Kivi Shqiptar – Risi në Kultivimin e Pemës së Milionerëve

1.9k 2

Jo më larg se dy vite më parë, jo vetëm kivi, por edhe çmimi i këtij fruti ishte ekzotik dhe jashtë buxhetit ditor të shumë familjeve shqiptare.

Çmimi vërtitej tek 270 – 300 Lekë për kilogram.

Por fillimi i kultivimit në masë nga fermerët vendas e ka kthyer kivin nga një frut 100% i importuar.

Gjithashtu në një nga krenaritë dhe historitë e suksesit të bujqësisë shqiptare, duke arritur edhe eksporte në Kosovë.

Kivi kultivohet në vend sidomos në zonën Lushnjë – Fier, në rajonin Tiranë – Durrës, por edhe në Vaun e Dejës dhe Pogradec.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, kivi i prodhuar në Shqipëri është më kokërrvogël se fruti i importuar. Megjithatë, vlerat janë të njëjtat.

Ky frut nuk është i trajtuar me solucione për t’i zgjatur jetën në transport nga vendet e origjinës deri në tregjet e Shqipërisë.

Suksese i kultivimit të kivit bazohet në dy aspekte, thjeshtësia në rritje dhe aftësia e bimës për të mos kapë asnjë sëmundje dhe të garantojë prodhim.

Kivi quhet pema e milionerëve dhe e njerëzve dembelë.

AgroWeb.org ju tregon se kivi rritet me fidanë që gjenden pothuajse në të gjitha fidanishtet në vend.

Ai formësohet si hardhia e rrushit, pra në zhvillim të lartë dhe horizontal.

Shqiptarët janë njohur me kivin pas rënies së komunizmit, ku shumë e ngatërruan me pataten. “Kam pasur shansin e mirë që jam njohur me kivin në fillm të viteve ‘90.

Në Shqipëri kivi ka qenë krejt i panjohur.  E vërteta është që disa bimë me kivi kanë qenë mbjellë gjatë viteve 70 në kopshtin eksperimental të Institutit të Kërkimit Bujqësor në Lushnjë”, shpjegon eksperti i Hortikulturës, Gjovalin Gjeloshi.

Askush nuk e di me saktësi pse ato pemë që u mbollën në vitin 1970 nuk u përhapën në vend, por AgroWeb.org raporton se u desh të kalonin 20 vjet që ta mund ta shijonim këtë frut.

“Ndoshta ishte zona e Lushnjës që nuk mundësoi që kjo bimë të zhvillohej më tej”, thotë Gjeloshi, i cili konsiderohet si nga të parët që ka kultivuar frutin e kivit në Shqipëri në fillimin e viteve 1990.

Të Mbjellësh Kivi

Por që të mbjellësh kivi nuk nevojitet aspak të kesh një fermë. Ndoc Mulaj na e dëshmon këtë, duke mbjellë kivi në kopshtin e shtëpisë së tij.

“Klima për rritjen e kivit është e shkëlqyer dhe unë i ftoj të gjithë që ta mbjellin nga veriu i vendit në jug”.

Në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare mbi sasinë e prodhuar të kivit.

Burime të AgroWeb.org tregojnë se llogaritet të jenë mbjellë rreth 40-70 hektarë me kivi që prodhojnë afro 1000 tonë fruta.

Një shifër e ulët po të mendosh dhe kërkesën e lartë të tregut për këtë produkt, i cili është shumë herë më i lirë se kivi i importit.

Rritja e cilësisë dhe varieteteve të ndryshme, do ta bënte kivin shqiptar më konkurues.

Shumë tregëtarë shpesh e nxjerrin në treg të papjekur ose të pjekur shumë.

Kjo bën që konsumatorët të shkojnë drejt produkteve të importit.

Ofrimi i një produkti cilësisht të mirë, i shtyn konsumatorët që ta riblejnë produktin.

Fakti që ky frut është kaq i pasur me vitaminë C, magnez dhe kalium.

Fakti që ndihmon në luftën ndaj një sërë sëmundjesh, e bën atë tejet të kërkuar nga konsumatorët./AgroWeb.org