Lajme të Mira për Agrofinancimin

735 0

Paratë nuk rriten në degë pemësh, por edhe pemët nuk rriten duke i ushqyer thjesht me para. Edhe paratë duhen ‘punuar’, pra investuar. Duhen ferma, duhen traktorë, duhen pajisje teknologjike, pa duhen edhe të mira që ‘të ketë duk leku’. Të gjitha kushtojnë jo pak për fermerët, por kemi lajme të mira.

Ju themi ku t’i gjeni paratë

Veç Granteve nga Skemat Kombëtare që sapo janë hapur e që financojnë gjysmën e investimit tuaj, një tjetër fond është hapur në mbështetje të fermerëve të zonave të thella malore.

Fondi për fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptarë vihen në dispozicion nga programi Gjermano-Danez ‘Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në zonat e Thella në Shqipëri’ (SARED), zbatuar nga GIZ.

Përfiton nëse aplikon tani deri në 30 Qershor

Nga 14 Marsi deri më 30 Qershor 2016 të gjithë fermerët e agro-përpunuesit në gjashtë qarqe, Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, Elbasan dhe Berat, mund të aplikojnë për grante deri 75% e vlerës së investimit. Mbështetja e Skemës së Grantit SARED do të ofrohet në tre drejtime kryesore; Mbarështimi i blegtorisë së imët (ripërtypësit e vegjël), pemët frutore dhe arrorët, bimët aromatike dhe mjekësore.

Ndryshimi

Ndryshe nga dy thirrjet e para, për thirrjen e tretë për aplikime nuk do të pranohen aplikime nga rajoni i Korçës në lidhje me mekanizimin në fermë (për Fruta dhe Arrorë). Fermerët e Korçës mund të aplikojnë për të gjithë investimet e tjera.

Shkoni të parët, që t’ju shërbejnë të parëve

Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen në dy kopje, vetëm personalisht në zyrat e SARED në zyrat e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë në rajonet përkatëse gjatë orëve normale të punës në një zarf duke shënuar mbi të emrin e aplikantit dhe sektorit për të cilët paraqitet aplikimi. Zarfi duhet të përmbajë formularin e aplikimit, planin e biznesit, si dhe dokumentet shoqëruese siç tregohen në Udhëzimin për Aplikantët. Për hapjen dhe fillimin e vlerësimit te aplikimeve do të zbatohet parimi kush vjen i pari, shërbehet i pari.

Sektorët e mbështetur me grante nga SARED

Për investimet në Fermë, shuma totale e investimeve që duhet të aplikohet është nga 400.000 Lekë deri në 3.500.000 Lekë
Për investime jashtë Ferme (Mbledhja / përpunimi / marketingu i produkteve bujqësore) shuma totale e investimeve që duhet të aplikohet është nga 700.000 Lekë deri në 10.000.000 Lekë.

Përfitoni deri në 75% të shumës së investimit nga SARED

Për përfituesit shumë financiare e grantit bazë do të jetë kryesisht midis 50% – 65% e shpenzimeve totale të investimit. Granti paguhet në llogarinë bankare të përfituesit vetëm pas përfundimit të investimit për të cilin aplikuesi është pajisur me kontratë.

Për investimet në Fermë madhësia e grantit është midis 65% – 75% e kostove të investimit. Për investimet jashtë Fermës (grumbullues dhe / ose perpunues) shuma grantit është midis 50% – 60% e kostove të investimit.

Për udhëzimet mund të klikoni këtu për më shumë informacion mbi mënyrën e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Bujqësia shqiptare e rëndësishme për vendet e BE-së

Për Ole Henriksen, drejtorin e projektit SARED-GIZ, ky grant do t’i ndihmojë fermerët shqiptarë që të zhvillohen dhe të përmirësojnë më tej infrastrukturën e fermave të tyre.
Projekti shkon përshtat me nevojat që ka atualisht ekonomia jonë në zhvillimin e sektorit bujqësor në mënyrë të veçantë në zonat e disavantazhuara. “Më duhet të theksoj se këto zona kanë një potencial të madh, veçanërisht nëse zhvillimi i bujqësisë kombinohet me agro turizmin”, ka deklaruar Ministri i Bujqësisë Panariti.

Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Mads Sandau-Jensen shprehu dëshirën e vendit të tij për më shumë mbështetje të investimeve në bujqësinë e Shqipërisë për investim kapitali, konsulencë, teknologji e marketing gjë që, siç u shpreh ai, do të rrisë prezencën e teknologjive të reja që do të nxisë exportin.

Bujqësinë shqiptare, ambasadori i Gjermanisë Hellmut Hoffman e sheh në një tjetër këndvështrim, atë të integrimit evropian. “Bujqësia është shumë e rëndësishme dhe një sfidë komplekse në kuadër të aderimit në BE, ndaj nuk është rastësi që Bashkimi Evropian po mbështet bujqësinë shqiptare. Ne duam të përkrahim banorët e zonave rurale”, theksoi ai, gjatë prezantimit të projektit.

Synimi, nxitja e të rinjve dhe grave

Objektivi i përgjithshëm i SARED është që të rrisë të ardhurat për të gjithë ata që përfshihen në hallkat e sektorit bujqësor me të paktën 20%, dhe të reduktojë papunësinë në rajonet e përfshira në program.
Në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera, sektori i bujqësisë është i dominuar nga burrat edhe pse kontributi i grave është i njëjtë me atë të burrave. Ndaj SARED do t’i kushtojë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje për të siguruar mundësi për gratë. Në përputhje me strategjinë e Isard, objektivi është që të paktën 15% e përfituesve të drejtpërdrejtë të jenë gra.

Të rinjtë aplikantë nën moshën 40 vjeç si dhe gratë do të jenë të privilegjuar me një shtesë prej 10% në shumën e grantit.

Fondet nga Skemat Kombëtare apo Grante nga BE dhe vendet anëtare, po synojnë t’u vijnë në ndihmë gjithnjë e më shumë fermerëve shqiptarë. Sepse fermerët vlejnë dhe jo pak, sepse mund t’u jepen traktorët konsumatorëve, por s’do të ish e njëjta gjë, apo jo? /AgroWeb.org/