Kush i mban Shqiptarët me Grurë për Bukë

530 0

Nga cili vend i rajonit marrim më shumë produkte të grurit dhe misrit për prodhimin e bukës? Në këtë pikë, partneri ynë kryesor është Serbia me një vlerë prej rreth 35 milion Euro. Madje, pikërisht Serbia rezulton eksportuesi më i madh tregëtar edhe në Kosovë sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave e Kosovës.

Produkti kryesore që Shqipëria dhe Kosova marrin nga Serbia është gruri. Gruri, thekra e misri janë produktet që mbizotërojnë në tabelën e importeve nga ky vend ballkanik.

Por as konsumatorët e Shqipërisë dhe as ata të Kosovës nuk shprehen të kënaqur për cilësinë dhe sigurinë e produkteve të grurit dhe misrit që importohen nga Serbia. Aq më pak të mira janë lajmet e shpeshta për bllokime të drithërave serbe nga autoritetet e kontrollit të cilësisë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Departamenti Amerikan i Bujqësisë USDA tek raportet lidhur me grurin cilëson se ‘Konsumi i grurit në Shqipëri mbulohet kryesisht nga importi. Shqipëria importon mesatarisht 260,000 -300,000 ton grurë në vit, 49% e të cilit nga Rusia dhe menjëherë pas saj 28% nga Serbia’.

‘Në të kaluarën ka pasur disa përpjekje sporadike për të importuar grurë nga Shtetet e Bashkuara, por pengesë kryesore mbetet infrastruktura e dobët në portet shqiptare’, informon Departamenti Amerikan i Bujqësisë. Edhe pse ka ende problem lidhur me madhësinë e anijeve të trasportit, ka një potencial të mirë për eksporte nga SHBA, thuhet në raport.

Qeveria Shqiptare planifikon të zgjerojë portin dhe të rrisë kapacitetet e magazinimit në mënyrë që të maksimizojë përfitimet ekonomikë në rrugës Durrës-Kukës. Shqipëria prodhon sasi misri, më së shumti për ushqim për kafshët, megjithatë në një vit importon rreth 150,000 ton misër dhe ushqim për kafshët me një vlerë prej 45 Milion Dollarë.

Konkurentët më të fortë për Shtetet e Bashkuara për grurin dhe misrin në Shqipëri janë vendet e Lindjes, kryesisht Rusia dhe Ukraina, ashtu si edhe Argjentina, thuhet në raport.

Edhe sipas shifrave të Open Data Albania, mbi importin e grurit sipas origjinës 2001-2013, Rusia dhe Serbia kryesojnë listën e vendeve nga ku Shqipëria ka importuar këtë produkt.

Sipas analizës së të dhënave marrë nga International Trade Centre, Rusia zë vendin e parë për import të grurit dhe përzjerjes grurë-thekër me 65.1% e ndjekur nga Serbia me 11.5% dhe Franca me 9.7%.

Në rajon shesim perime, blejmë grurë

Përsa i përket eksporteve bujqësore me vendet e CEFTA-s, ndër produktet kryesore që Shqipëria dërgon në Kosovë janë perimet si domate, kastraveca e lakra, fruta dhe ujë i ambalazhuar. Menjëherë pas saj vendin e dytë e zë Serbia e ndjekur nga Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia e në fund Moldavia.

Në Serbi, Shqipëria eksporton kryesisht domate, kastraveca, pjepër e shalqinj. Në Maqedoni veç perimeve vend zënë edhe bimët medicinale, në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë kryesisht perime, në Kroaci peshk të përpunuar, perime, e bimë medicinale, në Moldavi domate dhe lakra.

Ndërsa ndër importe pas Serbisë me grurin, vendin e dytë e zë Maqedonia me gjedhë të gjalla, qumësht, perime, vaj luledielli, rrush, pjeshkë apo maja birre. Më pas Kroacia nga e cila marrim kryesisht peshk të thatë, açuge, qepë e grurë, e ndjekur nga Kosova nga ku marrim qumësht, patate, kafe, miell, ujë e birrë.

Më pas Mali i Zi me miell, birrë nga malti dhe verë. Nga Bosnja dhe Hercegovina importojmë qumësht, mish, brumëra e cigare, ndërsa nga Moldavia kryesisht zarzavate, kryesisht qepë të thata si edhe tërshërë.

Por vendet e rajonit kanë shërbyer ndonjëherë edhe si gjetje rrugëzgjidhjesh kryesisht për “të thyer” embargon e fundit ruse që bllokoi importin e produkteve bujqësore nga disa vende përfshirë edhe Shqipërinë.

Këtu shfaqet sërisht Serbia si rrugë për eksportin e perimeve nga rajoni drejt e në Rusi. Tregtarët pohuan asokohe për AgroWeb se rruga që ata zgjidhnin ishte eksporti i produkteve Shqiptare në Serbi dhe nga atje rieksportohen në Rusi ku produktet shqiptare shiteshin me “Made in Serbia”./AgroWeb.org