Landfillet na rrezikojnë jetën

1.7k 0

Një person gjeneron afro 2 kilogram mbeturina në ditë, ose 1.3 kg më shumë nga çfarë prodhohej para viteve ‘90. Po ku shkojnë të gjithë këto plehra? Afro 55% e 1 milion ton të mbetjeve urbane që gjenerohen çdo vit në Shqipëri përfundojnë në 65 landfille në zona urbane. Por akoma më e rëndësishme është se çfarë i shkaktojnë ato shëndetit tonë. Të jetuarit afër landifilleve, sipas shkencëtarëve rrit rrezikun e vdekjes nga kanceri i mushkërisë .

Mbeturinat prodhojnë gazra të dëmshme, të cilat po të thithen rrisin shanset për të vuajtur nga probleme të rënda të frymëmarrjes. Një studim i publikuar nga Gazeta Ndërkombëtare e Epidemiologjisë të bërë në vendin fqinj Itali në afro 250.000 njerëz zbuloi se njerëzit që jetonin 4.8 kilometra larg landfillit kishin më shumë gjasa për tu shtruar në spital apo për të vdekur nga sëmundje të mushkërive.

Aktualisht në Shqipëri, të gjitha mbetjet që gjenerohen në vend përfundojnë në landfill-e, në vendgrumbullime të palicensuara dhe që nuk plotësojnë asnjë lloj kriteri teknik, ose anës rrugëve dhe nëpër lumenj.

Përveç kësaj, këto mbetje, të përbërjeve të ndryshme dhe të patrajtuara sipas kritereve teknike, çdo ditë dëmtojnë jo vetëm mjedisin, por edhe shëndetin e njerëzve, pa harruar faktin që grumbullimi i tyre në landfill do kërkojë çdo ditë sipërfaqe toke të zënë dhe të kontaminuar për ta mbushur me mbetje, ndërkohë që përpunimi dhe riciklimi i tyre do të sillte përfitime të mëdha financiare.

Njërëzit që janë më afër këtyre landfilleve kishin 34% më shumë mundësi që të vdisnin nga kanceri i mushkërive sesa njerëzit që jetonin më larg se 4.8 kilometra, thuhet në studim. Ndërkohë që në këtë grup 30% kishin më shumë mundësi që të vdisnin nga problemet respiratore. Ato kishin 5% më shumë mundësi për të marrë trajtim në spital për të gjitha sëmundjet respiratore, duke përfshirë 9% për azmën.

Ndërkohë që fëmijët janë akoma më të rrezikuar, me 11 % rritje të shanseve për tu pranuar në spital për problemet respiratore dhe 13% më shumë rrezik të lartë ndaj azmës.

Studiuesit kanë pohuar se do të duhen kërkime të tjera për të konfirmuar lidhjen mes kancerit të mushkërive. Por ato shtuan se nuk ishte e mundur që shtimi i rasteve të vdekjeve të ishte për shkak vetëm të pirjes së duhanit apo faktorëve të tjerë.

Pjesa më e madhe e mbetjeve vazhdon të hidhet në mënyrë të pasigurt në vendgrumbullime të ligjshme ose të paligjshme, ose digjet. Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të jetë shqetësim serioz për Shqipërinë. Ndarja e mbetjeve është pothuajse inekzistente dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët.

Në përgjithësi shqiotarët nuk janë shumë të shqetësuar nga problemet mjedisore. Legjislacioni në këtë pikë është i paplotë dhe opinioni publik është shumë indiferent ndaj problemeve mjedisore.

Vendi është akoma në hapat e para në trajtimin e mbetjeve, edhe pse direktivat nga Bashkimi Evropian kërkojnë me urgjencë që Shqipëria të ndërveprojë.

Afro 60% të mbetjeve në vend janë të biodegradueshme ku të paktën 50% të totalit janë mbetje organike. Rreth 75% janë të djegshme pra mund të shndërrohen në energji (letër, karton, tekstile dhe një sërë mbetjesh organike). Në krahasim me vendet e tjera kjo sasi për person nuk është e madhe, thelbi i problemit qëndron në mungesën e menaxhimit të tyre.

Aktualisht është parashikuar se Shqipëria do të prodhojë rreth 500 kg për person mbetje urbane në vitin 2020, e cila me tendencat aktuale për rritjen e popullsisë do të rezultojë në prodhimin e rreth 1.9 milion ton mbetje urbane, më shumë se dyfishi i totalit që prodhohet aktualisht, që me rritjen e popullsisë do të shtojë dhe banimin në zona gjithnjë e më afër landfilleve, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve. /Agroweb.org/