Kush do të merret me bujqësi: 22 milionë euro kredi

437 0

Bujqësia po kthehet në një trend ekonomik për Shqipërinë. Aq trend, sa të rinjtë kanë nisur ta shohin bujqësinë si varkën e tyre të shpëtimit dhe të zhvillimit. Imazhi i një sektori që të rropat, që nuk të sjell shumë fitim e ku vështirë të bësh karrierë, duket se po ndryshon.

Dhe për ta vërtetuar këtë, Bashkimi Evropian nëpërmjet Institucioneve të mikro financimit do të japë 22 milionë Euro kredi për të financuar fermerët shqiptarë dhe të gjithë të rinjtë e moshës 18-35 vjeç, që duan të investojnë në bujqësi.

Nëse je i ri ose fermer dhe ke ide inovatore se si mund ta zhvillosh sektorin që punëson 50% të popullsisë së vendit, bën mirë ta shohësh me prioritet bujqësinë.
Nga marrëveshja e re e garancisë mes Fondit Evropian për Investimet (FEI) dhe Fondi Besa, më shumë se 5.000 huamarrës të vegjël me mundësi të kufizuar në financime do të përfitojnë nga një portofol kredie prej 3 miliardë lekësh (22 milionë Euro).

Mundësia e kreditimit është tej mase e kufizuar për një pjesë të madhe të popullsisë rurale, kryesisht për shkak se bankat nuk priren të mendojnë se parakushtet ekonomike dhe financiare janë në nivele të pranueshme për të zgjeruar portofolin e tyre të kredive bujqësore.

Bankat i dedikojnë sektorit bujqësor jo më shumë se 2-5% të portofolit të tyre të kredisë, për shkak të nivelit të lartë të riskut që shohin në këtë sektor.
“Sektori bujqësor është shumë pak i financuar. Vetëm këtë vit, qeveria shqiptare do të japë 15 milionë Euro në subvencione për fermerët shqiptarë. Problemi është se ku do të marrim para shtesë për të ndihmuar fermerët në të ardhmen. Mikrofinancimi mund të jetë një nga zgjidhjet”, u shpreh Ministri i bujqësisë, Panariti gjatë konferencës.

Vitet e fundit, mikrofinancimi në Shqipëri ka nisur të zerë një peshë gjithnjë e më të madhe, duke bërë që të njihet si pjesë e tregut financiar, falë edhe mbështetjes së donatorëve dhe përfshirjes së qeverisë me mbulimin e rriskut të kredive. Mikrofinancimi, i cili shtrihet në më shumë se 10% të popullsisë rurale, nëpërmjet dhënies së kredive ndaj fermave mikro apo të vogla është kthyer në një motorr zhvillimi për ekonominë.

“Bujqësia është një sektor jetik i ekonomisë së Shqipërisë, që nxit rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, si dhe ndihmon njerëzit më të cënueshëm në tregun e punës. Falë financimit të BE-së, 22 milionë euro kredi me norma të ulëta interesi do t’u ofrohen sipërmarrësve të rinj dhe mikro-bizneseve në sektorin e agrobiznesit në Shqipëri”, tha Marianne Thyssen, Komisionere Evropiane për Punësimin, Çështjet Sociale, Aftësitë dhe Lëvizshmërinë e Punës.

Një nga avantazhet e sektorit të mikrofinancës është ofrimi i shërbimit të kredidhënies apo depozitave, në një segment të popullsisë që jeton në zona të thella të vendit dhe nuk mund të arrihet nga institucionet më të mëdha financiare. Kjo është një mundësi zhvillimi për këto zona, pasi për çdo mikro kredi që lëvrohet krijohen 1.4 vende të reja pune.

Sipas Zana Koninit, Kryetare e Bordit Drejtues të Unionit Shqiptar Kursim Kredi, mikrofinancimi, përveçse ka hapur vende të reja pune ka injektuar në ekonominë shqiptare afro 1 miliardë dollarë amerikanë. “Ne kemi një portofol që shkon deri në 110 milionë dollarë në vit dhe kemi hapur më shumë se 300 mijë vende të reja pune në total”, thotë Konini.

Paneli shqiptar diskuton mbi potencialet dhe pengesat e financimit në bujqësi. (Nga e Majta). Deniz Deralla- Banka e Shqipërisë, Edmond Panaritit- Ministër i Bujqësisë, Bashkim Sykaj-Ministria e Ekonomisë, Enio Jaço- CEO Creative Business Solutions.

Për Enio Jaçon, Drejtor Ekzekutiv i Creative Business Solutions, organizatë që përmes zbatimit të projektit AgroKapital të USAID ka ndihmuar fermerët për mundësi financimi, bujqësia është një sektor me potencial të madh dhe duhet të shihet me prioritet.

“Bujqësia shqiptare ka një potencial të madh për t’u zhvilluar, si pasojë edhe e kushteve shumë të favorshme të motit, traditës në bujqësi por dhe pozitës gjeografike. Krahu konkurues i punës, por dhe prioriteti që i ka vënë qeveria këtij sektori, e bëjnë investimin në bujqësi shumë tërheqës. Për më tepër që ka dhe një kërkesë të lartë për produktet shqiptare nga tregu evropian dhe ai botëror”, u shpreh Enio Jaço gjatë fjalës së tij.

Por për Jaçon, sërisht mbetet problematik fakti që bujqësia zë vetëm 4% të totalit të gjithë financimit në vend, duke theksuar më tej nevojën për produkte inovatore nga institucionet e mikrofinancimit, si përshembull investimet në grante, në mënyrë që të përmbushen nevojat e zonave rurale.

Pavarësisht problematikave, mikrofinancimi sipas Deniz Derallës, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të humbasë synimin e tij social. “Unë vij nga sektori i mikrofinancimit dhe e di sa e vështirë është dhe se sa shumë punë bëhet, por është shumë e rëndësishme që të vazhdohet të jepen kredi për ato shtresa që kanë nevojë, të cilëve bankat ua kanë mbyllur dyert”, u shpreh ai.

Por pavarësisht gjithë vështirësive, bujqësia sërish mbetet shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Një sektor që premton shumë dhe që mund të ndryshojë një herë e mirë fatet e ekonomisë./Agroweb.org/