë, pasi studimet e e ndryshme tregojnë se cilësia e ushqimeve në vend ka rënë dhe i lidhin në mënyrë të drejtëpërdrejtë ushqimet e modifikuara me rritjen e numrit të sëmundjeve.Prandaj konsumatorët janë të predispozuar të kërkojnë produkte që janë kultivuar në mënyrë natyrore, janë rritur me produkte organike dhe janë përpunuar e transportuar sipas standardeve të përcaktuara, nga institucionet apo organizatat përgjegjëse. 

Por, edhe për të shtrirë veprimtarinë jashtë kufijve e për të rritur eksportet, me ndikim mjaft të rëndësishëm në ekonomi, është mjaft e rëndësishme ndjekja dhe respektimi i standardeve. Ato do t’ju ndihmojnë të konkurroni pa droje në tregje ndërkombëtare, të mbrojtur dhe të informuar. Prandaj, për të konkurruar në një treg ndërkombëtar, ku fuqia blerëse është e informuar dhe e orientuar drejt cilësisë, ju do t’ju duhet të merrni masat e duhura për të përmbushur pritshmëritë dhe kërkesat e tyre.

Sipas studimeve të tregut, n&eueuml; vend nuk ofrohen më produkte të freskëta e natyrale. Mungesa e pikave të specializuara për tregtimin e produkteve bio, mungesa e kontrollit rigoroz nga institucionet përgjegjëse si dhe mangësitë në informimin e fermerëve, për pasojat e përdorimit të lëndëve kimike gjatë kultivimit dhe mosrespektimi i rregullave të higjenës, janë problematikat kryesore në vendin tonë.

Një fjalë e urtë popullore thotë ‘çtë mbjellësh do të korrësh” dhe nëse fermerët vendas nuk ndërgjegjësohen dhe nuk vendosin të ndjekin standardet për të siguruar prodhime të sigurta, cilësore dhe të besueshme, shumë shpejt do të ndiejnë pasojat ekonomike që do të vijnë si rrjedhojë e këtyre veprimeve. Konsumatorët do të zgjedhin të blejnë produkte eksporti, të prodhuara sipas standardeve evropiane apo ndërkombëtare, gjë që do të ulë ndjeshëm të ardhurat në fushën e bujqësisë vendase.

Prandaj është me rëndësi parësore që fermerët e prodhuesit të orientohen drejt sistemeve të standardizimit të cilat do t’i ndihmojnë në:

  • uljen e konsiderueshme të kostove të prodhimit
  • përfitimin e metodikave të suksesseshme të prodhimit
  • uljen e mundësive së kryerjes së gabimeve, që vijnë si pasojë e mungesës së informacionit apo eksperiencës
  • rritje të shitjeve të produkteve si pasojë e rritjes së besueshmërisë së publikut në cilësinë e produkteve që ata ofrojnë

Cilat janë llojet e standardeve?

Ekzistojnë tre lloje standardesh, në varësi të tregjeve ku do të marketohen produktet bio, brenda vendit, në Evropë apo ndoshta në vende të tjera, më të largëta.

Standard Shqiptar: është një standard i adoptuar nga një organizatë shqiptare standardizimi

Standard Evropian: është një standard i adoptuar nga një organizatë europiane standardizimi

Standard Ndërkombëtar: është një standard i adaptuar nga një organizatë ndërkombëtare 

Ndërkohe që ekziston edhe një nëndarje tjetër, në përputhje me rregullat teknike të vendosura nga Bashkimi Evropian:

Standard Shqiptar i Harmonizuar: është një standard shqiptar që ka adaptuar një standard europian, në përputhje me rregullat teknike.

Standard i harmonizuar: është standardi i miratuar nga Organizata Evropiane e Standardizimit dhe i botuar ne "Gazetën zyrtare" te Komunitetit Evropian.

Ekzistojnë disa lloje të ndryshme të dokumenteve të standardizimit:

Dokument Harmonizimi: është një dokument normativ vullnetar, i adoptuar nga njëra prej organizatave evropiane të standardizimit, me detyrimin e zbatimit të përmbajtjes teknike në Shqipëri dhe shfuqizimin e standardeve kombëtare e të dokumenteve normative shqiptare, që bien ndesh me ato evropiane.

Dokument Standardizimi: është çdo dokument, i miratuar nga organizmat evropianë ndërkombëtarë dhe i adoptuar nga organizmat kombëtarë të standardizimit, siç janë specifikimet teknike, raportet teknike, manualet apo marrëveshjet e veçanta teknike, që është vënë në dispozicion të publikut. 

Cilat janë organizmat e standardizimit?

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit, që ka si objektiv të punës së saj hartimin, adaptimin, miratimin dhe publikimin e standardeve në të gjitha fushat e ekonomisë, me përjashtim të fushës së telekomunikacionit.

Organizata Kombëtare e Standardizimit: është organizata e standardizimit e njohur në nivel kombëtar, që ka të drejtën e përfaqësimit në organizatat homologe të tjera në nivel kombëtar, ndërkombëtar, rajonal etj. 

Organizata Evropiane e Standardizimit: Në këtë organizatë bëjnë pjesë – Komiteti Europian i Standardizimit, Komiteti Europian i Standardizimit në Fushën e Elektronikës dhe Instituti Europian i Standardeve në Telekomunikacion.

Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit (ISO): është një Organizatë Ndërkombëtare e Standardizimit, në të cilën janë të anërtarësuara institutet kombëtare të standardeve të vendeve të ndryshme. Kjo organizatë, përcakton standardet ndërkombëtare për të gjitha llojet e teknologjisë. Disa nga standardet ISO në bujqësi janë:

  • ISO 9001:2000
    “Sistemet e drejtimit të cilësisë-Kërkesat”
  • ISO 19011:2002
    “Udhëzuesit mbi kontrollin e cilësisë së mbrojtjes së mjedisit”.
  • ISO 22000 – HACCP (Hazard Analysis Critical Control Point)
    Sistemi i Analizave të Rreziqeve në Pikat Kritike të Kontrollit
  • ISO 27001
    Sistemi për mbrojtjen e informacioneve
  • ISO14000
    Është standard ndërkombëtar që fokusohet në specifikat ekologjike të veprimtarisë se prodhuesit dhe njëkohësisht merr parasysh mbrojtjen e mjedisit.
  • ISO 14001
    Është standard ndërkombëtar që synon të udhëzojë fermerët në menaxhimin më të mire të masave që ulin impaktin negative të aktivitetit të tyre në ambient.

Organizmi i inspektim/certifikimit Albinspekt, është operatori i parë dhe i vetëm, që siguron një shërbim inspektimi dhe certifikimi të produkteve organike sipas standardeve kombëtare, private dhe evropiane. Roli kryesor i Albinspekt është sigurimi i shërbimit të inspektim/certifikimit si dhe informacion lidhur me parimet dhe metodat e prodhimit organik.

Në Shqipëri, operojnë edhe 7 organizma të huaj certifikimi që janë:

  • ICEA
  • BCS Öko-GarantieGmbH
  • BioInspecta AG
  • CERES GmbH
  • Control Union Certifications B.V.
  • IMO CH
  • IMC srl.

Organizmat certifikues të huaj kryejnë certifikim në bazë të Rregullores Nr. 834/2007 të BE, për prodhimin dhe etiketimin e produkteve organikë si dhe standardit amerikan për produktet organike (NOP).

Informacion më të detajuar mbi prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve "bio” do të gjeni duke lexuar Ligjin. Nr. 9199, datë 26/02/2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”, ligj i cili është miratuar dhe zbatohet që nga ky vit (2004): botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 20/2004, datë 05/04/2004.

Për konsumatorin:

A keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë quani një produkt bio? Mendoni se ushqimi juaj është BIO vetëm duke u mjaftuar me faktin se ju i blini produktet bujqësore që konsumoni në një fermë, apo tek një fermer që ju premton se po ju tregton produkte të freskëta të kopshtit?

Mendojeni dhe një herë, duke konsideruar faktorët e mëposhtëm:

A e dini ju se ku ndodhet kopshti në të cilin janë rritur këto produkte? A e dini se çfarë lënde është përdorur për të punuar tokën ku është rritur ky produkt bio? A keni informacion mbi mëyrën se si janë transportuar këto produkte deri tek ju?

Po sikur t’ju thonim se ky produkt është prodhuar në kopshtin e një fermeri, që ndodhet në një tokë të ndotur nga një derdhje e madhe plehrash, shume afër fermës. A do ta cilësonit sërish këtë produkt cilësor, të sigurt dhe të shëndetshëm? A do ta mendonit dhe një herë blerjen tuaj? Ne nuk do ta mendonim dy herë! 

Nëse nxisni nëpërmjet fuqisë suaj blerëse prodhimtarinë bio, do të përfitoni:

  • produkte bujqësore cilësore
  • produkte të sigurta, që nuk rriten në toka të ndotura nga pesticide apo plehëra që ndikojnë negativisht në shëndet
  • përmirësimin e dietës ushqimore, që është e lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me  sëmundjet që shkaktohen nga ushqimet gjenetikisht të modifikuara

Produkte bio nuk janë thjesht produkte jo të modifikuara gjenetikisht, që rriten në një fermë, por janë produktet e kultivuara duke respektuar një sistem metodik standardesh të përcaktuara nga organizmat përgjegjëse kombëtare, evropiane apo ndërkombëtare.

Bëni zgjedhje të informuara! Kthehuni në katalizatorë të ndryshimit, duke nxitur nëpërmjet fuqisë suaj blerëse, respektimin e standardeve dhe marrjen e masave të nevojshme dhe ndjekjen e rregullave të nevojshme që do të sjellin në dietën tuaj produkte të sigurta dhe të shëndetshme!