Koha për një Shqipëri Organike

419 0

Kur drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Jose Graziano Da Silva vizitoi Tiranën në dhjetorin e vitit të kaluar ai ishte shumë i qartë: “Shqipëria duhet të marrë masa për të patur një tokë prodhuese dhe të investojë në bujqësinë organike”. Fjalët e Da Silva duket se nuk humbën në eter. Mjaft të shohësh fokusin që do të ketë skema e re kombëtare e subvencioneve në bujqësi për vitin 2016, për fermat organike për ta kuptuar këtë.

Skema e subvencionit do të mbështesë fermat dhe fermerët e bujqësisë organike, për prodhim mjalti, perime në sera, blegtori dhe shpendari për prodhim mishi. Investimet do të mbulohen me grant deri në 50% të vlerës së projektit; financim në masën 70% të normës së interesit për kreditë deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë. Gjithashtu parashikohet dhe mbështetje të investimeve deri në masën 60% të vlerës për mekanikë bujqësore, si dhe mbështetje për investimet në rritjen e kapaciteteve të pikave të grumbullimit, linjave teknologjike dhe zgjerimit të sipërfaqeve të kultivuara në serra.

Kjo tregon se zhvillimi i bujqësisë organike, edhe pas këshillimit nga FAO, është vendosur me prioritet në axhendën e Ministrisë së Bujqësisë, e cila në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, synon garantimin e rritjes së sasisë dhe cilësisë së prodhimeve shqiptare organike. Megjithëse rritja e prodhimit bujqësor organik (BIO) vjen edhe si një kërkesë në rritje e konsumatorëve vendas, por edhe tregjeve të huaja. Shqipëria tashmë ka edhe një ligj të ri mbi prodhimet organike dhe bio, që përafron legjislacionin shqiptar me atë europian.

Por pavarësisht të gjithë përpjekjeve me projekte ndërkombëtare, bujqësia organike është sërish një aktivitet i ri në vend. Produktet organike shiten vetëm në pak dyqane apo markete. Pamundësia e prodhuesve për të pasur një gamë më të gjerë produktesh e bën të vështirë pasjen e një shpërndarje më të madhe dhe të organizuar të produkteve.

Sipas raportit, Bota e Bujqësisë Organike – Statistikat dhe tendencat 2015, Shqipëria ka 662 hektarë tokë organike që përbën 0.1% të totalit të tokës bujqësore. Sipas të dhënave të publikuara, të cilat i referohen viteve të fundit, në Shqipëri ka 46 prodhues organikë, 27 agro-përpunues, 4 importuesit dhe 20 eksportues. Toka bujqësore organike në vitin 2013 u rrit me 29% krahasuar me 2012-tën.

E megjithatë, sërish vendi ka sipërfaqen më të vogël që i dedikohet bujqësisë organike.

“E ardhmja e bujqësisë në Shqipëri do të varet shumë nga cilësia. Shqipëria duhet t’i promovojë produktet e veta duke u bazuar në cilësi. Vetëm kështu ju mund të garoni në tregun evropian. Ju jeni të bekuar me një tokë pjellore, përdoreni atë në mënyrë strategjike”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i FAO, Jose Graziano Da Silva duke theksuar potencialin e madh të pashfrytëzuar që ka sektori i bujqësisë organike në vend.

Një sektor, i cili do t’i siguronte vendit rritje të eksporteve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Dhe fermerët shqiptarë duhet të përgatiten për këtë. Për të konkurruar në tregun evropian, ku fuqia blerëse është e informuar dhe e orientuar drejt cilësisë, fermerëve shqiptarë do t’u duhet të marrin masat e duhura për të përmbushur pritshmëritë dhe kërkesat, duke çertifikuar produktet e tyre.

Ndërkohë që edhe për konsumatorët vendas është bërë gjithmonë e më e rëndësishme njohja e detajuar e produkteve që konsumojnë. Prandaj ata janë të predispozuar të kërkojnë produkte që janë kultivuar në mënyrë natyrale dhe janë përpunuar e transportuar sipas standardeve të përcaktuara, nga institucionet apo organizatat përgjegjëse.

Pse organikja ia vlen për çmimin?

Fakti më pak joshës për produktet organike është se janë të kushtueshme. Por një studim i ri, i publikuar në Nature Plants analizoi gjithçka çfarë dihet deri tani për fermat organike dhe arriti në konkluzionin se vlerat e organikes janë shumë më të mëdha se niveli i kostos së tyre.

Bujqësia organike ka arritur të sigurojë jo vetëm vende të reja pune, por të jetë edhe fitimprurëse, i bën mirë tokës dhe mjedisit dhe forcon lidhjen mes fermerit dhe konsumatorit.

Për më tepër që popullariteti i produkteve organike ka ardhur në rritje. Në vitin 1997 përshembull bujqësia organike zinte vetëm 1% të ushqimit dhe pijeve në treg, ndërsa tani është 5%. Sfida me të cilën do të përballen politikëbërësit tanimë, është krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë organike përmes subvencioneve dhe çertifikimeve, në mënyrë që sektori të rritet në pëqindje e prodhim./AgroWeb.org