Lepusha si Zvicra? Çfarë duhet të ndryshojë

1.2k 0

Kisha dëgjuar shpesh këtë vit për Lepushën, destinacionin e ri turistik malor. E kishin krahasuar me majat zviceriane dhe fotot më ndollën aq shumë, sa vendosa të shkoj këtë fillim shtatori. Nga Shkodra duhet të ndjekësh rrugën për në Hanin e Hotit përgjatë Bajzës deri sa në tabela të shfaqet Hot dhe Tamarë. Rruga është e asfaltuar dhe e thjeshtë dhe pse duhet t’i ngjitesh malit. Një hartë treguese në majë na lajmëron se kemi mbërritur në Leqet e Hotit. Shumë udhëtarë të huaj, nga Edith Durham te Indro Montaneli (gazetar i njohur italian) janë befasuar nga kjo pjesë e Malsisë së Madhe, deri para pak vitesh, thuajse e paarritshme. Nga ballkonet e xhamta të ndërtuara posaçërisht për turistët, nuk humb asnjë grimcë të kësaj pamje mahnitëse. Leqet e Hotit lidhin fushën karstike të Hanit të Hotit (Bajzë-Kushe) me luginën e Cemit dhe ndajnë majën e Mështjerrës (në juglindje me të Bukovikut në veriperëndim. Gjarpërimet e shumta në luginën e Cemit për 500 metra janë të pakrahasueshme.

 Në Lepushë janë vetëm 6 bujtina që ofrojnë shërbim. Foto: WebLibrary

Rruga deri në Tamarë është e shtruar dhe është pikërisht ky fshat, kryeqendra e Kelmendit. Banka Gjermane për Zhvillim, Qeveria Shqiptare dhe programi IPA i Bashkimit Evropian kanë marrë përsipër rikonstruksionin e plotë të rrugës nga Tamara në Vermosh ndërkaq që gjatë gjithë rrugës hasim punime intensive. Ky aks është parashikuar të përfundojë në nëntor të vitit 2016. Pasi udhëtojmë dhe rreth 18-20 kilometra me shpejtësi të ulët, në Qafën e Perdolecit në të djathtë është vendosur Lepusha, fshati që na ndolli për të vizituar skajin më verior të Shqipërisë.

Kisha prenotuar on-line një bujtinë tradicionale ose te Tom Dragu, siç i thonë vendasit. Nuk e kam të vështirë ta gjej sepse në Lepushë janë vetëm 6 bujtina që ofrojnë shërbim. Një natë, bashkë me tre vakte kushton 25 euro personi. Për fëmijët mjafton gjysma e çmimit. Pak a shumë këto çmime kanë të gjitha bujtinat. Fshati është vendosur në një fushë, që nga njëra anë rrethohet me kodra ndërsa në anën tjetër me majat të larta, pikërisht aty ku ndahet Mali i Zi me Shqipërinë. Shtëpitë janë kulla të bardha dy-tri katëshe me çati të kuqe që, të vendosura mes jeshillëkut, duken të përsosura. Vendi është i paqtë dhe këtë ndjesi ma përforcon mungesa e ziles së telefonit.

Zona kufitare ka më shumë gjallëri, kjo nga turistët e huaj. Foto: WebLibrary

Në Lepushë s’ka valë, e kjo është arsyeja që çdo bujtinë ka wi-fi. E ulur në oborrin e bujtinës së Tomës, përballë kam Bjeshkët e Namuna, në anë të majtë majat kufitare ose malin e boronicave dhe në të djathtë qafën e Perdolecit. Pa mbërritur mirë, ngrihemi për të ecur, pasi koha e vranët paralajmëron shiun. Shëtitja deri në kufi mes pemëve të larta e lëndinave që shfaqen afër majës, është e përsosur. Për vendasit, rruga deri te piramida ku shfaqet Plava e Gucia zgjat rreth 1 orë e 30 minuta, ndërsa pa gënjeshtra, për ne nga qyteti duhen 3 orë të mira. Nëse shkon në gusht në Lepushë mund të shijosh përveç shëtitjes në mal, edhe boronicat që rriten kudo, madje vendasit e quajnë malin e boronicave. Kjo shëtitje na tregon se ne jemi të vetmit turistë në zonë, nuk shohim këmbë njeriu edhe në kthim. Rreth orës 15.00 kthehemi në bujtinë të uritur. Ajri i pastër e bëri t&eeuml; vetën. Mish viçi, maze, turshi, sallatë, djathë e shalqi, verë e raki… të gjitha prodhime të Lepushës i gjejmë shtruar në tryezë. Familja e Tomës është shumë mikpritëse dhe bëjnë të pamundurën për të të kënaqur. Pasdreke qielli u zbardh nga vetëtimat dhe në mal është e frikshme prania e tyre.

Shiu na mbylli brenda, pa televizor, pa telefonata. S’ka asnjë kafene në fshat ku të takosh njerëz të tjerë. E vetmja është në Qafën e Perdolecit. Me pak fjalë, nëse moti është i keq s’ke fare ç’bën në Lepushë, ndryshe nga alpet zviceriane ku ka qendra SPA, dyqane, kafene. Sigurisht që banorët e Lepushës e kanë të pamundur të krijojnë këto lehtësira, sepse nuk janë kaq të pasur, por në këtë rast i takon shtetit të stimulojë turizmin malor dhe të orientojë e ndihmojë vendasit me ide dhe financim.

Shtëpitë e shtrira në dy anët e lumit, duket se ruhen nga majat e larta përreth. Foto: WebLibrary

Rreshjet e morën shtruar, e vetëm në mëngjes qielli u hap. Pas ngrënies së petullave me mjaltë dhe pirjes së qumështit me dy gisht ajkë, nisemi për Vermosh. Zona kufitare ka më shumë gjallëri, kjo nga turistët e huaj që hasëm rrugëve, megjithatë, edhe pse ora ka shkuar 9.00, nuk shohim asnjë kafene hapur në qendër. Natyra e Vermoshit më pëlqen jashtë mase. Shtëpitë e shtrira në dy anët e lumit, duket se ruhen nga majat e larta përreth.

Ajër, natyrë, qetësi. Këtë mund të ofrojë veriu i skajshëm. Moti është kundra nesh dhe fillimi i shiut na bën që të vendosim për të mos bujtur dhe një natë tjetër. Një gabim që unë bëra, e që ju këshilloj të mos e bëni ju; i gjithë grupi duhet të ketë me vete kartë indentiteti ose pasaportë, pasi vetëm pak kilometra larg Vermoshit është pika kufitare me Malin e Zi, ku prej andej mund të shkoni në trevat shqiptare Plavë dhe Guci. Gjithësesi Lepushë-Vermosh-Plavë-Guci janë destinacione malore që s’duhen lënë pa parë. Vitin që vjen do të rikthehem sërish, deri atëherë edhe rruga do të ketë përfunduar./AgroWeb.org

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.