Korani i Pogradecit në Pjatën e Mbretëreshës Elisabet

6.9k 0

 “Mbretëresha e Anglisë takoi Mbretëreshën e Liqenit”. Janë fjalët e Mbretëreshës Elizabet të Anglisë shumë vite më parë teksa në vizitën e saj historike në Liqenin e Pogradecit ajo shijoi peshkun e Koranit dhe mjeshtërinë e gatimit pogradecar të tij.

Që prej asaj kohe, peshku i Koranit të Pogradecit u bë pjesë gati e pandashme e menusë së Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabetë. Ndaj dhe, përfaqësues të Kuzhinës së Pallatit Mbretëror dërgonin porosi të veçanta drejt Pogradecit për përzgjedhjen e koranëve të freskët e të egër, kërkesë kjo e vet Mbretëreshës Elisabetë.

Korani i liqenit të Pogradecit nuk është unik vetëm në Shqipëri por edhe në botë. Ai nuk shquhet vetëm për shijen e tij krejt ndryshe nga të gjitha varietetet e peshqve të egër të liqenit e detit por gjithashtu edhe për vlerat e tij ushqyese, mirëbërëse për organizmin.

I njohur si peshku i famshëm pogradecar, edhe mjeshtëria e kësaj zone n&eueuml; përgatitjen e tij është po aq unike.

Nuk mund të mos ketë provuar dikush tavat pogradecare të Koranit, e të mos ketë lëpirë gishtat. Tavë e shijshme me qepë të thata, Tava e Peshkatarit me perime, Tava e mrekullueshme me arra, apo Koran i kriposur në tavë, një mjeshtëri e vërtetë gatimi që zgjon dashurinë e vërtetë të shijes brenda në stomak.

Jo më kot Madhëria e Saj e preferon Koranin pogradecar në menunë e saj delikate ushqimore.

Korani konsiderohet si peshku më antik i Liqenit të Pogradecit, ai dallohet nga llojet e tjera të troftave që jetojnë në rrjedhën e sipërme të lumenjve të vendit tonë dhe në liqenin e Shkodrës ngaqe pendët çifte ka pak më të gjata. Pendët teke janë pak më të ulëta, trungun e bishtit më lë lartë, në velëzën e parë ka një numër më të madh gjembash valëzorë mësipërme.

Fatkeqësisht vitet e fundit, breznia e peshkut të Koranit po vuan pakësimin e tij duke rrezikuar zhdukjen, kjo për shkak të gjuetisë së paligjshme e cila vijon pandërprerje edhe gjatë kohës kur këta lloj peshqish janë në riprodhim.

Pak vite më parë, revista prestigjoze “National Geographic” në një artikull të saj ngriti shqetësimin se Korani, një nga speciet liqenore më të vjetra e më të rralla në botë është drejt zhdukjes së plotë. Shkencëtarët amerikanë iu bënin thirrje kolegëve të Ballkanit që t`i bëjnë ballë kësaj fatkeqësie natyrore. Sipas studimit të revistës amerikane vetëm pjesa shqiptare nxjerr nga liqeni rreth 80 ton koran në vit.

Do të duhej një ndërhyrje shumë e fortë në mënyrë që të garantohet jetëgjatësia e breznive të peshkut të Koranit edhe për shumë e shumë dekada që vijnë./AgroWeb.org