Jo Vetëm Miell, Por Edhe Qumështi Serb Mbush Tregun Shqiptar

610 0

Nuk është vetëm mielli serb që dominon në tregun shqiptar por edhe qumështi.

Në një artikull të zgjeruar të revistës Monitor, bëhet e ditur se nga janari në shtator u importuan nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare 4,6 mijë tonë qumësht i pasterizuar. Duke zënë 38 për qind të totalit të importeve të qumështit me një vlerë mbi 2 milionë euro.

Importues ishin fabrikat më të mëdha në vend, që e përdorën këtë produkt si lëndë të parë.

Produktet e Qumështit përbëjnë edhe kategorinë me sasinë më të lartë të importit në grupin e produkteve bulmetore, me një vlerë totale prej 6.1 milionë eurosh.

Peshën kryesore e zë importi i nga Serbia me 38%, nga Italia me 30%, nga Bosnja 11% dhe Maqedonia e Veriut 9.7%.

Çmimet e Qumështit nga vendet e Rajonit

Janë shumë më të ulëta krahasimisht me koston e përpunimit të qumështit në vend, duke bërë që industria e përpunimit të qumështit të kërkojë lëndën e parë nga Rajoni, duke ushtruar një konkurrence të fortë për fermerët vendas.

Në vitin 2018 prodhimi i qumështit arriti në 138 mijë tonë, ndërsa këtë vit importet e qumështit ishin 13 mijë tonë deri në shtator ose mbi 8 për qind e totalit.

Sipas të dhënave nga doganat, të përpunuara nga Monitor, qumështi nga Serbia kishte vlerën më të lirë në raport me 15 vende të tjera, nga ku importohet ky produkt.

Një kilogram qumësht u faturua me 47 lekë për kilogram, e ndjekur nga Kosova me 57,6 lekë për kilogram, Bosnja me 61 lekë për kilogram, Maqedonia me 62 lekë për kilogram.

Çmimin më të lartë e kishte qumështi i importuar nga Belgjika me 291 lekë për kilogram, Britania me 203 lekë për kilogram, Bullgaria me 178 lekë për kilogram. Importet më çmim ë lartë ishin në sasi të vogla.

Burimet nga tregu pohuan se importet e qumështit nga Serbia kanë pësuar rritje të ndjeshme këtë vit.

Shqipëria inferiore në sasi dhe cilësi të eksporteve

Eksportet në Ballkanin Perëndimor po zhvendosen nga produktet kryesisht themelore në ato të teknologjisë së mesme.

Ndërsa eksportet e rajonit u rriten nga 8.0 miliardë dollarë në vitin 2000 në mbi 50 miliardë dollarë në 2017-en, përbërja e shportave të eksportit ndryshoi gjithashtu.

Sipas të dhënave nga CEFTA (marrëveshja e tregtisë së lirë e Europës Qendrore, tre kategoritë kryesore të produkteve të eksportuara nga rajoni në 2006 ishin hekuri, produkte çeliku, alumini dhe tekstili.

Një dekadë më vonë, janë pajisjet elektrike, makineri dhe automjete, të cilat kryesisht janë produkte të drejtuara nga investime të Huaja Direkte që kërkojnë një shkallë më të madhe teknologjike dhe dijesh.

Mirëpo analizat e zhvillimit të tregtisë nga CEFTA tregojnë se ndryshimet në përbërjen e shportës së eksportit nuk kishin një ecuri të njëjtë për të gjithë Rajonin.

Shporta e eksportit 

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë shporta relativisht më pak komplekse eksporti, me produkte kryesisht gjysme të përpunuara dhe lëndë të para nga burimet natyrore si naftë bruto, minerale dhe ushqime të papërpunuara.

Në krahun tjetër Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë shporta më të përparuara eksporti që përfshijnë një gamë të gjerë makinerish dhe pajisjesh, të cilat kanë bazat për përparim të mëtejshëm industrial në të ardhmen.

Rezultatet e ndryshme për eksportet e vendeve e Ballkanit janë rrjedhojë e politikave të ndryshme që vendet kanë ndjekur.

Teksa Serbia dhe Maqedonia u përqendruan në hartimin e politikave agresive për tërheqjen e investitorëve në industrinë e automobilave me subvencione direkte, tre vende të tjera si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin pjesë e këtyre përpjekjeve.

Me të njëjtën agresivitet, Serbia subvencionon bujqësinë. Ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit, që kanë fonde buxhetore limit për subvencionin e bujqësisë, qeveria Serbe e subvencionin të gjithë kërkesën e fermerëve.

Për pasojë prodhimet bujqësore janë më të lirat në Rajon.

Edhe pa u lehtësuar barrierat dhe tarifat tregtare, disa produkte Serbe si Mielli dhe Qumështi kanë vënë në vështirësi qindra biznese që operojnë në sektorët e përpunimit të këtyre artikujve./Burimi: Monitor