Koha për Shenjtërimin e Mjedisit

284 0

Mjedisi ka fituar një engjëll të ri mbrojtës. Papa Françeskun, dora vetë. Me publikimin e dokumentit papnor mbi ndryshimet klimatike “Laudato Si: Kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët”, Papa ka hapur një debat të gjerë për të cilin vazhdon të diskutohet ethshëm në të gjitha qarqet shkencore, politike dhe mediatike.

Dokumenti historik, i cili kritikon ashpër konsumizmin dhe paralajmëron mbi rrezikun, që na kanoset nëse vazhdojmë ta injorojmë krizën ekologjike, është dhe një thirrje e fortë për liderët më të mëdhenj botërorë, që të marrin masa në mbrojtje të mjedisit. Sepse ashtu siç shkruan dhe Papa Françesku “Bota jonë po kthehet në një kosh të madh plehrash”.

Koha e publikimit të këtij dokumenti të rëndësishëm ka koinçiduar në mënyrë perfekte me ngjarjen më të madhe që do të mbahet këtë vit për ndryshimet klimatike në Paris. Në dhjetor liderët botërorë do të duhet të arrijnë një marrëveshje për të ulur emetimit e gazit karbonik CO2 si dhe të ulin ngrohjen globale me 2 gradë celcius. Nëse mendoni se steka është pak e lartë, në fakt keni të drejtë.

Papa rikonfirmon shqetësimin e shkencëtarëve që ndryshimi i klimës është një fakt dhe njerëzimi duhet të reagojë menjëherë

Papa ka qenë shumë i qartë në arsyetimin e tij, duke theksuar se është koha që të përballemi me ndryshimet klimatike duke pasur vëmendjen maksimale në mënyrë të drejtë dhe agresive.

Parimisht deri këtu të gjithë bien dakord, por ajo që shumë pyesin është se nëse Papa ka të drejtë edhe në aspektin shkencor. Për ambjentalistin Lavdosh Ferruni “Papa rikonfirmon shqetësimin e shkencëtarëve që ndryshimi i klimës është një fakt dhe njerëzimi duhet të reagojë menjëherë”. “Prononcimi i Papës shënon një rikonceptim prej elitës botërore të marrëdhënieve të njeriut me planetin”, thotë Ferruni i pyetur nga Agroweb, duke theksuar më tej se ky dokument ka një vlerë globale që i kapërcen kufijtë fetarë.

Të njëjtin mendim ndan dhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka kur thotë se “Mjedisi nuk ka as kufij dhe as ngjyra politike”. “Kjo është streha jonë e përbashkët, është siguruesi i jetës, është mbrojtësi ynë; Prandaj, ne duhet të mbrojmë atë dhe të ndihmojmë që të kurojmë plagën që i kemi shkaktuar brez pas brezi", thotë ekskluzivisht për Agroweb, Ministri Koka.

Megjithëse kontributi i vendit tonë në emetimin global të gazit karbonik është katër deri në pesë herë më i ulët se mesatarja e niveleve ndërkombëtare, kjo nuk duhet të thotë aspak që ne duhet të rehatohemi dhe të presim pyje e të ndotim ambjentin, por duhet të marrim masa që të ruajmë fort shtëpinë tonë të përbashkët.

Shpyllëzimi nga prerja pa kriter e pyjeve është një nga problemet më akute, që kërcënon mjedisin tonë. Në foto: Pemë të prera në rrethin e Korçës.

Sepse as ne nuk jemi shenjtorë, madje ne e kemi trajtuar shumë keq mjedisin në dekadat e fundit .“Ky dokument i Papës duhet të shërbejë për një reflektim të thellë të vendimmarrjes dhe politikëbërjes; si dhe çdo projekt zhvillimi duhet domosdoshmërisht të shihet edhe në dimensionin mjedisor”, vë në dukje ambjentalisti Ferruni.

Dëmi që njerëzit i kanë bërë mjedisit është aq i madh, saqë ashtu siç thotë dhe vetë Papa duket se "Njeriu i ka dhënë një shuplakë natyrës". 

10 citime nga dokumenti enciklik i Papës

  • Toka, shtëpia jonë ka filluar të duket gjithnjë e më shumë si një kosh i madh me plehra.
  • Nuk e kemi lënduar dhe trajtuar kurrë kaq keq tokën sa në 200 vitet e fundit
  • Ne nuk jemi Zoti. Toka ka qenë këtu para nesh dhe ne na është dhënë.
  • Ideja e infinitit dhe e rritjes pa limit, aq tërheqëse për ekonomistët, financierët dhe ekspertët e teknologjisë, është e bazuar në një gënjeshtër pasi nuk ka një furnizim pa limit me të mirat e tokës, çka e çon planetin të shtrydhet dhe të thahet në limitet e tij
  • E megjithatë, akoma nuk është humbur gjithçka. Qeniet njerëzore, megjithëse janë në gjendje të bëjnë më të keqën, janë gjithashtu në gjendje të ngrihen mbi veten dhe të zgjedhin atë që është më e mirë dhe të ristartojnë edhe një herë nga e para
  • Eshtë një përgjegjësi për të gjithë ne, që t’iu lemë gjeneratave të ardhshme një planet të banueshëm
  • Parashikimet për fundin e botës nuk mund të përmbushen me ironi apo përbuzje. Ne shumë lehtë mund t’u lemë gjeneratave të ardhshme mbeturina, ndotësi dhe shkreti.
  • Ne e dimë se teknologjia e bazuar në përdorimin e lëndëve djegëse fosile me ndotje të lartë, veçanërisht qymyri, por në një shkallë më të ulët dhe nafta, duhet të zëvendësohen në mënyrë progressive dhe pa vonesa
  • Shumë gjëra do të duhet të ndryshojnë drejtim, por mbi të gjithe jemi ne njerëzit që kemi nevojë të ndryshojmë
  • "Pak është shumë" Konsumizmi nuk duhet të na ndalojë që të shijojmë çdo gjë dhe çdo moment.